Një anije peshkimi me 14 persona në bord u mbyt në ujërat në brigjet jugore të Koresë së Jugut në orët e para të ditës së sotme, duke lënë të vdekur katër persona, përfshirë kapitenin e anijes dhe gjashtë të zhdukur.
Autoritetet lokale raportuan se operacionet e shpëtimit kanë filluar për gjetjen e trupave.
Anija peshonte 139 tonë dhe në bord ndodheshin tetë koreano-jugorë, tre vietnamezë dhe tre indonezianë.
Në orën 1:41 të mëngjesit me orën lokale, ajo u raportua e zhdukur në ujërat rreth 17 kilometra në lindje të ishullit Habaek, pranë Yeosu 316 kilometra në jug të Seulit.
Bazuar në dëshminë e dhënë nga anëtarët e ekuipazhit vietnamezë të shpëtuar, roja bregdetare deklaroi gjatë një konference për shtyp të dielën se anija “papritmas u përplas dhe u fundos”.
“Pas kontrollimit me ekuipazhin vietnamez të shpëtuar, duket se anija papritmas u anua dhunshëm në të majtë ndërsa lundronte dhe u përmbys”, tha një zyrtar i rojes bregdetare.
Ai shtoi se 11 anëtarët e ekuipazhit u hodhën në det pa jelek shpëtimi.
Që nga mëngjesi i së dielës, autoritetet po kërkonin për anëtarët e humbur të ekuipazhit që mbeten të zhdukur, duke u fokusuar në një zonë brenda pesë kilometrave nga vendi ku besohet se anija është fundosur.
Shkaku i saktë i aksidentit është ende duke u hetuar, megjithëse anëtarët e ekuipazhit të shpëtuar dëshmuan në polici se anija u përmbys për shkak të motit të keq, duke përfshirë erërat e forta dhe dallgët.