Gjykata e Fierit njofton se ka miratuar kërkesën për mbrojtje të posaçme të gjyqtarit Vladimir Cjapi dhe familjes së tij. Në njoftimin për mediat, thuhet se vendimi u mor në Këshillin për Mbrojtjen e Magjistratëve pas shqyrtimit të kërkesës së zv/kryetarit të gjykatës së Fierit, Noel Veizi.
“Gjykata e shkallës së parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier dënon aktin kriminal dhe i kërkon organit të akuzës hetimin, zbardhjen e ngjarjes dhe nxjerrjen para përgjegjësisë ligjore personat e përfshirë në kërcënimin e jetës së gjyqtarit Vladimir Cjapi. Shprehim bindjen se i gjithë opinioni publik ndodhet sot në krah të gjyqtarit Vladimir Cjapi, familjes së tij dhe gjykatës së Fierit”, thuhet në njoftimin për mediat të këtij institucioni.
Gjatë paradites së të enjtes, gjykata urdhëroi kontroll në banesën e Arben Isufajt, i njohur me nofkën Ben Qimja, një personazh kontrovers i botës së krimit i cili dyshohet se ka kanosur me jetë gjyqtarin e Gjykatës së Fierit, Vladimir Cjapi.
Isufaj, 55-vjeçar nuk ndodhej në shtëpi në momentin kur forcat speciale zbarkuan në Sheq të Madh dhe e rrethuan.