Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), në vijim të hetimeve për një procedim penal të vitit 2024, ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë për 4 punonjës policie të dyshuar për shkelje në proceset e prokurimeve publike.
Masat e sigurisë të vendosura për ta janë:
Haxhi Balla, ish-Shef i Sektorit Ekonomik në DVP Tiranë, aktualisht i vetëpunësuar – ndaj tij është vendosur masa “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, për dyshimet mbi shkeljen e barazisë në tendera dhe falsifikim dokumentesh.
Eni Tila (Xhaferi), Shefe e Sektorit të Kontabilitetit në DVP Tiranë – ndaj saj është vendosur masa “Pezullim i ushtrimit të detyrës” dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit”, për dyshime mbi shkeljen e barazisë në tendera.
Jaho Caushaj, Specialist i Sektorit Ekonomik në DVP Tiranë – ndaj tij është vendosur “Pezullim i ushtrimit të detyrës” dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit”, për dyshime mbi shkeljen e barazisë në tendera dhe falsifikim dokumentesh.
Islam Shehi, punonjës në Sektorin Ekonomik në DVP Tiranë – ndaj tij është vendosur masa “Ndalim i daljes jashtë shtetit”, për dyshime mbi shkeljen e barazisë në tendera.
Hetimet mbi këtë çështje po vijojnë, ndërsa materialet procedurale janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.