Makthi për tenistin italian Jannik Sinner, numri 1 në botë për meshkuj, ka marrë fund. Lajmi që fakt tashmë prej disa ditësh pritej është bërë tashmë realitet. Tenisti italian ka bërë një marrëveshje me WADA (Agjencia Ndërkombëtare Antidoping) në lidhje me pozitivitetin e tij me clostebol një vit më parë. Në këtë mënyrë Sinner është pezulluar me 3 muaj nga WADA, skualifikim që nis më 9 shkurt dhe përfundon më 4 maj.
Gjatë kësaj periudhe, italiani do të humbasë 4 turne Masters dhe ka mundësi të rikthehet të luajë në turneun e shtëpisë, në Romë. WADA sqaroi: “Kemi arritur një marrëveshje për të zgjidhur çështjen e tenistit italian Jannik Sinner, i cili pranon një periudhë tre-mujore të papërshtatshmërisë për një shkelje të rregullave antidoping që çoi në testin e tij pozitiv për clostebol, një substancë e ndaluar, në mars 2024“.
“WADA pranon shpjegimin e tenistit për shkakun e shkeljes, siç përshkruhet në vendimin e shkallës së parë dhe pranon se z. Sinner nuk kishte ndërmend të mashtronte dhe se ekspozimi i tij ndaj clostebolit nuk dha ndonjë përfitim për rritjen e performancës dhe ndodhi pa dijeninë e tij për shkak të neglizhencës së anëtarëve të stafit të tij”, thuhet në komunikatë. Më tej, ajo sqaeon: “Megjithatë, sipas Kodit dhe në bazë të precedentëve të CAS, një sportist është përgjegjës për neglizhencën e stafit të tij. Bazuar në faktet unike të kësaj çështjeje, konsiderohet i përshtatshëm një pezullim tre mujor”.
Gjithsesi ishte me shumë rëndësi edhe fakti që Sinnerit nuk iu hoq asnjë rezultat gjatë kësaj periudhe, me italianin që sapo triumfoi në Grand Slamin e Australia Open vetëm pak javë më parë, duke u rikonfirmuar si nr.1 në botë.
Pezullimi i Sinner pushtoi faqet e para të gazetave më të rëndësishme në Itali, që i kushtuan një hapësirë të konsiderueshme marrëveshjes së tij me Wadan, që do ta mbaj larg tenisit nr 1 të botës për 3 muaj.