Ballina Kulturë Çdo gjë erdhi nga deti – Forma neorealiste  e shkrimtarit Asllan Hajdari...

Çdo gjë erdhi nga deti – Forma neorealiste  e shkrimtarit Asllan Hajdari  del në det të hapur

56
0

Nga Fatmir Minguli

 Njohja e vërtetë më Asllan Hajdarin nuk ishte libri i tij i parë “ Jeta e babait tim”   por mendimet e tij komplekse për filozofinë dhe më vonë dhe për leximet e shumta të letërsisë së huaj dhe shqiptare.

Vetë ky burrë, një simbiozë e novatorit mekanik dhe navigatorit të lartë është po aq kompleks në jetën e tij të biznesit sa dhe në rrethin shoqëror që është për t’u patur zili.

Por le të vimë te librat, pasioni i tij i kahershëm. I ndrojtur tek shkruan librin e parë, mendja i rrinte te libri i dytë e nga i dyti te i treti e kështu me radhë. Kjo ndrojtje, një veti e rrallë te shkrimtarët e sotëm që shkruajnë pa e kthyer kokën pas.

Duke  bashkëpunuar me Asllanin në botimin e librave të tij po zbuloja se ai nuk ishte në radhën e këtyre shkrimtarëve që shkruajnë pa  ndrojtje, por një njeri që zbaton doktrinën e vet, një doktrinë që më afronte atë të rozakrucianëve. Ai çdo subjekt të librave të tij, sidomos në romanet “Bunacë pas stuhisw ” ai duket sikur kërkon të zbërthejë një mister ekzistencial në zhvillimin real të shoqërisë shqiptare postkomuniste.  Ai më shumë se kërkimin e një simboli, një mega metafore në librat e tij kërkon atë lloj teorie që e shuan etjen në burimet e një “Urdhëri”. Natyrisht ky urdhër nuk është as ai i rozakrucianëve  dhe as i bektashianëve. Eshtë një mishelë që Asllani e ka ndërtuar me alkiminë e tij.

Çdo gjë erdhi nga deti!

Një nga çuditë e mia që lindën gjatë analizave të mënyrës së të shkruarit ishte se Asllani kishte dhe ka merakun për të ditur se ku ndodhej me librat e tij të botuar. A ishte ai në atë nivelin “X”  si të shkrimtarëve që botojnë pa pushim. Por kuptova shpejt se ai gabonte me këtë merak, sepse libri i tij i gjashtë me titullin shumë domethënës “Likuidimi” likuidon pikërisht këtë shqetësim kaq psikologjik.

Si rozakrucianët ai kërkon  të ketë një ndryshim kundrejt shkrimtarëve të tjerë dhe është në “gjueti’ të kapjes së misterit të krijimit narrativ  të personalizuar. Ashtu si Isak Njutoni,  ai ndërton brenda vetes një institucion të fshehtë mendimesh që kërkon t’i shkëmbejë me lexuesit ashtu siç ai mirëkuptohet me dallgët e detit. Ai e di se çdo dallgë bie sado pak nga të fshehtat e nëndetit dhe paralelja me mendimet e lexuesve shkon për bukuri me fshehtësinë që mund të kenë në shpirtin dhe në mendjen  e tyre.

Zhyl Verni me romanin “Njëzet mijë lega nën det” e largoi Kapiten Nemon nga njerëzit e tokës, teksa Asllan Hajdari i afron njerëzit pikërisht te deti, aty ku ai ka të fshehtat e shpirtit të tij.

Asllan Hajdari e bëri librin e parë për të atin, një detyrim sa qytetar aq dhe i dobishëm si një shembull social. “Jeta e babait tim” -Ngadhnjim mbi jetën- monografi – është sprova e parë e tij që kaloi me sukses jo vetëm mendimet e miqve dhe të shokëve të tij por dhe të lexuesve të tjerë. Detyrimi i dytë, sprova e dytë e këtij kërkusi të “perlave” narrative ishte libri që ia kushtonte shokëve me të cilët punoi për dekada me radhë. Titulli sa sinjifikativ aq dhe i përshtatshëm për atë lloj libri është “ Grimca jete në ditarin e udhëtimeve”.

Mbas këtij libri ai psherëtiu i lehtësuar.

“Scripsi et salvavi animam meam” -shkrova dhe shpëtova shpirtin tim.

Për një çast mendoi se kishte shpëtuar vërtetë por romanet “Të braktisur”  dhe “Bunacë pas stuhisë” ishin trondiitës më shumë në stilin e të shkruarit se sa radhitja e ngjarjeve të subjektit. Këtu ai hyri në vallen e krijimit, aty ku duhej të kërcente ato valle  që herë dilnin nga valët e detit e herë nga zyrat e pushtetarëve. Ai mendonte për karakteret e personazheve dhe ishte ky fakt që e ndihmoi të ndërtonte ura të reja në romanet e tij, urën mes reales dhe trillimit, urën mes vetes dhe personazheve, urën, ndoshta më të vështirën, mes moralit të pastër qytetar dhe moralit të mashtruesve dhe të korruptuarve.  Këto romane të para të Asllan Hajdarit  janë shpërthime ku tregohet bota e panjohur e peshkatarëve durrsakë, janë histori me vlera ku tronditja e valëve dhe thellësia e detit nxjerrin në pah ngjarje dhe situata të cilat shpesh shërbejnë si metafora për sfidat e kohës mes njerëzve të punës në atë sektor të vështirë siç ishte peshkimi. Përvoja e Asllan Hajdarit në  këtë sektor shpesh reflektohet në mënyrë autentike dhe të thellë në faqet e romaneve të tij duke e bërë lexuesin një bashkëudhëtar në viaxhot e peshkimit.

Në romanin “Bunacë pas stuhisë” duket sikur ka elementë autobiografikë që jo vetëm nuk ngjajnë të tillë por  bëhen modele të narracionit duke dhënë karaktere të veçanta në letërsinë shqiptare. Subjektet janë një lloj shkolle për të rinjtë durrsakë, për ndërtimin e një jete jo aq të kollajtë në kushtet e monizmit. Deri sa djali i ri i shkollës mekanike të Shkozetit të bëhej kapiten në anijet e peshkimit është një sagë plot të papritura dhe pak të njohura. Mendimi im është se Asllan Hajdari ecën në gjurmët e një narracioni transformist, duke bërë kujdesin që të mos ecë as në gjurmët e realizmit socialist dhe as në gjurmët e realizmit kritik. Ai nuk është me anën e disa shkrimtarëve që shajnë mbrapashtesën “izëm”.

Narracioni i tij në tre romanet e tij të fundit shkon drejt një forme neorealiste që nuk e ngatërron me lëvizjen e narracionit tipik italian të pas luftës së dytë botërore. Ai në një qasje të lehtë sheh nga grupi  letrar “63” italian ku ishte antar dhe Umberto Eco. Ky neorealizëm i Asllan Hajdarit është një bashkësi zërash. Një bashkim ngjarjesh periferike, një bashkësi karakteresh që janë nga familje të mëdha durrsake dhe që janë coptuar, nga një bashkësi personazhesh që vinë nga fshati dhe sistemohen në qytet e deri sa hynë një pjesë e tyre në botën e atyre karaktereve        që janë të molepsur që në embrionet e botës moniste si servilë e dembelë që kthehen në aktivistë partie në demokraci.

Forma neorealiste e Asllan Hajdarit përshtat pikërisht këto bashkësi dhe ai tashmë del si zë më vete në romanet e tij. Është një neorealizëm shqiptar i lindur mbas viteve ’90 dhe ai ka ditur që ta kapë. Kapja nuk është e lehtë! Ai kështu duke ndërtuar doktrinën e vet letrare sheh se realizmi në narracion nuk shkon fare si një lloj rryme e re, është një lloj amullie e përditshme, një amulli që pak  poetë durrsakë e kuptojnë dhe e dënojnë me poetikën e tyre si Agim Bajrami apo Bajram Sulejmani. Në fund të fundit është një kërkim  misteresh, një kërkim po aq i mundimshëm sa dhe kapja e perlave nën shkëmbinjtë e padukshëm të nën detit. Por, për doktrinën e Asllanit çdo gjë ka ardhur nga ai fund deti.

Ai ecën përmes një kaosi ngjarjesh në narrativën e tij ku kërkon ligjet e këtij kaosi duke zbatuar jo me kryeneçësi thënien e Niçes se ”Në majë qëndrojnë njerëz të vetmuar se turmat nuk mund të qëndrojnë dot atje”.

Nëndeti me misteret e veta dhe majat e vetmisë së një shkrimtari konseguent në bindjet e tij janë pjesë të një ekuacioni që vetë Asllani i ka gjetur zgjidhjen dhe di të ekuilibrojë raportet mes tyre. E tillë  është magjia që injekton thellësia e panjohur e detit, magjia që e ndihmon   atë të ndërtojë godinën magjike të romanit të tij të pestë “Vendi i qenit”.

Romani “Vendi i qenit” është një klithmë intelektuale e pastër  për pasojat e ngjarjeve në fillimet e demokracisë në Shqipëri. Nëpërmjet një narracioni elastik që i jep  vetë ngjyrimi “neorealist” duke pasqyruar portrete personazhesh  të një sektori aq të vështirë si është ai i peshkimit. Për mendimin tim ky roman firmos një periudhë epokale  të një transformimi sa të çuditshëm  po aq dhe negativ  të moralit shoqëror. Pa qenë kritizer, ky autor  na jep modelin e romani të ri me bazamente të subjekteve socio-psiqike ku përplasen e mira e padukshme dhe e keqja triumfuese. Atje ku artifica e tregimit, lëkundet  mes reales dhe trillit, atje ku faqe pas faqeje triumfon pozitivja dhe njerëzorja. Forca narrative e romanit “Vendi i qenit” qëndron në metaforën  e ndërtimit të një foleje në anije për fshehjen e klandestinëve që kalonin detin drejt Italisë…

Edhe pse kronologjia e ngjarjeve kapërcehet, personazhi kryesor, kapiteni i anijes Hasani ngrihet si një statujë  e shqiptarit të zot e të ndershëm. Figura e tij është një prurje në letërsinë shqipe të ditëve tona. Atë figurë e pasurojnë personazhet e veçantë siç është figura e Halimit apo enigmatikut Fred.

Këta personazhe si dhe të tjetër ndriçohen nga prozhektorë  psiko-analitikë ku autori luan  me subkoshiencën e thellë  duke eleminuar ndjekjen hakmarrëse  brutale  por i kushton vëmendje vendosjen së saktë të drejtësisë  dhe jo vetëgjyqësisë apo drejtësisë me segmente të korruptuar.

Asllan Hajdari është autori i parë  që trajton subjekte komplekse psikologjikisht të trajtuara me kujdes për jetën e detarëve jo vetëm durrsakë në post ’90.