Ballina Politika Djathtas 1912: Tonet kërcënuese ndaj prokurorëve dhe përpjekja për të frikësuar GJKKO-n...

Djathtas 1912: Tonet kërcënuese ndaj prokurorëve dhe përpjekja për të frikësuar GJKKO-n janë një sulm i drejtpërdrejtë ndaj pavarësisë së drejtësisë

79
0

Arrestimi i Kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, ka shkaktuar një reagim të paprecedentë dhe të rrezikshëm nga Kryeministri ndaj SPAK-ut. Tonet kërcënuese ndaj prokurorëve dhe përpjekja për të frikësuar GJKKO-n janë një sulm i drejtpërdrejtë ndaj pavarësisë së drejtësisë dhe një përpjekje e hapur për të sabotuar luftën kundër korrupsionit.

Këto sulme dhe kërcënime, të cilat kanë qenë tipike për Sali Berishën dhe Ilir Metën, sot, përmes Edi Ramës, i dhanë formën përfundimtare “Koalicionit të Kleptomanëve”.

Gjithashtu, dënojmë protestat e turpshme dhe të orkestruara nga mbështetësit e Ramës, Berishës, Metës dhe Veliajt, të cilat rikthejnë skenat e mitingjeve të “Vullnetarëve të Enverit” në vitin 1991, duke treguar qartë se politika e vjetër është e gatshme të përdorë çdo mjet për të mbrojtur korrupsionin dhe klientelizmin e saj.

“Djathtas 1912”, si partia e parë parlamentare që ka shpallur hapur mbështetjen për zgjatjen e mandatit të prokurorëve të SPAK, inkurajon dhe mbështet organet e drejtësisë për të vijuar punën e tyre në hetimin dhe gjykimin e korrupsionit të lartë dhe krimit të organizuar.

Kjo është e vetmja rrugë për ta nxjerrë Shqipërinë nga tranzicioni i pafund dhe nga kthetrat e pandëshkueshmërisë që ka mbajtur peng vendin për 34 vite.

Gjithashtu, i bëjmë thirrje partive parlamentare të ndalojnë menjëherë çdo përpjekje për të dekurajuar punën e SPAK dhe GJKKO, dhe t’i përmbahen parimit themelor të një shteti të së drejtës: pavarësisë së gjyqësorit.

Qytetarët mund t’i mbrojnë të drejtat dhe liritë e tyre vetëm përmes një sistemi drejtësie të pavarur dhe efikas, i cili siguron barazinë para ligjit, mbrojtjen e pronës, të drejtat politike, ekonomike dhe civile, të garantuara qartë nga Kushtetuta e Shqipërisë.

Njëkohësisht, përshëndesim deklaratat e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, të cilat kanë shprehur mbështetjen e tyre të palëkundur për SPAK dhe GJKKO, duke forcuar parimet e paanshmërisë dhe ekuilibrin mes pushteteve.

Të dashur qytetarë, beteja për drejtësi është beteja për të ardhmen tuaj!

Kjo betejë është për bizneset, për punën dhe mundin tuaj, të cilat për 34 vite janë keqpërdorur nga një sistem i kapur nga korrupsioni.

Korrupsioni nuk ka ngjyrë politike dhe as përkatësi ideologjike. Prandaj, pavarësisht bindjeve tuaja politike, çdo sulm ndaj drejtësisë është një arsye për t’u bashkuar në mbrojtje të ligjit dhe institucioneve që garantojnë barazinë për të gjithë qytetarët.

“Djathtas 1912” siguron çdo qytetar shqiptar se do të qëndrojmë fort në mbrojtje të interesit publik dhe kundër çdo partie apo politikani që tenton të kërcënojë prokurorët dhe gjyqtarët në përpjekjet e tyre fisnike për të çmontuar sistemin e pandëshkueshmërisë.