Ballina Rajoni Kontrolli i përbashkët kufitar mes Kosovës dhe RMV-së, ja kur pritet të...

Kontrolli i përbashkët kufitar mes Kosovës dhe RMV-së, ja kur pritet të nisë

48
0

Ministri i Punëve të Brendshme i Maqedonisë së Veriut, Pançe Toshkovski, ka njoftuar se në prill të këtij viti do të fillojë funksionimi i sistemit të kontrollit të përbashkët kufitar, i njohur si “One Stop Shop”, në pikën e Bllacës, që lidh Maqedoninë e Veriut me Kosovën.

Sipas Toshkovskit, ky sistem do të thjeshtojë procedurat kufitare, duke lejuar që qytetarët e të dyja vendeve të kontrollohen nga një polic i vetëm doganor, duke reduktuar “kohën e pritjes dhe duke lehtësuar kalimin e kufirit mes dy shteteve”.

“Në kuadër të një platforme të përbashkët ‘cloud’, të dhënat ndahen mes dy ministrive përkatëse, me qëllim që të mundësohet hyrja e qytetarëve të Kosovës në Maqedoninë e Veriut dhe anasjelltas, vetëm përmes konstatimit nga një zyrtar policor”, tha Toshkovski.

“Shpresoj që do të përfundojë muajin e ardhshëm dhe më së voni, gjatë muajit prill do të fillojmë me vënien zyrtarisht në funksion”, shtoi ai.

Këto deklarata ministri i bëri të premten, gjatë një vizite në pikën kufitare të Bllacës, së bashku me zëvendëskryeministrin e parë, Izet Mexhiti, dhe homologun e tij nga Kosova, ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Sveçla, në anën tjetër, shprehu pritshmëri që faza testuese të përfundojë sa më shpejtë.

“Për qytetarët e të dyja vendeve është shumë me rëndësi që kalimi të jetë sa më i shpejtë. Për organet e shtetit është që ato të jenë sa më të sigurta. Patjetër se ne po i shfrytëzojmë të arriturat e fundit të teknologjisë që të zvogëlojmë burokracinë, por jo në kurriz të sigurisë, por në të mirë të kohës së qytetarëve”, tha Sveçla.

Pika kufitare në Bllacë është përballur kohët e fundit me kolona të gjata në të dy anët e kufirit. Procesi për krijimin e pikave të përbashkëta kufitare ka filluar në qershor të vitit 2024. Në të njëjtën pikë, më 15 shkurt, u arrestua edhe një shtetas nga Kosova, sipas një fletarrestimi ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia përmes INTERPOL-it.