Ballina Politika Berisha: Çdo emigrant i rikthyer do jetë 5 vite pa taksa. Do...

Berisha: Çdo emigrant i rikthyer do jetë 5 vite pa taksa. Do ndihmohen me kredi të buta dhe grante

83
0

Kreu i PD Sali Berisha ka shpallur një program ambicioz për të ndihmuar emigrantët shqiptarë të rikthehen në vend dhe të kontribuojnë në zhvillim. Ai ka theksuar se një politikë e fortë është e nevojshme për të nxitur rikthimin e qindra mijëra shqiptarëve që kanë emigruar, shumë prej të cilëve kanë arritur sukses në vendet ku janë shpërngulur.

Në një deklaratë të tij, Berisha ka bërë të ditur se çdo emigrant që do të rikthehet në Shqipëri do të përfitojë një periudhë prej 5 vitesh pa taksa. Përveç kësaj, ai ka propozuar ofrimin e kredive të buta dhe granteve për start-upet, me qëllim që emigrantët të mund të investojnë kursimet e tyre dhe të kontribuojnë në zhvillimin e vendit. Berisha theksoi se për vitet 2009-2013, rreth 180 mijë emigrantë u rikthyen në Shqipëri dhe se tani është koha për të realizuar një “përmbysje” të shpejtë të situatës, duke nxitur rikthimin e më shumë shqiptarëve.

Ai ka pohuar se ky program për kthimin e emigrantëve është një nga objektivat kryesore të qeverisë së tij dhe se suksesi në këtë fushë do të jetë një barometër për realizimin e qëllimeve të tjera. Berisha gjithashtu ka theksuar rëndësinë e 11 majit si një moment kyç për të shpëtuar familjen shqiptare dhe për të ndaluar “zbrazjen” e vendit. Ai ka apeluar për mbështetje masive për këtë program, duke e konsideruar atë si një mundësi historike për Shqipërinë.

Pjesë nga fjala e Berishës:

Shqipëria ka nevojë shumë për një politikë që të nxisë, të rikthejë qindra mijëra që janë larguar nga ky vend.

Po! Këta qindra mijëra shqiptarë qëjanë larguar nga ky vend, ka prej tyre që janë të kualifikuar, ka prej tyre që janë biznesmenë, sot shumë të suksesshëm në ato vende. Të tjerë studiues, shkencëtarë, ekspertë, specialistë.

Por shumica dërrmuese e tyre janë punëtorë, njerëz të thjeshtë, të cilët rrinë në ato vende sepse marrin një rrogë më të mirë, paguhet më mirë puna e tyre. Punojnë në bujqësi, punojnë në punë të rënda, ndaj dhe ne do bëjmë gjithçka që ata të kthehen në Shqipëri.

Kursimet e tyre të kenë sukses në këtë vend.

Një periudhë prej 5 vitesh do jetë pa taksa.

Por nuk përbën vetëm kjo një masë për kthimin e tyre të butë në Shqipëri. Jo, duhen një seri masash të tjera.

Duhen kredi të favorshme, duhen grante për start-upet e tyre. Pra, në qoftë se në vitet 2009-2013 u rikthyen rreth 180 mijë emigrantë, ne duhet të bëjmë gjithçka për një përmbysje të shpejtë të situatës aktuale që të fillojë rikthimi i tyre.

Programi në këtë fushë, ose suksesi i programit tonë në këtë fushë, është dhe barometri më kryesor i arritjes së objektivave të qeverisë sonë të ardhshme.

Por nga ana tjetër, fitorja e 11 majit është e një rëndësie jetike vendimtare pikërisht për të shpëtuar familjen shqiptare dhe zbrazjen e këtij vendi në mënyrën më të paimagjinueshme.

Edhe kombet e tjera jetojnë me diferenca nga kombet e pasura, edhe ato kanë të njëjtat standarde për lëvizjen në Europë, por asnjë komb si ne nuk po pakësohet, nuk po shkretohet në kuptimin e vërtetë të fjalës.

Është vendimtare që kjo periudhë gjer në zgjedhje, në emër të këtyre vlerave që besojmë, të familjes shqiptare dhe shpëtimit të saj, të bëjmë gjithçka me shqiptarët në Shqipëri dhe jashtë vendit, që 11 maji të jetë ditë e një fitoreje historike.