Ballina Politika SPAK sekuestron 1 milionë euro llogari bankare dhe para cash të Veliajt,...

SPAK sekuestron 1 milionë euro llogari bankare dhe para cash të Veliajt, bashkëshortja bëri 850 mijë euro blerje online

148
0

Prokuroria e Posacme njoftoi se ka sekuestruar gati 1 milionë euro depozita bankare dhe para cash të kryebashkiakut Erion Veliaj dhe bashkëshortes së tij. Në njoftimin zyrtar SPAK bën të ditur se depozitat u sekuestruan në dy banka private, ndërsa paratë cash u gjetën në kasafortë me prerje 500 euroshe.

“Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, me vendimin nr. 98 Akti /datë 10.02.2025 ka vendosur caktimin e masës së sigurimit pasuror, në lidhje me llogaritë bankare të ndodhura në “Intesa Sanpaolo Bank” dhe “Banka Kombëtare Tregtare”, ne emër të shtetasës A. X. dhe shoqërive të lidhura me të, në shumën totale prej 869,149.78 Euro,” thuhet në njoftimin zyrtar.

Nga ana tjetër, gjatë kontrollit të ushtruar pranë zyrave të “P. L.” shpk, administruar nga shtetësja A. X., e cila është njëkohësisht dhe pronare e vetme, janë gjetur në një kasafortë dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një sasi të hollash, prej 95,350 Euro (shumica prej tyre prerje 500 euro), 14,900 USD dhe 665,000 Lekë.

“Përveç sa është përshkruar më lart, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka siguruar prova të mjaftueshme për të konkluduar se shtetësja A. X., vetë ose nëpërmjet personave të tjerë të afërt me të, për një periudhë kohore prej rreth 4 vitesh, ka bërë blerje online të cilat konsistojnë në veshje, bizhuteri etj, në masën 86,721,175 lekë. Këto shpenzime nuk rezultojnë të jenë deklaruar në asnjë nga Deklaratat Periodike të titullarit të Bashkisë Tiranë si edhe personave të lidhur me të.” vijon SPAK.

Në lidhje me këto pasuri, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur me vendimin nr. 84 Akti datë 10.02.2025, caktimin e masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive”, përfshirë një vilë në Qerret e regjistruar në emër të kompanisë Agi Kons të biznesmenit Gentian Sula, por që sipas SPAK de facto është nën pronësinë e Veliajt.