Mediat kanë zbardhur dosjen e SPAK-ut, ku ndër të tjera del edhe emri i deputetes socialiste Klotilda Bushka, njëkohësisht kryetare e Komisionit të Ligjeve.
“Akoma më e rëndë paraqitet situata kur bëhet fjalë për shtetasen Ina Goxhaj, e cila është treguar mjaft e qartë në lidhje me takimet e zhvilluara para se të paraqitej në Prokurorinë e Posaçme, çfarë e ka orientuar shtetasja Ajola Xoxa dhe Klotilda Bushka, si edhe faktin që ka takuar shtetasen Ajola Xoxa dhe Klotilda Bushka pasi ka dalë nga Prokuroria e Posaçme, sipas orarit të lënë nga këto të fundit. Ky takim është dokumentuar nga grupet e vëzhgimit të hetuesve të BKH-së”, lexohet në dosje, shkruan A2.
Më tej, SPAK pretendon se celulari i shtetases Ina Goxhaj “është asgjësuar me ndihmën e shtetases Klotilda Bushka”.
“Për më tepër, nisur nga deklarimet e shtetases Ina Goxhaj, kësaj të fundit i është kërkuar telefoni, i cili në fakt i është marrë, për t’iu zëvendësuar me një tjetër nga shtetasja Ajola Xoxa. Po ashtu, sipas të njëjtave deklarime, të cilat do të jenë objekt hetimi përgjatë hetimit paraprak, ka dyshime se aparati telefonik celular i kësaj shtetase është asgjësuar me ndihmën e shtetases Klotilda Bushka, në shtëpinë e prindërve të kësaj të fundit”, lexohet në dosje.