Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja përshëndeti sot vendimin e Komisionit të Ankimeve dhe Sanksioneve pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për vijimin e procedurave parlamentare në miratimin e projektligjit “Për Paketën e Maleve”.
Gonxhja theksoi se ky vendim konfirmon qartësisht se propozimi i MEKI dhe i Ministrisë së Shtetit për Pushtetin Vendor, është në përputhje të plotë me dispozitat e Kodit Zgjedhor dhe nuk bie ndesh me legjislacionin e zbatueshëm në fuqi.
“Jemi të lumtur që nisma ligjore e ndërmarrë nga MEKI për miratimin e këtij projektligji dhe zbatimin e tij, do të vijojë pa vonesa, duke garantuar qasje të qëndrueshme për zhvillimin dhe mbrojtjen e zonave malore, bazuar në standarde dhe praktika më të mira”, tha Gonxhja.
Me shumicë votash, Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve pranoi sot ankimimin e Kuvendit të Shqipërisë dhe vendosi shfuqizimin e pikës 2 të vendimit të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, në të cilën i rekomandohet Kuvendit të Shqipërisë të mos përfshijë për shqyrtim në seancë plenare projektligjin “Për paketën e maleve”.
“Paketa e maleve” synon mbështetjen për investime në zonat malore, duke inkurajuar banorët vendas të investojnë në tokat e tyre.
Krahas zhvillimit të qëndrueshëm të ekonomisë rurale, “Paketa e maleve” do të ketë ndikim në promovimin e produkteve “Made in Albania”, si dhe do të sjellë zgjerim të hartës turistike.