Ballina Politika ‘Po përpiqemi për të bashkuar pjesët që na u ndanë’, Çollaku komenton...

‘Po përpiqemi për të bashkuar pjesët që na u ndanë’, Çollaku komenton Primaret në PD: Hap i rëndësishëm

65
0

Kreshnik Çollaku ka analizuar procesin e primareve në Partinë Demokratike, duke e cilësuar këtë si një moment pjekurie për forcën kryesore opozitare. Ai theksoi se PD duhet të kapërcejë ndasitë e brendshme dhe të paraqitet si një parti e bashkuar përballë mazhorancës.

Sipas tij, koha e harxhuar për primaret mund të ishte përdorur më mirë për të bërë opozitë ndaj kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij. “Jemi në një situatë ku me përpjekje të jashtëzakonshme po mundohemi të bashkojmë pjesët që na janë ndarë dhe të shkojmë në zgjedhje me një front të bashkuar,” u shpreh ai.

Çollaku paralajmëroi se nëse primaret perceptohen si një luftë brenda llojit, atëherë ky proces mund të kthehet në një rrezik serioz për suksesin e PD në zgjedhjet e ardhshme. “Duhet një proces i pjekur politikisht. Në vend që të jemi në një fushatë me kundërshtarin, po merremi me njëri-tjetrin,” theksoi ai, duke nënvizuar rëndësinë e unitetit brenda partisë.

Pavarësisht sfidave, Çollaku e konsideron primaret një hap të rëndësishëm për demokratizimin e PD-së, por shtoi se fokusi kryesor duhet të mbetet beteja kundër qeverisë dhe jo përplasjet e brendshme.