Ballina Opinion Erion Veliajt i grisën kontratën

Erion Veliajt i grisën kontratën

47
0

Nga Lorenc Vangjeli

Një prokuror i SPAK-ut dhe një gjykatës i GJKKO-së grisën papritur një kontatë shërbimi që qytetarët e Tiranës kishin firmosur dy vjet më parë me qytetarin Erion Veliaj. Kjo kontratë e parashikuar të zgjaste katër vjet, u hodh poshtë në bazë të dyshimeve që prokuroria ka për përfshirjen e kryetarit të bashkisë, bashkëshortes së tij dhe një rrethi biznesmenësh në përfitime të paligjshme. Në njoftimin zyrtar të SPAK-ut, që shpjegon në vija të përgjithshme shtyllën kurrizore të akuzës publike, ashtu siç ka ndodhur për herë të parë në gusht të vitit 2023, ka një sqarim: “Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë”. Por në mes të lirisë së munguar të Veliajt që është vetëm një individ dhe prezumimit të pafajësisë që është parim, arresti i tij ka gërmuar një hendek të frikshëm. I njëjti hendek që është hapur në rastin e Sali Berishës, është bërë humnerë në rastin e Ilir Metës; ai që është shndërruar në kalvar arratie për Arben Ahmetajn apo në një film pafund për Ilir Beqajn në qeli e të tjerë në kushte të ngjashme.

Në rastin e dy ish-presidentëve dhe kryeministrave, SPAK-u, grisi kontratën morale dhe politike që këta dy shtetas kanë pasur me dy forcat më të rëndësishme të opozitës. Hesapi i hapur i tyre me drejtësinë ndikoi e ndikon në mënyrë direkte në cilësinë e ushtrimit të detyrës së tyre. Apo dhe me të drejtën për të përfaqësuar një alternativë për pushtet. Me apo pa dashje, në këtë mënyrë, drejtësia është kthyer në një faktor elektoral të fushatës në prag të zgjedhjeve. Minimumi duke cënuar barazinë dhe shanset e barabarta në garë të të gjithë aktorëve politikë. Sot pakkush mund të thotë se çfarë provash mund të prishnin, cilët dëshmitarë mund të intimidonin apo çfarë rreziku kishin për arrati dy ish-presidentët që u mbyllën njëri në shtëpi e tjetri në qeli. Fare mirë ata mund të ishin hetuar dhe t’u nxirrej – siç thuhet në këto raste – edhe ujë i zi për kohën kur ata ishin mbi urë, por kjo gjë mund e duhej bërë duke i lënë ata në liri. Duke ju garantuar në këtë rast edhe barazi në garën e tyre të jetës, ballafaqimin në bastin për fajësinë a pafajësinë e tyre. Burgu është përjashtim dhe jo rregull. Burgu është mjeti i fundit dhe jo arma e parë që shkrepet. Drejtësia nuk mund të jetë lavjerësi që rri vetëm në skaje. Pandëshkueshmëria nuk mund të zëvendësohet me Parandëshkueshmëri! Siç i ndodhi fiks edhe Erion Veliajt.

Së paku gjysma e shqiptarëve janë të bindur se Berisha dhe Meta duhet ta ngrysin jetën në burg. Një pothuaj gjysmë tjetër këtë gjë kërkon për Edi Ramën. Dhe bashkë me ta edhe një seri e pafundme qeveritarësh të sotëm e të djeshëm, që në disa versione konkrete e me emra konkretë, janë simbol i babëzisë dhe i përkasin sojit më të lig të grabitqarëve. Por bindjet nuk janë provë. Duhet pritur me durim të quhen fajtorë, siç e thotë SPAK-u në njoftimet e tij: “…deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë”. Për një paradoks të panjohur në publik, vetë drejtuesi i SPAK-ut, Altin Dumani, ndryshe nga sa perceptohet, ka qenë prokurori me rekorde krejt të kundërta në këtë drejtim: statistikisht ai është akuzatori që ka dhënë më shumë pafajësi në sallë apo ka hequr dorë nga akuzat e paprovuara, si askush tjetër në krahasim me kolegët e tij. Ka një nevojë ulëritëse që pikërisht SPAK-u i pari të japë zgjidhje ndryshe proceseve penale. Ku individi të mos jetë i shtypur nën peshën e një pushteti arrogant e të pakontrollueshëm. Kjo është një tezë që e zemëron turmën e ndarë në dy pjesë, ku secila prej tyre, kërkon që liderët e pjesës tjetër të përfundojnë në burg. Njëlloj si shqiptarët e 45-ës së shekullit të shkuar, kur nga malli, halli apo dhe padija, brohorisnin për litarin e plumbin, zhdukjen e vdekjen, kalljen dhe tretjen, thjesht nën ngushëllimin se thika në mishin e tjetrit nuk të le plagë.

Eshtë shumë e vështirë t’i shpëtohet oshëtimës së turmës apo dhe vesit të politikanëve që sillen si gjykatës e prokurorë, por dhënia e drejtësisë është një e drejtë e deleguar dhe drejtësia popullore në një rast të tillë, i shërben vetëm padrejtësisë. Rrit temperaturën dhe përçartjen e shoqërisë, por edhe ekzekuton prezumimin e pafajësisë.

Polifotoja politike në hall penal, është vetëm një pjesëz e vogël e një armate të frikshme shqiptarësh që kanë hyrë në ingranazhin e frikshëm të drejtësisë shqiptare në tre dekada e ca pluralizëm. Shumica dërmuese e të cilëve, pavarësisht nëse kishin vrarë, kishin tymosur dy cigare hashash apo kishin hedhur ca tjegulla mbi hatllat e shtëpisë, e prisnin në arrest në burg vendimin përfundimtar të gjykatave. Raporti i deformuar mes numrit të të paraburgosurve që presin gjykimin dhe të gjykuarve është tërësisht anormal dhe pjesë e një mendësie bolshevike që hedh poshtë dhe nuk vlerëson pikërisht atë që kushtetuta ja jep çdo individi: prezumimin e pafajësisë! Rasti i Berishës, Metës, Ahmetajt dhe Veliajt së fundmi, janë vetëm perdet që mbulojnë një skenë shumë herë më të madhe. Atë të shfaqjes së një shoqërie që mizorinë e quan normalitet, që revanshin e quan rikthim të karmës e që ndëshkimin e quan drejtësi, por që në thelb fabrikon armata kriminelësh dhe frakturon shpesh pa kthim qindra mijëra fate njerëzore.