Identifikohet, kapet dhe vihet në pranga autori i 3 vjedhjeve të kryera gjatë javës së fundit.
Menjëherë pas kallëzimeve për vjedhje në disa banesa dhe subjekte, shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës kanë organizuar punën për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të autorit të këtyre rasteve.
Nga veprimet hetimore u identifikua dhe u vu në pranga shtetasi P. P., 43 vjeç, banues në Durrës, i cili dyshohet se më datë 14.02.2025, ka vjedhur disa pajisje në një biznes, në lagjen nr. 18, ndërsa më datë 19.02.2025, ka vjedhur vegla pune në një automjet që i ka thyer xhamin, në lagjen nr. 1, si dhe në një banesë në Porto Romano.
Vijojnë hetimet për të dokumentuar me prova ligjore, vjedhje të tjera që mund të ketë kryer 43-vjeçari.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.