Ballina Europë Danezët i kundërpërgjigjen Trumpit, kërkojnë Kaliforninë në këmbim të Grenlandës

Danezët i kundërpërgjigjen Trumpit, kërkojnë Kaliforninë në këmbim të Grenlandës

48
0

Një fushatë ka filluar në Danimarkë për të marrë shtetin e Kalifornisë nga SHBA-ja në këmbim të ofertës së diskutueshme të presidentit Donald Trump për të marrë Grenlandën.

Bëhet e ditur se fushata “Denmarkification” synon të mbledhë 1 trilion dollarë për të marrë shtetin.

Në faqen e internetit të fushatës u renditën përfitimet e Kalifornisë, duke vënë në dukje se shteti i Amerikës Perëndimore ka 300 ditë me diell në vit dhe investime të rëndësishme teknologjike.

Fushata tha gjithashtu se do ta riemërtonte Disneyland-in “Hans Christian Andersenland”, sipas shkrimtarit të famshëm danez të fabulës, shkruan AA, përcjell Telegrafi.

Raportohet se kjo nismë u justifikua duke thënë se “Trump nuk është pikërisht fansi më i madh i Kalifornisë” dhe “ai do të ishte i gatshëm ta jepte atë për një çmim të arsyeshëm”.

Ndryshe, danezët u zotuan të sjellin “sundimin e ligjit, kujdesin shëndetësor universal dhe politikën e bazuar në fakte” në Kaliforni.

Ndërsa Grenlanda, një territor nën sovranitetin danez që nga viti 1953, ka tërhequr interesin e Trumpit për shkak të vendndodhjes së saj strategjike dhe burimeve të mëdha minerale.

Tensionet u rritën pasi Trump refuzoi të përjashtonte veprimet ekonomike ose ushtarake për të siguruar Grenlandën, duke pretenduar se ishte kritike për “mbrojtjen e botës së lirë”.

Trump e ka përshkruar më parë zotërimin e Grenlandës si një “domosdoshmëri absolute” për sigurinë ekonomike të SHBA-së.