Policia ka vënë në pranga dy persona, Afrim Ukperja dhe Amarildo Hamzai, për kontrabandë mallrash, gjatë një operacioni të koduar ‘Porosia’. Në pranga ka rënë një 44-vjeçar i cili kontrabandoi nga Gjermania, 23 celularë (iPhone 16 Pro Max) dhe 2 laptopë, për llogari të djalit të pronarit të kamionit që drejtonte. Në pranga ka rënë edhe shtetasi për llogari të të cilit ishin kontrabanduar pajisjet.
Njoftimi i policisë:
Si rezultat i kontrolleve të imtësishme të kryera në hyrje/dalje të Shqipërisë, ndaj shtetasve dhe mjeteve me të cilat ata lëvizin, me qëllim parandalimin, konstatimin dhe goditjen e krimeve në kufi, Policia Kufitare e portit të Durrësit finalizoi operacionin policor të koduar “Porosia”. Gjatë operacionit u vunë në pranga shtetasit Afrim Ukperaj., 43 vjeç, dhe Amarildo Hamzai, 35 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Në kamionin që drejtonte 43-vjeçari, në hyrje të Shqipërisë, u gjetën 23 celularë (iPhone 16 Pro Max) dhe 2 laptopë, pa fatura blerjeje, të cilat dyshohohet se ishin kontrabanduar nga Gjermania, për llogari të shtetasit A. H. (djali i pronarit të kamionit që drejtonte shtetasi A. U., dhe njëkohësisht shtetasi që priste pajisjet). Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.