Dritan Taulla, zv. kryetari i KRIIK Albania ftuar në një studio televizive i konsideroi si “shqetësuese” deklaratat e kryeministrit Edi Rama se “SPAK nuk mund të survejojë partitë politike” gjatë fushatës ku do hetohet krimi zgjedhor.
Sipas tij synimi është delegjitimimi i punës së SPAK-ut. Taulla e konsideron si shumë pozitiv bashkërendimin e KQZ-së dhe SPAK-ut. Ai i konsideron si dy plagë mosdeklarimin e të ardhurave dhe financimet e partive, si dhe përdorimin e burimeve shtetërore në zgjedhje.
“Është një deklaratë shqetësuese dhe synon të deligjitimojë punën e SPAK-ut, bashkëpunimit mes KQZ-SPAK-ut dhe Policisë së Shtetit. Të gjitha këto hapa që po merren për të garantuar integritetin e zgjedhjeve i kemi parë si shumë pozitive. Është shqetësuese si deklaratë. Ne kemi lexuar strategjinë e SPAK-ut, udhëzimin e kryeprokurorit Çela, dhe s’kanë as më shumë e aq më pak se çfarë ligji kërkon. Janë brenda kompetencave.
Deklarata e kryeministrit e deformonte këtë, duke thënë se po survejohen partitë politike. S’e shohim kështu, partitë duhet të zbatojnë ligjin. Për sa kohë ka një fushatë normale s’ka arsye për të menduar që ka një survejim. Shohim si risi bashkërendimin mes KQZ-së dhe SPAK-ut. Insitucionet duket se janë në të njëjtën linjë, duke thënë që krimi zgjedhor është problem, dhe duhet të ketë bashkërendim që të funksionojë më mire.
SPAK-u do hetojë angazhimin e krimit të organizuar dhe zyrtarëve të lartë. Shohim si jashtëzakonisht pozitive hetimin e financimit dhe mosdeklarimit të të ardhurave, dhe përdorimin e burimeve shtetërore në zgjedhje, që kanë qenë dy plagë në vazhdimësi. Krimet zgjedhore të dëmtojnë vet sistemin demokratik. Është e çuditshme kjo deklaratë e kryeministrit. Pse e bën për SPAK-un dhe jo udhëzimin e Prokurorisë. Duket një qasje për të indimiduar dhe delegjitimuar punën e SPAK-ut”