Ballina Kronika I shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasje, bie në prangat e policisë...

I shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasje, bie në prangat e policisë Vladimir Kola

98
0

Është ekstraduar nga Gjermani, 42-vjeçari Vladimir Kola i shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasje.

Policia sqaron se Kola më datë 30 tetor të vitit 2022, në kompleksin “Kodra e Diellit”, në bashkëpunim me persona të tjerë, ka vrarë me armë zjarri Briken Sanajn. Bëhet me dije se gjykata ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armeve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Njoftimi i Policisë:

I akuzuar për vrasje me paramendim, në vitin 2022, ekstradohet nga Gjermania, 42-vjeçari i shpallur në kërkim ndërkombëtar.

42-vjeçari u arrestua në Gjermani, në muajin prill 2024, gjatë operacionit të koduar “Versus”, i finalizuar si rezultat i shkëmbimit të informacioneve mes Policisë së Shtetit dhe homologëve gjermanë.

Në kuadër të bashkëpunimit të Interpol Tiranës, me Interpol ëiesbaden, për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, është ekstraduar nga Gjermania në Shqipëri, shtetasi:

Vladimir Kola, 42 vjeç.

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin e datës 23.11.2022, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armeve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Ky shtetas dyshohet se më datë 30.10.2022, në kompleksin “Kodra e Diellit”, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, ka vrarë me armë zjarri shtetasin Briken Sanajt.

Vrasja e Briken Sanajt

Briken (Skerdilajd) Sanaj u qëllua më 30 tetor 2022. Fillimisht është raportuar se 39-vjeçarit i është marrë jeta si hakmarrje për plagosjen e kryer 10 vite më parë nga vëllai i tij, Antonio alias Renato Sanaj, e gjitha pas një sherri të nisur për një vajzë. Në atë kohë, Renato qëlloi dhe plagosi Gentian Kolën. Dy familjet në Lezhë u futën në gjak dhe tentativat për pajtim ishin të pasuksesshme. Për të shmangur atë që ndodhi, vëllezërit Sanaj kishin ikur nga Shqipëria dhe kishin nisur një jetë tjetër në Itali, por duket se nuk i kanë ikur dot hasmit. 

Autori i ngjarjes, Vladimir (Valmir) Kola, 39 vjeç, dyshohet se është takuar me bashkëpunëtorët e tij në një lokal në Lezhë. Ai është siguruar që të mos pikaset nga kamerat e sigurisë ku ka fikur DVR e kamerave të sigurisë.

Sipas burimeve, një person i afërm i Kolës ka vizituar disa herë vilën në zonën e “Kodrës së Diellit”, ku qëndronte Briken Sanaj. Besohet se dy persona nga Peja, i siguruan autorit makinën për vrasjen. Më pas autori ka shkuar për të studiuar terrenin duke përdorur taksi dhe mjet X5 gjatë këtyre udhëtimeve para vrasjes.

Ai ka arritur të fshehë pranë vilës, në zgavrën e një peme edhe armën e krimit që do ta përdorte më pas për ekzekutimin. Besohet se ndjekja e viktimës është kryer nga dy persona që lëviznin me mjetin tip “Audi” me targa spanjolle, të cilët u vunë pas viktimës që në Lezhë. Mjeti me targa spanjolle i përket pikërisht një anëtari të familjes Kola.

Sipas policisë, dy personat nga Peja bashkëpunëtor në krim kanë futur makinën në territorin e Shqipërisë dhe ia kanë vënë atë në dispozicion Kolës, i cili e ka përdorur për realizimin e vrasjes së Sanajt. Pas ngjarjes, autori i dyshuar e ka djegur automjetin, në rrugën dytësore Tiranë – Durrës, së bashku me armën e krimit dhe është arratisur.