Ballina Politika Një zë i njohur i medias hyn në politikë, gazetari i njohur...

Një zë i njohur i medias hyn në politikë, gazetari i njohur shpall kandidaturën për “Primaret” e PD-së

244
0

Gazetari dhe moderatori i njohur, Arnold Kariqi hedh hapin e radhës në përpjekjen e tij për të përfaqësuar qytetarët e zonës së tij të qytetit të Kavajës edhe politikisht.

Pas garës pozitive të pak viteve më parë për kreun e Forumit Rinor të PD-së, Kariqi përmes rrjeteve sociale tashmë njofton futjen në procesin e “Primareve” për të marrë mbështetjen e nevojshme për të qenë zyrtarisht kandidat për deputet në listat shumë-emërore të PD-së në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

“Të dashur miq dhe qytetarë të Kavajës, Rrogozhinës e mbarë qarkut të Tiranës!

Si bir i një qyteti me histori të madhe demokratike, i rritur në një familje me vlera dhe edukuar me dashurinë për vendin, e ndjej si detyrim moral dhe qytetar të jap kontributin tim për Shqipërinë.

Për këtë arsye, kam vendosur të shpall kandidaturën time në primaret e Partisë Demokratike, një proces jetik për demokracinë e brendshme dhe për forcimin e përfaqësimit qytetar. Primaret janë prova më e mirë e besimit tek qytetarët, tek vlerat e garës së ndershme dhe tek parimi se politika duhet të jetë në shërbim të njerëzve, jo e një pakice të privilegjuar.

Rruga ime në Partinë Demokratike ka qenë e gjatë, që nga angazhimi si i ri e deri në strukturat drejtuese, duke kaluar çdo sfidë me besim e përkushtim. Unë kam qenë dhe do të jem gjithmonë në krahun e njerëzve të lirë e të vërtetë, demokratëve të Kavajës, atyre që nuk u dorëzuan kurrë, as në ditët më të vështira tonat!

Kavaja, djepi i demokracisë, meriton një zë të fortë në Parlament, një zë që mbron të drejtat e qytetarëve, që lufton për dinjitetin dhe qëndron krah interesave të komunitetit tonë.

Ky vendim nuk është për mua, por për ju. Nuk është për privilegje personale, por për të kthyer institucionet në shërbim të qytetarëve, për të nxjerrë Kavajën nga harresa dhe për të rikthyer shpresën.

Më 11 maj kemi një sfidë vendimtare. Zëri juaj ka fuqi, vota juaj ka peshë. Bashkë mund të bëjmë ndryshimin dhe ta rikthejmë besimin tek politika, tek vlerat dhe tek e ardhmja që meritojmë.

Së bashku, për një Shqipëri më të drejtë, më të fortë dhe më demokratike!”, thotë Arnold Kariqi në mesazhin e tij.