Ballina Kosovë Si 17 shkurti i vitit 2008 shënoi fundin e rrugëtimit të vështirë...

Si 17 shkurti i vitit 2008 shënoi fundin e rrugëtimit të vështirë të Kosovës

53
0

17 shkurti i vitit 2008 shënoi fundin e rrugëtimit të gjatë e të vështirë të Kosovës për shtetësi, si dhe fillimin e proceseve të tjera të rëndësishme për shtetin më të ri në botë. Rrugëtimi i Kosovës për mëvetësi kishte nisur prej dekadash.

Shqiptarëve, më 1989, iu hoq dhunshëm autonomia brenda ish-Jugosllavisë por ata refuzuan t’i nënshtroheshin regjimit të atëhershëm të Sllobodan Millosheviqit. Kështu, shqiptarët filluan krijimin e sistemeve paralele në disa fusha. Pati edhe protesta. Më pas, populli u organizua në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës e cila kishte për qëllim çlirimin e vendit nga regjimi i atij që njihet si Kasapi i Ballkanit.

Gjatë luftë në Kosovë, më 1998/99, mbi 800 mijë shqiptarë të Kosovës u dëbuan dhunshëm nga pronat e tyre, mbi 13 mijë civilë u vranë dhe mbi 6 mijë persona u zhduken me dhunë. Më shumë se 20.000 gra u dhunuan. Mbi 1.600 persona edhe sot janë të pagjetur. Lufta përfundoi në qershor të vitit 1999, pasi NATO nisi të bombardoi në mars të atij viti caqet ushtarake policore serbe.

Bombardimet zgjaten 78 ditë, Serbia kapitulloi dhe forcat e saj u detyruan të largoheshin nga Kosova. Më pas u miratua Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Vendi u vendos nën administrimin e përkohshëm të UNMIK-ut, Organizatës së Kombeve të Bashkuara, si dhe institucioneve vetëqeverisëse të Kosovës.

Gjithashtu u bë edhe vendosja e trupave paqeruajtëse ndërkombëtare në Kosovë. Paraprakisht u arrit Marrëveshja Teknike e Kumanovës e cila parashihte tërheqjen e të gjitha forcave serbe, si dhe hyrjen e trupave të NATO-s në Kosovë. Në vitin 2005 nisi procesi për statusin përfundimtar të Kosovës.

Dy vjet më vonë, më 2007, i dërguari i posaçëm ndërkombëtar për statusin e Kosovës, Martti Ahtisari e dorëzoi në Prishtinë, dhe në Beograd, propozimin e tij për pavarësinë e mbikëqyrur të Kosovës. Ky hap çoi në krijimin e shtetit më të ri në botë.

Më 17 shkurt 2008 në Kuvendin e Kosovës, në një seancë të jashtëzakonshme, Kosova u shpall shtet i pavarur, sovran dhe demokratik. Në seancë morën pjesë 109 deputetë, nga 120 sosh, dhe e nënshkruan Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës. Deputetët serbë nuk ishin pjesë e seancës historike.

Shpallja e Pavarësisë u bë nga kryeministri i atëhershëm, Hashim Thaçi.

Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Shqipëria, Franca e Turqia, ishin ndër vendet e para që njohën shtetin e Kosovës.