Lumi Ishëm, i cili formohet nga bashkimi i Lumit të Tiranës dhe përrenjve Tërkuza e Zeza, po përballet me një ndotje masive që ka prekur të gjitha zonat përreth tij, duke u kthyer në një problem serioz mjedisor dhe shëndetësor. Në zonën e Rinasit dhe Dervenit, situata është alarmante, pasi përgjatë brigjeve të lumit janë grumbulluar sasi të mëdha mbetjesh urbane, kryesisht plastike, duke e shndërruar lumin në një landfill të hapur. Përveç mbetjeve të hedhura nga qytetarët, ndotja rëndohet edhe nga shkarkimet e fabrikave të zonës, të cilat derdhin mbetjet kimike dhe bakteriologjike direkt në ujë.
Banorët e fshatrave pranë lumit Ishëm e kujtojnë me nostalgji kohën kur ky lumë ishte burim uji i pastër dhe përdorej për vaditjen e tokave. Sot, ata shprehen të shqetësuar për ndikimin e ndotjes në jetën e tyre të përditshme, duke theksuar se uji jo vetëm që nuk mund të përdoret më, por ka filluar të kthehet në një kërcënim për shëndetin e tyre. “Në kohën e komunizmit, uji i lumit ishte aq i pastër sa mund të laheshim në të dhe të shihnim gurët në fund. Sot, ai është i mbushur me bidonë plastikë dhe vjen erë e padurueshme,” shprehet një nga banorët.
Përveç rrezikut për komunitetin lokal, ndotja e lumit Ishëm ka një ndikim të drejtpërdrejtë edhe në detin Adriatik. Ujërat e zeza dhe mbetjet kimike që derdhen në lumë transportohen drejt bregdetit, duke rrezikuar plazhet e Durrësit, të cilat ndodhen vetëm pak kilometra larg grykëderdhjes së tij. Flora dhe fauna e lumit janë zhdukur pothuajse plotësisht, ndërsa banorët bëjnë thirrje për ndërhyrje urgjente nga institucionet shtetërore.
Në vitin 2019, Ministria e Mjedisit dhe Turizmit hartoi një dokument të quajtur “Vlerësimi Strategjik Mjedisor për Grykëderdhjen e Ishmit”, ku parashikoheshin masa për trajtimin e ujërave të ndotura dhe menaxhimin e mbetjeve urbane. Megjithatë, ky masterplan ka mbetur vetëm në letër dhe asnjë veprim konkret nuk është ndërmarrë deri më tani.
Banorët i bëjnë thirrje qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama që të ndërhyjnë sa më parë për të shpëtuar lumin Ishëm nga degradimi i mëtejshëm. Ata theksojnë se pa masa të menjëhershme për pastrimin dhe rehabilitimin e tij, ndotja do të vazhdojë të përkeqësohet, duke rrezikuar jo vetëm komunitetet lokale, por edhe gjithë ekosistemin përreth.