Kryeministri Edi Rama shprehu sot bindjen se Muzeu i Kujtesës dhe rindërtimi i hapësirës përreth Xhamisë së Shkodrës, do të krijojnë një impakt shumë të fortë në aspektin e promovimit të qytetit jo vetëm brenda vendit por edhe ndërkombëtarisht.
Gjatë prezantimit të këtyre projekteve, Kryeministri theksoi se Rilindja e Muzeut të Kujtesës është një zotim i përbashkët me kryetarin e bashkisë së Shkodrës, Benet Beci.
“Bashkë me rindërtimin e hapësirës përreth Xhamisë së Shkodrës, këto janë tanimë dy projekte konkrete të arkitektit të Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi”, qilimit të gurtë të Shirokës si edhe hyrjes së re të Shkodrës, Jesus Hernandez”, vlerësoi Rama.
Kryeministri shprehu bindjen se realizimi i tyre me mbështetjen e qeverisë shqiptare, do t’i kthejë këto dy godina, në dy pika kyçe referimi për qytetarët, vizitorët e turistët e kryeqytetit të Veriut të vendit.
“Ekspozimi i krimeve të diktaturës komuniste si edhe tregimi i historisë tragjike të fesë në Shqipëri, janë detyrim ndaj brezave po edhe vlerë e shtuar e një destinacioni kulturor si Shkodra”, shtoi Rama.
Kryeministri i konsideroi këto dy projekte transformuese për Shkodrën.
“I pari në sensin e marrëdhënies me të shkuarën dhe të domosdoshmërisë për të pasur një ekspozim të hapur të gjithë atyre plagëve të tmerrshme që diktatura komuniste hapi në Shkodër dhe i dyti për të krijuar një situatë absolutisht të re brenda perimetrit të zemrës së Shkodrës, duke e transformuar parkun sot të mbyllur të Xhamisë së Madhe në një hapësirë që sa e ngre lart në pah godinën domethënëse të xhamisë aq edhe i shërben komunitetit si një pikë takimi ku ndërthuren të gjitha moshat dhe ku shërbimet e xhamisë nga njëra anë dhe marrëdhëniet e një qyteti të tërë gjejnë vendin e tyre”, shtoi Rama.