Policia e Shtetit, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, ka lokalizuar dhe arrestuar dy shtetas shqiptarë të shpallur në kërkim.
Në Gjermani u kap 21-vjeçari Danjel Lalaj, i akuzuar nga SPAK si pjesë e një grupi kriminal në trafikun e drogës, ndaj të cilit GjKKO kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” që prej vitit 2021. Sipas SPAK, Lalaj ishte pjesë e një grupi që mbolli 4000 bimë kanabisi në Pukë në vitin 2021. Grupi kriminal ku bënte pjesë dhe Lalaj, ka pasur edhe mbështetjen e strukturave të policisë së shtetit dhe strukturave vendore.
Ndërkohë, në Mbretërinë e Bashkuar u ndalua 25-vjeçari Bekim Çelaj, i cili ishte i kërkuar për kultivim të bimëve narkotike dhe armëmbajtje pa leje, me masë sigurie “Arrest në burg” që prej vitit 2022. Çelaj kishte mbjellë kanabis në Tropojë në vitin 2022. Parcela ku ishte kultivuar kanabisi, monitorohej me kamera sigurie, për ta ruajtur nga zbulimi i policisë.
-kapja në Gjermani, e shtetasit D. L., 21 vjeç, i lindur në Pukë, pasi GjKKO-ja, në vitin 2021, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal;
-kapja në Mbretëri të Bashkuar, e shtetasit B. Ç., 25 vjeç, i lindur në Tropojë, pasi Gjykata në vitin 2022, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.’, njofton policia.
Interpol Tirana po punon për finalizimin e procedurave të ekstradimit të tyre në Shqipëri.