Ballina Aktualitet KAS rrëzon Celibashin për “Paketën e Maleve”, Gonxhja: Propozimi i MEKI në...

KAS rrëzon Celibashin për “Paketën e Maleve”, Gonxhja: Propozimi i MEKI në përputhje me dispozitat e Kodit Zgjedhor

57
0

Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve në KQZ vendosi sot (19 shkurt) që të rrëzojë një vendimmarrje të mëparshme të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi, duke i hapur rrugë kështu Kuvendit për miratimin e nismës qeveritare “Paketa e Maleve”.

Për këtë vendim të KAS ka reaguar edhe Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, i cili thotë se ky vendim konfirmon se propozimi i MEKI dhe i Ministrisë së Shtetit për Pushtetin Vendor, është në përputhje të plotë me dispozitat e Kodit Zgjedhor.

Ministri Blendi Gonxhja thekson se nisma ligjore e ndërmarrë nga MEKI për miratimin e këtij projektligji dhe zbatimin e tij, do të vijojë pa vonesa.

“Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit përshëndet vendimin e Komisionit të Ankimeve dhe Sanksioneve pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për vijimin e procedurave parlamentare në miratimin e projektligjit “Për Paketën e Maleve”!

Ky vendim konfirmon qartësisht se propozimi i MEKI dhe i Ministrisë së Shtetit për Pushtetin Vendor, është në përputhje të plotë me dispozitat e Kodit Zgjedhor dhe nuk bie ndesh me legjislacionin e zbatueshëm në fuqi!

Jemi të lumtur që nisma ligjore e ndërmarrë nga MEKI për miratimin e këtij projektligji dhe zbatimin e tij, do të vijojë pa vonesa, duke garantuar qasje të qëndrueshme për zhvillimin dhe mbrojtjen e zonave malore, bazuar në standarde dhe praktika më të mira!”, shkruan ministri.

Kujtojmë që komisioneri, Ilirjan Celibashi në vendimmarrjen e tij konstatoi se nismat “prekin politika të rëndësishme fiskale, mund të krijojë perceptimin e përdorimit të mjeteve ligjore për qëllime elektorale” dhe në këtë kontekst i kërkoi Kuvendit që të mos i shqyrtonte.

Por, Kuvendi e ankimoi menjëherë vendimin e Celibashit në KAS, ku shumica e anëtarëve të këtij organizmi pranë KQZ-së argumentuan se vendimmarrja e Komisionerit është e pambështetur në ligj.