“Djathtas 1912”, ka prezantuar sot programin elektoral me të cilin do të garojmë drejt zgjedhjeve të 11 Majit, si edhe cilësitë që kandidatët tanë për deputetë do të sjellin në lista.
Nismëtarët e forcës tonë politike prezantuan para qindra mbështetësve, pikat kryesore të programit duke përfshirë: ekonominë, shtetformimin, arsimin, familjen, shëndetësinë etj.
Njëri prej nismëtarëve të kësaj forcë politike, Edvin Kulluri, tha se “Shqipëria ka nevojë për një shtet të vogël dhe të fuqishëm. Shteti nuk duhet të jetë një barrë për qytetarët, siç po ndodh tash e 12 vite të qeverisjes së PS-së, por një mundësi që garanton rendin, sigurinë dhe mbrojtjen e të drejtave të çdo qytetari”.
Propozimi ynë është një shtet i vogël që ndihmon individët të rriten, jo ai që pengon zhvillimin e tyre, një reformë thelbësore që ul ndjeshëm numrin e ministrive (në 10) dhe 150 institucione.
“Ne kemi si objektiv të sugjerojmë rindërtimin e infrastrukturës së shtetit duke krijuar një parlament me dy dhoma, senatin dhe dhomën e ulët, me synimin që parlamenti të mos shndërrohet siç është tani në tiraninë e shumicës. Ne sugjerojmë rikthimin e formulës së vitit 2008 në zgjedhjen e Presidentit me shumicë të cilësuar, një president me kompetenca më të gjera për të garantuar ndarjen dhe kontrollin real të pushteteve. Në synojmë një decentralizim real të pushtetit vendor dhe rishikim të ndarjes administrative të shtetit”, tha Kulluri në fjalën e tij.
Sipas “Djathtas 1912”, sot nevojitet një standart i ri, ku kandidati për deputet e më pas Deputeti i së djathtës së vërtetë nuk mund të jetë një pazarxhi i votave, një shpërdorues i besimit të qytetarëve apo një njeri që e sheh pushtetin si pronë personale.
“Koha e kompromiseve të pista ka marrë fund. Kush do të jetë pjesë e kësaj beteje, duhet ta ketë të qartë që nuk ka vend për mashtrues, për njërëz me të shkuar të errët dhe për hije të korrupsionit. Shqipëria ka nevojë për një elitë të re politike, të pastër, të vendosur dhe të palëkundur përballë presioneve dhe tundimeve të pushtetit. Deputeti i së Djathtës duhet të jetë një libër i hapur, me një histori të pastër dhe pa hije korrupsioni. Ç’dokush që ka kaluar derën e një institucioni drejtësie për t’u hetuar, nuk ka vend në këtë betejë. Ne nuk bëjmë pazar me integritetin! Deputeti ynë nuk duhet të ketë frikë nga drejtësia, por duhet ta mbështesë atë pa asnjë rezervë”, tha themeluesi i Djathtas 1912, Rezart Kthupi.
Ndërsa deputeti Enkelejd Alibeaj ka prezantuar ofertën ekonomike të forcës tonë politike.
“Ne jemi të bindur në aplikimin e taksës së sheshtë mbi kapitalin, të ardhurat nga puna dhe të ardhurat jo nga paga. Vendosja e nivelit të saj nuk duhet bërë në mënyrë autoritare, por në konsultim ligjor me ekspertët kombëtarë e nderkombëtarë e sidomos me grupet e interesit të biznesit. Në cdo rast kjo taksë nuk do të jetë më tepër se 10%. Gjithashtu 0 tatim per pagat deri në 60.000 lekë. Bizneset që qarkullojnë deri në 20 milion lekë në vit do të quhen biznese të vogla. Këto biznese do të kenë 0 taksë. Do të kenë detyrim veç kontributet shëndetësore e shoqërore. 0 taksë për profesionet e lira. TVSH e produkteve të shportës do të ulet nga 20% në 10%”, ka thënë ndër të tjera deputeti Alibeaj.