Ballina Dossier Dëshmia “bombë” e revizorit të Ministrisë së Jashtme: Kur ambasadori pa shpenzimet...

Dëshmia “bombë” e revizorit të Ministrisë së Jashtme: Kur ambasadori pa shpenzimet e djalit të Mehmet Shehut, u sëmur. Gani Kodra tha “Kemi armë me vete dhe…”

63
0

Nga Dashnor Kaloçi

Vijon nga numrat e kaluar

Memorie.al / Plot 43 vite më parë, duke u gdhirë 18 dhjetori i vitit 1981, kryeministri shqiptar Mehmet Shehu, i cili e mbante atë funksion që nga viti 1953, u gjet i vdekur në dhomën e tij të gjumit (sipas versionit zyrtar, nga plumb “a” pistolete), në vilën ku banonte së bashku me familjen e tij, në hyrje të “Bllokut” të udhëheqjes së lartë të PPSH-së, fare pak metra nga godina e Komitetit Qendror të PPSH-së dhe gjithashtu vilës 31 të Enver Hoxhës. Edhe pse kanë kaluar më shumë se katër dekada nga ajo ditë, e konsideruar si një nga ngjarjet më të rënda dhe të bujshme gjithashtu të atij regjimi, ende dhe sot, nuk ka një version të qartë e të saktë, rreth asaj që ka ndodhur me ish-kryeministrin shqiptar, Mehmet Shehu, në mesnatën duke u gdhirë 18 dhjetori 1981! Por, edhe pse pas viteve ’90-të, janë bërë publike me dhjetëra dëshmi dhe dokumenta arkivore, lidhur me atë ngjarje, “vrasja apo vetëvrasja e Mehmet Shehut”, vazhdon të jetë objekt debatesh dhe diskutimesh të shumta, madje duke e mbështjellë edhe më shumë me mister, të vërtetën rreth saj!

Nisur edhe nga ky fakt, në kuadrin e publikimit të dhjetëra dëshmive dhe dosjeve me dokumente arkivore nga fondi sekret i ish-Sigurimit të Shtetit dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, apo dhe Komitetit Qendror të PPSH-së, që kemi botuar në këto tre dekada pas shembjes së regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia, gazeta ka siguruar dosjen voluminoze “të armikut dhe poli-agjentit Mehmet Shehu”, e cila është nxjerrë nga fondi sekret i ish-Sigurimit të Shtetit pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme (tashmë e de-klasifikuar dhe pjesë e fondit të Autoritetit për Informimin e Dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit), ku me ndonjë përjashtim të vogël, pjesa më e madhe e tyre, nuk e ka parë kurrë dritën e botimit dhe publikohen për herë të parë e të plota e me faksimilet përkatëse.

Në dosjen në fjalë, përveç dëshmive ne hetuesi të dëshmitarëve apo të pandehurve, gjenden të plota dhe akt-ekspertiza e grupit operativo-hetimor që u ngrit menjëherë që paraditen e 18 dhjetorit 1981, me në krye Koço Josifin, (kryetar i Hetuesisë së Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës), mjekët-ligjorë Dr. Fatos Hartito dhe Docent Bashkim Çuberi, mjekët e kryeministrit, Milto Kostaqi dhe Llesh Rroku, ekspertin kriminalist të Laboratorit Qendror Kriminalistik të Ministrisë së Brendshme, Estref Myftari, të asistuar nga funksionarët e lartë të asaj ministrie, zv/ministri Xhule Çiraku, kryetari i Drejtorisë së Hetuesisë në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Elham Gjika, zv/drejtori i Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës, Lahedin Bardhi.

Në këtë dosje, ndodhen edhe dëshmitë e familjarëve të ish-kryeministrit Mehmet Shehu, personelit të shërbimit dhe grupit të tij të shoqërimit, si dhe të gjitha personave të tjerë, që u thirrën dhe deponuan rreth asaj ngjarje.

Por, edhe pse kemi të bëjmë me dokumente arkivore, duhet theksuar se; duke e ditur se si ka funksionuar regjimi komunist i para viteve ’90-të, kurrsesi nuk mund të pretendojmë për vërtetësinë absolute rreth atyre çka shkruhet aty, pasi jo vetëm nga dëshmitarët dhe personat e pandehur, që kanë dhënë dëshmitë e tyre, por edhe nga disa prej hetuesve të kësaj çështje, (kryesisht pas viteve ’90-të), është bërë e ditur se ato janë marrë në trysni, presion, intimidim dhe tortura e dhunë fizike e psikologjike, madje duke shkuar më tej, ku disa prej hetuesve, i kanë shkruar vetë ato dhe dëshmitarët apo të pandehurit, vetëm sa kanë hedhur firmën aty.

Madje për disa prej të pandehurve të këtij procesi hetimor, konkretisht në rastin e Fiqret Shehut, pyetjet janë hartuar nga vetë Enver Hoxha personalisht (me shkrimin e tij) dhe u janë dërguar hetuesve, nëpërmjet ministrit të Brendshëm, Hekuran Isai (të cilat i kemi bërë publike me faksimilet përkatëse në shkrime të kaluara) dhe të gjitha këto, për të bërë të mundur “zbulimin e grupit armiqësor të poli-agjentit Mehmet Shehu”, me qëllim për të justifikuar vetëvrasjen e tij (sipas variantit zyrtar)!

Në këtë kontekst të paranojës së diktatorit Enver Hoxha, u arrestuan dhe u vunë në bankon e të akuzuarit; Kadri Hazbiu (ish-anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së dhe ministri Brendshëm e i Mbrojtjes), Feçor Shehu (ish-Drejtor i Sigurimit të Shtetit dhe ministër i Brendshëm), Nesi Nase (ish-ministër i Punëve të Jashtme), Llambi Ziçishti (ish-ministër i Shëndetësisë), Llambi Peçini (ish-kryetar i Degës së Ruajtjes dhe Sigurisë Fizike të udhëheqjes së lartë të PPSH-së), Elham Gjika (ish-kryetar i Hetuesisë së Ministrisë së Punëve të Brendshme), Gani Kodra (ish-kryetar i Degës së Ruajtjes dhe Sigurisë Fizike të udhëheqjes së lartë të PPSH-së dhe familjes së Mehmet Shehut), Kristofor Martiro (ish-hetues i “grupit armiqësorë të Beqir Ballukut”), Ali Çeno (ish-përgjegjës i grupit të shoqërimit të kryeministrit Mehmet Shehu), Xhavit Ismailaga (ish-berber i Hotel “Dajti”), Idriz Seiti (ish-kolonel i Sigurimit të Shtetit, kryetar në Degët e Punëve të Brendshme në Kukës e Lezhë dhe kryetar dege në Ministrinë e Brendshme, për ruajtjen, sigurimin dhe ekzekutimin e personave antiparti), Lirim Pëllumbi (ish-kryetar i Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Durrësit), Qamil Mane Islami (ish-kolonel në Drejtorinë e Kampeve dhe Burgjeve pranë Ministrisë së Brendshme), Duro Shehu (vëllai i Mehmet Shehut, ish-komisar në drejtorinë e Aviacionit Luftarak të Ministrisë së Mbrojtjes), Fiqret Shehu, bashkëshortja e Mehmet Shehut, me dy djemtë e tyre, Bashkimin dhe Skënderin, etj., etj.

Nga ky “grup armiqësor”, katër të parët (Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, Llambi Ziçishti dhe Llambi Peçini), u dënuan me vdekje dhe u pushkatuan, kurse të tjerët u dënuan me burgime të rënda, nga ku u liruan vetëm në vitin 1991, me përjashtim të Fiqret Shehut, e cila vdiq në burg në vitin 1987, në rrethana misterioze dhe ende të pazbardhura, si dhe djalit të madh të familjes Shehu, Vladimirit, që gjithashtu vdiq në rrethana misterioze ende të pazbardhura, në qytetin e Gramshit, (varianti zyrtar; vetëvrasje), ku ishte internuar me familjen e tij, në janarin e vitit 1982. Për më shumë rreth gjithë këtyre ngjarjeve, etj., na njohin dokumentet në fjalë, të cilat po i publikojmë së bashku me faksimilet dhe fotot përkatëse.

Vijon nga numri i kaluar

PROCES-VERBALI I MARRJES NË PYETJE TË FITNETE LAMI, KRYETARE E DEGËS SË ADMINISTRATËS TË MINISTRISË SË PUNËVE TË JASHTME, NGA ANA E HETUESVE TË MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME, FLORJAN KOLANECI DHE BASHKIM ASLLANI

PROCES-VERBAL

(I pyetjes së dëshmitarit)

Sot më datën 20.1.1983 në Tiranë

Ne, hetuesit e Ministrinë së Punëve të Brendshme, Florian Kolaneci dhe Bashkim Asllani, marrim në pyetje si dëshmitare, Fitnete Zini Lami, e datëlindjes 15 maj 1942, me arsim dy të lartë ekonomik, banuese në Lagjen Nr. 8, Rr. Pallatet “1 Maji”, Shkalla 24, Apartamenti 102, Tiranë, me detyrë kryetare e degës së administratës në Ministrinë e Punëve të Jashtme, anëtare e PPSH.

Hetuesi më paralajmëroi mbi përgjegjësinë penale, në bazë të nenit 202 të Kodit Penal, për dëshmi të rreme.

Dëshmitari

Fitnete Lami

Në lidhje me çështjen, mund të them si më poshtë: Unë jam kryetare e Degës së Administratës në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Deri në muajin nëntor të vitit 1982, kam pasur në drejtim, edhe sektorin e financës.

Në muajin gusht 1981, kam shkuar me shërbim sipas planit në Suedi, pranë ambasadës tonë në Stokholm dhe në disa shtete të tjera. Me mua ishte dhe Vojsava Rrokaj, llogaritare e parë pranë kësaj ministrie. Në Suedi sipas planit, do të bënim inventarin fizik dhe në vlerë të gjithë pajisjeve të ambasadës dhe kontroll financiar për të gjithë aktivitetin e ambasadës, për periudhën janar-korrik 1981.

Para se të niseshim, u takuam edhe me armikun Nesti Nase, që në atë kohë ishte ministër i Punëve të Jashtme, përveç porosive të zakonshme, nuk na dha ndonjë gjë me rëndësi. Gjatë kontrollit që bëmë në Suedi, për aktivitetin financiar të ambasadës tonë atje, konstatuam se kishte tejkalim në zërin “shpenzime për udhëtime e dieta dhe për pritje e përcjellje”.

Nga faturat delte se këto shpenzime, ishin bërë për udhëtime në shtete të ndryshme të Europës, për pritje personash dhe dhënie dreka e darka, etj., e i përkisnin Gani Kodrës dhe një personi me emrin Arjan Bogova. Më pas, bile tani vonë kam mësuar, se ky ishte djali i armikut Mehmet Shehu, i quajtur Skënder Shehu.

Për këto shpenzime të paligjshme, ne bëmë akt-kontrollin dhe një kopje ja lamë ambasadorit dhe një e morëm për vete. Gjatë kontrollit, ne gjetëm dhe një akt-kontroll të mëparshëm, me po të njëjtat shkelje, akt që ishte përpiluar nga revizori, Androkli Andoni. Sipas rregullit, kur u ktheva në Tiranë, unë bëra informacionin përsa sipër dhe bashkë me aktin e kontrollit, ja kaluam nëpërmjet zëvendësministrit, armikut Nesti Nase.

Ai kur e pa, vetëm sa e sigloi dhe nuk tha gjë. Më pas në një rast, unë dhe Androkli Andoni, i thamë Nesti Nases për këto tejkalime fondesh të paligjshme në Suedi, por ai tha duke ngritur supet; “këtë problem, mos e diskutoni fare”!

Më kujtohet një rast, kur unë për një kohë të gjatë kam refuzuar që të firmosja urdhër-xhirimin agjencisë ajrore për biletat e dy personave, midis tyre dhe Skënder Shehu. Më në fund, armiku Nesti Nase, lëshoi urdhër me shkrim për t’u likuiduar këto bileta dhe unë firmosa urdhër-xhirimin.

Armikut Nesti Nase, i kemi bërë prezent edhe shkelje të tjera financiare, si në Austri, për problemin e harxhimit të parave për nevoja familjare që “për pritjen e një miku”. Po kështu edhe në Itali për disa ilaçe, në Paris për Misto Treskën, etj., dhe ai nuk merrte asnjë masë, edhe pse ne i bëmë informacionin!

Proces-verbalin e lexova, thëniet e mija janë shkruar drejt, e nënshkruaj.

Dëshmitaria Hetuesit

Fitnete Lami Bashkim Asllani Florian Kolaneci

PROCES-VERBALI I MARRJES NË PYETJE TË ANDROKLI ANDONI, REVIZOR NË MINISTRINË E PUNËVE TË JASHTME, NGA ANA E HETUESIT TË MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME, BASHKIM ASLLANI

PROCES-VERBAL

(I pyetjes së të pandehurit)

Sot më datën 20.1.1983 në Tiranë

Unë, Bashkim Asllani, hetues në Ministrinë së Punëve të Brendshme, marr në pyetje si dëshmitar, Androkli Taqo Andoni, i datëlindjes 1932, me arsim të mesëm, me banim lagja Nr. 8, Rruga “Gjik Kuqali”, Pallati 34/1, Tiranë, me detyrë revizor në Ministrinë e Punëve të Jashtme, anëtare i PPSH, i padënuar.

Hetuesi më paralajmëroi mbi përgjegjësinë penale, në bazë të nenit 202 të Kodit penal, për dëshmi të rreme.

Dëshmitari

Androkli Andoni

Në lidhje me çështjen, mund të them si më poshtë: Jam punonjës i Ministrisë së Punëve të Jashtme, me detyrë revizor. Në muajin dhjetor 1980, kam shkuar me shërbim në Suedi, pranë ambasadës tonë në Stokholm, për të bërë kontroll, mbi aktivitetin financiar të ambasadës.

Gjatë kontrollit, konstatova se kishte tejkalim fondesh, për pritje përcjellje dhe udhëtime e dieta. Këto shpenzime, sipas faturave, dilnin se ishin bërë nga Gani Kodra, nganjëherë dilte edhe emri i Arjan Bogovës, i cili ishte i biri i Mehmet Shehut, Skënder Shehu. Më mirë mund të them, se këto shpenzime i takonin grupit të Gani Kodrës, se shpenzimet në emër të tij bëheshin. Për të gjitha shpenzimet, unë bërë akt-kontrollin dhe ngarkova me përgjegjësi ambasadorin Dhimitër Lamani, për shkelje të disiplinës financiare. Dhimitri kur pa aktin, u shqetësua shumë, u sëmur.

Kur vajta sipas kërkesës së tij, shkova e takova, qe shumë i tronditur dhe më tha i kam bërë me urdhër të ministrit të Punëve të Jashtme, me telegram, por sipas rregullit, ata nuk i ruajnë, por i asgjësojnë.

U detyrova dhe rihapa postën, dhe bëra disa ndryshime në faqen e fundit, për përgjegjësinë e titullarit. Kur u ktheva, i shkova në zyrë Nesti Nases, dhe i raportova, si për shkeljet dhe për qëndrimin dhe shqetësimin e ambasadorit. Nesti më tha; po, e mora vesh, ishte tronditur shumë!

Unë i thashë se atje ka shumë shpenzime të kota, shëtitje, dreka e darka, etj., duke ja numëruar të gjitha shkeljet. I dhashë edhe akt-kontrollin. Përsëri, Nesti më tha; i di të gjitha këto, shpenzime, por s’kemi ç’bëjmë, duheshin bërë dhe me kaq e mbylli këtë muhabet. Di që më pas erdhi Dhimitër Lamani dhe u takua me Nesti Nasen, por se për çfarë biseduan, nuk e di.

Siç e thashë, djali i Mehmet Shehut, Skënder Shehu, bënte shëtitje në shumë vende të Europës, si Francë, Gjermani, Jugosllavi, etj., dhe gjithmonë udhëtonte në mjete të klasit të parë. Bile në një rast i thashë Ganiut; pse udhëtoni klasi i parë? – E do puna – më tha, – se kemi armë me vete. Nesti Nase i dinte të gjitha këto shpenzime të kota dhe me gjithë informimet që i kam bërë, nuk ka marrë asnjë masë!

Më kujtohet në vitin 1980, Skënder Shehu erdhi nga Stokholmi në Paris, me gjithë Gani Kodrën. Mora vesh se si Skënderi dhe Ganiu, zunë vend në një nga hotelet më të shtrenjtë të Parisit. Në hotelin “Niko”. Kur takova Ganiun, i thashë; pse zutë vend në hotelin më të shtrenjtë, këtu ka Shtëpi Pritje?! Ai u justifikua, se gjoja nuk kishte vend.

Proces-verbalin e lexova, thëniet e mija janë shkruar drejt, e firmos. Memorie.al