Ballina Rajoni Vrau 2 persona në Greqi, dalin fotot e ish-kandidatit të ‘Agimit të...

Vrau 2 persona në Greqi, dalin fotot e ish-kandidatit të ‘Agimit të Artë’ me kallash në dorë dhe depo e armëve: I qëllova me revole në kokë dhe kaq ishte

54
0

Autori i masakrës në Larisa, biznesmeni Dimitris Koltsidas, njëkohësisht ish-kandidat i ‘Agimit të Artë’ në Greqi, pak para se të vetëvritej, duke refuzuar negociatat për dorëzim, ka rrëfyer në mënyrë cinike dhe gjakftohtë se si i vrau dy punonjësit në zdrukthtarinë e tij, me të cilët kishte edhe marrëdhënie pune.

“I qëllova të dy në kokë me revolen time dhe kaq ishte”, ka thënë ai.

Gjithashtu ka pretenduar se dy viktimat, një marangoz dhe një punonjës tjetër, e kishin mashtruar me faturat e pajisjeve të shitura dhe i detyroheshin mbi 30 mijë euro.

Por nuk mjafton këtu. Policia greke publikoi pamjet e kamerave të sigurisë dhe foto nga ambientet brenda zdrukthtarisë së politikanit, e kthyer në një depo të vërtetë armatimi. Një veprim gati i planifikuar mirë nga autori, njëlloj sikur të ishte përgatitur për luftë dhe për shumë viktima.

Armë të të gjitha llojeve, granata, eksploziv, municion dhe gjithëfarë materiali tjetër luftarak. Si dhe pamjet e tij me kallashnikov në dorë pak para se të qëllonte edhe veten. Biseda e fundit e 60-vjeçarit ishte me avokatin e tij, të cilit i la amanet përgatitjen e ceremonisë mortore.

Avokati dëshmoi për gazetarët se klienti i tij ishte i vendosur në veprimin fatal të mosdorëzimit dhe flijimit, teksa vuante nga një sëmundje e rëndë, e cila kishte arritur në fazën e fundit të saj, pra terminale.

“Mendova se do të bënte një krim, kishte lidhje me persona të dyshimtë”, tha prifti që njihte Dimitris Koltsidas.

Madje ai ka hapur zjarr edhe ndaj një punonjësi të policisë EKAM (Policia e Greqisë), informoi media greke.

Sipas informacioneve, një marangoz nga Skiathos dhe një shpërndarës materialesh nga Volos janë viktimat në Gonoi të Larisës. Pasi mbeti i bllokuar brenda zdrukthtarisë për shtatë orë, duke shkaktuar mobilizimin e policisë dhe panik në zonë, ai i dha fund jetës të dielën (9 Shkurt). Por dy viktimat ishin qëlluar për vdekje me plumb në kokë një ditë më parë (8 shkurt), teksa para se ta denonconte vetë krimin, autori ka qëndruar me trupat e pajetë në zdrukthtari për gati 24 orë.

Policia greke konfirmoi negociatat që zgjatën për orë të tëra dështuan, pasi viktima refuzoi dhe në orën 16:00, teksa pritej të ndryshonte mendje, ai qëlloi fillimisht në ajër dhe ndaj një efektivi policie më tej me kallashnikov, para se të vetëqëllohej me revole.