Ballina Kulturë Kryetarja e Autoritetit të Dosjeve të Sigurimit të Shtetit rikonfirmon angazhimin për...

Kryetarja e Autoritetit të Dosjeve të Sigurimit të Shtetit rikonfirmon angazhimin për transparencë dhe drejtësi historike.

55
0

Nga arkivat e hapura te muzetë si Kampi i Tepelenës dhe Spaçi, ne ndriçojmë të kaluarën për një të ardhme më të drejtë.

Fjala e plotë e Dr. Gentiana Sula sot Konferencën Ndërkombëtare mbi Muzealizimin e Kujtesës

Të nderuar të pranishëm,

Mirë se ju gjej në këtë ngjarje të rëndësishme të Ditëve të Kujtesës! Ju falënderoj përzemërsisht për ftesën dhe për mundësinë që na jepet ne, si Autoriteti i Dosjeve të Sigurimit, për të ndarë me ju një hap të rëndësishëm drejt transparencës, edukimit dhe drejtësisë historike.

Rëndësia e punës sonë qëndron në përkushtimin për të ndihmuar hulumtuesit, historianët dhe të gjithë qytetarët të përvetësojnë një mori dokumentesh që dikur ishin të mbyllura: nga arkivat sekrete të hapura rast pas rasti, deri te ato të deklasifikuara dhe të zbardhura me qasje të papenguar. Këto dokumente, dikur të fshehura, sot ekzaminohen dhe ekspozohen për të ndriçuar të vërtetat historike dhe për të na mësuar nga e kaluara jonë.

Baza jonë ligjore buron nga Ligji nr. 45/2015 “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit”, i cili na ngarkon me detyrën për të ruajtur, administruar dhe bërë të arritshme këto dokumente për publikun, duke promovuar një kulturë edukimi të bazuar në njohjen e historisë.

Po ashtu, Ligji nr. 27/2018 “Për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë” na detyron të trajtojmë me respekt dhe përgjegjësi një pjesë të dhimbshme të së kaluarës, përmes hulumtimit dhe dokumentimit të vendvarrimeve të dyshuara dhe atyre të ekzekutimit, për të sjellë drejtësi historike dhe për të edukuar brezat e ardhshëm.

Së bashku me iniciativa publike dhe private për muzealizim – si ato të Kampit të Tepelenës, Spaçit, “Murit të Gjakut” dhe “Shtegut të Lirisë” – ne luajmë një rol bashkërendues për të sfiduar stereotipat e vjetër të narrativave të ngurta. Pa qasje në arkiva, këto narrativa kishin humbur besueshmërinë dhe nuk i shërbenin shoqërisë për reflektim.

Sot, Autoriteti ynë ka kaluar nga një qasje e “open access” në një infrastrukturë të “quick access”, duke lehtësuar jo vetëm qasjen fizike, por edhe atë dixhitale ndaj këtyre arkivave. Ky proces hap rrugën për një diskutim të shpejtë, të hapur dhe të plotë, ku çdo qytetar mund të kontribuojë në ndriçimin e historisë sonë.

Edukimi mbetet përparësia jonë kryesore – si për të rriturit, veçanërisht mësuesit, ashtu edhe për të rinjtë. Duke i integruar këto dokumente në kurrikulat shkollore, programe edukative për të rriturit, ture të specializuara dhe muzetë, ne po ndërtojmë një shoqëri të vetëdijshme për të kaluarën e saj. Një e kaluar e kuptuar mirë është çelësi për një të ardhme më të drejtë dhe demokratike.

Nuk mund të lë pa përmendur edhe bashkëpunimet tona ndërkombëtare. Përmes rrjeteve si ENRS, Rrjetit evropian te arkivave sekrete dhe partnerëve të tjerë seriozë jashtë vendit me të cilët prej 2017 shkëmbejmë përvoja, ide dhe programe.

Në kuadër të këtyre Ditëve të Kujtesës, nesër organizojmë një aktivitet ku do të prezantojmë modalitetet e bashkëpunimit me AIDSSH dhe pushtetit vendor, një hap tjetër drejt forcimit të këtyre përpjekjeve.

Në fund, dëshiroj të uroj nga zemra IDMC-në, e cila sot feston 10-vjetorin e platformës së kujtesës. Puna juaj ka qenë një frymëzim për ne të gjithë. Përkushtimi juaj ndaj ruajtjes dhe promovimit të kujtesës historike, në harmoni me standardet e transparencës të Bashkimit Evropian, të drejtave të njeriut dhe ligjit humanitar ndërkombëtar, na ka nxitur të përmirësohemi çdo ditë. Ju falënderojmë për kontributin tuaj të çmuar në edukimin dhe ndërgjegjësimin e shoqërisë sonë.

Le të vazhdojmë së bashku në këtë rrugë drejt një transparence më të madhe, duke e kthyer historinë tonë në një mësim të përjetshëm.
Ju faleminderit!