Ballina Rajoni Vuçiq u mbështet nga një vajzë e cila u prezantua si studente,...

Vuçiq u mbështet nga një vajzë e cila u prezantua si studente, por doli se ajo nuk ishte studente

85
0

Marina Stanisiq ishte e ftuar në TV Pink së bashku me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq dhe u prezantua si studente e Fakultetit Teknologjik-Metalurgjik të Universitetit të Beogradit.

Megjithatë, sot plenumi i studentëve të këtij fakulteti ka reaguar duke deklaruar se ajo nuk është studente e tyre.

Ata kanë bërë të ditur se Marina Stanisiq nuk është e regjistruar fare në këtë vit akademik në Universitetin e Beogradit.

“Plenumi i studentëve të Fakultetit Teknologjik-Metalurgjik të Universitetit të Beogradit në këtë mënyrë distancohet qartë dhe pa mëdyshje nga deklaratat e Marina Stanisiq, e cila është prezantuar rrejshëm si studente e Universitetit të Beogradit. E përmendura i ka filluar studimet në TMF në vitin 2022, por nuk është regjistruar për vitin akademik 2024/2025. Prandaj, pretendimi se Marina është studente, si e Fakultetit Teknologjik-Metalurgjik, ashtu edhe e Universitetit të Beogradit, nuk është i vërtetë”, kanë deklaruar ata në profilin zyrtar në Instagram.

Ata shtuan se është e qartë që qëndrimet e shprehura nuk pasqyrojnë qëndrimet e studentëve në bllokadë, por janë qëndrime personale për të cilat një individ ka të drejtë.

“Në këtë kuptim, Plenumi i studentëve të TMF-së nuk ka nevojë të distancohet më tej nga qëndrimet e përmendura. Theksojmë se askush nuk ka të drejtë të paraqitet rrejshëm si student i fakultetit tonë”, shtuan ata.

Stanisiq ishte e ftuar në këtë emision së bashku me profesorin e Fakultetit Juridik në Beograd, Vladan Petrov, dhe me studentin Milos Pavloviq.

Gjatë emisionit, në studio hyri edhe babai i saj, i cili i shtrëngoi duart me Vuçiqin dhe i tha së bijës “të përgëzoj ty dhe të gjithë studentët që nuk keni marrë para”.

Ndryshe, Marina Stanisiq para disa ditësh foli në tubimin e Vuçiqit me rastin e Sretenjës në Sremska Mitrovica. Edhe atëherë ajo u prezantua si studente e Fakultetit Teknologjik-Metalurgjik.