Ballina Politika Mitingu i Ramës në shesh nën akuzë, PD e çon çështjen në...

Mitingu i Ramës në shesh nën akuzë, PD e çon çështjen në KQZ

50
0

PD ka denoncuar në KQZ mitingun e kryeministrit Rama me punonjësit e administratës në sheshin Skënderbej, me argumentin se është kryer krim zgjedhor dhe është shkelur ligji elektoral që ndalon përdorimin e administratës publike në mbështetje të subjekteve zgjedhore.

Po kështu, PD ka denoncuar edhe bonuesin elektoral të pranverës për pensionistët duke theksuar se përbën veprimtari të ndaluar dhe cenon barazinë në garën e 11 majit. Denoncimet janë depozituar nga përfaqësuesi ligjor i PD në KQZ, Franci Nuri, i cili kërkon hetim administrativ dhe marrjen e masave për shkelësit e ligjit.
PD ka depozituar në KQZ 2 denoncime për shkeljen e ligjit zgjedhor nga kryeministri Edi Rama: mitingun me punonjësit e Bashkisë në sheshin Skënderbej dhe bonuesin elektoral të pensionistëve.

Në kërkesën e depozituar në KQZ nga përfaqësuesi ligjor i PD-së, Franci Nuri, theksohet se në mitingun e organizuar në sheshin kryesor të kryeqytetit me administratën publike është konsumuar krim i rëndë zgjedhor dhe në shkelje të ligjit që ndalon përdorimin e burimeve publike në mbështetje të subjekteve zgjedhore.

Qëllimi për të cilin u thirrën dhe u përdorën punonjësit e administratës publike është i jashtëligjshëm dhe lidhet me mobilizimin e votave për zgjedhjet për Kuvend të datës 11 maj. Partia Demokratike denoncon ashpër këto veprime antiligjore dhe tepër të rrezikshme nga ana e kryeministrit.

Administrata nuk është në funksion të kryeministrit, as të organizimeve të tij me karakter politik dhe propagandistik. Përdorimi i administratës publike për qëllime politike sjell pasoja serioze për demokracinë dhe funksionimin e institucioneve shtetërore.

Dyshojmë se kryeministri mund të përdorë autoritetin e tij për të emëruar persona të besuar politikisht në pozita të larta në administratën publike, pavarësisht aftësive dhe kualifikimeve të nevojshme për të përmbushur detyrat e tyre.

Po kështu, PD ka denoncuar edhe bonuesin e pranverës për pensionistët, me argumentin se nxjerrja e akteve që synon dhënien e përfitimeve për kategori të caktuara të popullsisë duke përdorur burime publike përbën veprimtari të ndaluar, në shkelje të Kodit Zgjedhor.

Partia Demokratike ngre shqetësimin dhe dyshimin se miratimi i këtyre akteve, të cilat i drejtohen një kategorie të gjerë personash, siç janë pensionistët, të cilët përfaqësojnë mbi 650.000 shtetas, është një tentativë për të përfituar votat e tyre.

Kjo praktikë u ndoq nga qeveria e Edi Ramës edhe në 2023, në zgjedhjet vendore. Ne si opozitë e denoncuam me forcë një praktikë të tillë në atë kohë, madje kjo mori vëmendje edhe në raportin e OSBE-ODIHR.

Vendimet që merren gjatë periudhës zgjedhore duhet të jenë të bazuara në nevoja të qarta dhe të arsyeshme, pa pasur ndikime të drejtpërdrejta nga procesi zgjedhor.

Për këto arsye, vlerësojmë se kjo VKM, përveçse është nxjerrë në shkelje flagrante të nenit 91/4 të Kodit Zgjedhor dhe vendimit nr. 9/2020 të Komisionit Rregullator, qëllimi për të cilin është nxjerrë para fushatës zgjedhore është tërësisht politik dhe lidhet me zgjedhjet për Kuvend të datës 11 maj 2025.

Në këto kushte, Partia Demokratike kërkon nga ana e institucionit tuaj marrjen e masave të menjëhershme për personat që janë të përfshirë në këtë ngjarje. Personat të cilët kanë shkelur ligjin duhet të mbajnë përgjegjësi ligjore.

Për të dyja shkeljet, PD kërkon hetim administrativ dhe marrjen e masave nga ana e KQZ ndaj veprimeve antiligjore të qeverisë.