Ballina Kosovë Rritja e çmimeve, qytetarë të shumtë bojkotojnë supermarketet në Kosovë

Rritja e çmimeve, qytetarë të shumtë bojkotojnë supermarketet në Kosovë

35
0

Qytetarë të shumtë i janë bashkuar iniciativës për bojkotimin e supermarketeve si rrjedhojë e rritjes së vazhdueshme të çmimeve. Ata e përkrahin këtë iniciativë, duke theksuar se shteti duhet të ndërmarrë masa për të ndaluar këtë dukuri. Iniciativa ka marrë mbështetje në rrjete sociale, ku është formuar një grup i qytetarëve që kanë bërë thirrje për bojkotin, i cili ka fituar mbështetje nga më shumë se 6 mijë qytetarë, ndërsa mbi 200 mijë të tjerë janë informuar për të.

Xhevat Kastrati, një nga themeluesit e iniciativës, tha sot se ka pasur raportime nga qytetarë të shumtë që kjo nismë po respektohet, por gjithashtu përmendi se ka individë që nuk janë të informuar për bojkotin për shkak të zgjedhjeve. Një iniciativë e tillë fillimisht u mor në disa vende të rajonit, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.

Qytetarët në Kosovë ankohen për çmime të larta dhe manipulime me çmime në disa supermarkete.

Qytetari Nexhmedin Llapashtica i cili mbështet këtë nismë, thotë se bojkotet nuk janë mjaftueshëm, dhe se duhet një reagim më i madh i popullit.

Llapashtica: Jo bojkot, por duhet të ngritët populli

“Jo bojkot, por duhet të ngritët populli, dhe të qohen në ‘luftë’ qytetarët për këtë gjendje që po e shohim. Ka tri palë çmime të ndryshime në markete, për të njëjtin artikull. Qytetarët duhet të vetëdijesohen…Patjetër se do ta përkrah këtë nismë, dhe mendoj se shteti është fajtor, nuk po i përcjellë këto…Kam qenë në dijeni për nismë”, thotë Llapashtica.

Se çmimet janë tejet të larta dhe kjo nismë duhet të mbështetet nga të gjithë e thotë edhe qytetari, Refik Ramaj.

Ramaj: Do ta zbatoj, është nismë e mirë

“Do ta zbatoj, nismë e mirë, dhe uroj të shkoj mirë…Do ta bojkotoj dhe nuk do të dalë…Çmimet janë shumë të larta, disa tepër të larta”, thotë Ramaj.

Në anën tjetër edhe qytetarja, Sevdije Hoti thotë se kjo nismë është me vend, pasi siç thotë ajo, çmimet janë të larta.

Hoti: Kjo është nismë me vend, çmimet janë të larta

“Kam dëgjuar, më kanë dhënë këtë informacion dhe nuk jam dalë…Kjo është nismë me vend, çmimet janë të larta”, thotë Hoti.

Mirëpo, kjo nismë nuk do të përfundojë me sot, pasi sipas themelueseve të iniciativës, do të vazhdojë edhe në data tjera. Themeluesi i iniciativës, Xhevat Kastrati, thotë se për datën tjetër do të jenë më të organizuar për të njoftuar në masë më të madhe të qytetarëve.

Kastrati: Kemi raportime të shumta prej qytetarëve se nuk janë duke blere njerëzit në masë të madhe si zakonisht

“Kemi raportime të shumta prej qytetarëve në grupin tonë në Faceobook, disa thonë që ka njerëz, por disa të tjerë thonë se nuk janë duke blere njerëzit në masë të madhe si zakonisht. Tash kemi mbi 6 mijë anëtar në Facebook dhe së paku këta do të respektojnë iniciativën. Gjithashtu në instagramin kemi arritje mbi 200 mijë njerëz përmes zotimeve tona dhe mijëra shpërndarje. Po besoj që kemi arrit sado pak të ndikojmë tek ata që mos të blejnë sot…Në bazë të shikimeve mbi 200 mijë qytetarë të Kosovës janë të informuar. Edhe zgjedhjet kanë ndikuar që mos me pas shumë përkraha iniciativa pra data parë. Por, do të vazhdojmë me iniciativa, data tjera”, thotë Kastrati.

Ditë më parë, edhe kryetari i shoqatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku ka përkrahur iniciativën, duke theksuar se epoka e mashtrimeve dhe çmimeve spekulative ka mbaruar. Ai për KosovaPress kishte thënë se, çmimet në Kosovë janë të kurdisura dhe duhet të jenë më të ulëta se në vendet e origjinës, duke shtuar se Kosova ka nevojë për përfaqësues tregtarë që do të monitoronin ecurinë e eksporteve dhe importeve.

Kujtojmë se të zemëruar nga rritja e vazhdueshme e çmimeve, qytetarë të disa vendeve të Ballkanit Perëndimor në fund të janarit u ftuan t’i bojkotojnë blerjet në disa dyqane të mëdha ushqimore.