Humbjet e Bankës Qendrore Europiane u rritën në nivel rekord 7.9 miliardë euro vitin e kaluar, pasi pagesat e normave të interesit për detyrimet financiare të bankës, u rritën si rezultat i vendimit të saj për të rritur kostot e huamarrjes. Humbjet për vitin 2024 pasqyrojnë ndikimin e normave më të larta të interesit, të cilat BQE i rriti në nivel rekord, në përgjigje të rritjes më të madhe të inflacionit në historinë e bankës.
BQE tha se humbjet nuk kishin ndikim në stabilitetin apo politikën monetare të bankës. Ajo shtoi se priste që viti i kaluar të shënonte kulmin e humbjeve dhe parashikonte një kthim të fitimeve gjatë viteve të ardhshme. Që nga qershori, BQE uli normën bazë të depozitave nga 4 në 2.75 dhe tregjet presin ulje të mëtejshme këtë vit. Në vitin 2023, BQE njoftoi humbjen e parë vjetore për gati dy dekada, të cilën e kompensoi kryesisht duke përdorur një provizion risku.
Humbjet do të kufizojnë pagesat e mëvonshme për bankat qendrore kombëtare, pasi fitimet e ardhshme fillimisht do të përdoren për të balancuar humbjet e kaluara. Midis 2005 dhe 2021, ajo gjeneroi 25.3 miliardë euro fitime dhe pagoi 17.2 miliardë euro për bankat qendrore kombëtare në Eurozonë.
Bankat qendrore kombëtare paguajnë pjesë ose të gjitha fitimet e tyre për qeveritë kombëtare, duke rritur buxhetin vjetor. Për shembull, Bundesbank gjermane ndërmjet viteve 1980 dhe 2019 dërgoi dhjetëra miliarda euro për Ministrinë e Financave të vendit. Pagesa të tilla përfunduan pas një transferimi prej 5.9 miliardë eurosh në 2019, pasi provizionet dhe humbjet e riskut fshinë çdo fitim të Bundesbank.
Llogaritë treguan gjithashtu se rritja e çmimit të arit rriti vlerën e rezervave të arit të BQE-së me 10 miliardë euro në 41 miliardë euro, ndërsa rezervat e saj valutore u rritën 9 % në 60 miliardë euro. Si pasojë, kapitali neto i bankës qendrore u rrit 12 % në 50 miliardë euro, pavarësisht nga humbjet neto prej 7.9 miliardë eurosh.
Humbjet e BQE-së në 2023 dhe 2024 rrjedhin nga blerjet e saj të aktiveve në shkallë të gjerë deri në vitin 2022. Ndërsa bilanci i saj është tkurrur 18 % që nga viti 2022 me maturimin e obligacioneve, ajo ende ka 377 miliardë euro letra me vlerë në bilancin e saj. Të blera gjatë një periudhe me norma historike të ulëta interesi, këto obligacione priren të kenë maturime të gjata dhe të gjenerojnë yield-e të ulëta.
BQE nuk i bleu drejtpërdrejt obligacionet, por bankat qendrore kombëtare e bënë këtë me urdhër të saj. Kjo rezultoi në qindra miliarda detyrime të BQE-së ndaj bankave qendrore kombëtare, për të cilat institucioni qendror duhet të paguaë interes. Ky detyrim interesi u rrit kur BQE rriti normat e politikës monetare./ Monitor