Normat e interesit të kredisë për shtëpi pësuan rënie vitin e kaluar, duke mbështetur zgjerimin e kreditimit në këtë segment. Sipas statistikave nga Banka e Shqipërisë, norma mesatare e interesit të portofolit të kredisë për blerje banesash nga individët në monedhën lekë në dhjetor të vitit të kaluar ishte 4.52%, nga 4.85% që kishte qenë një vit më parë.
Gjithashtu, norma mesatare e interesit të kredive për shtëpi në dy muajt e fundit të 2024 ishte më e ulëta në dy vitet e fundit. Vitin e kaluar, inflacioni pësoi një rënie të ndjeshme, duke sjellë një ndryshim të kursit të politikës monetare dhe uljen e normës bazë të interesit dy herë gjatë vitit, deri në nivelin 2.75%. Ulja e normës bazë, por edhe gjendja e lartë e likuiditetit në treg u përcollën edhe në yield-et e titujve të qeverisë shqiptare dhe më tej në normat e interesit të kredisë për sektorin privat.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, vitin e kaluar sektori bankar disbursoi 379.8 miliardë lekë kredi të reja, në rritje me 19% krahasuar me vitin 2023. Sipas monedhës, rritja e kredisë edhe vitin e kaluar u mbështetet sidomos nga financimet në monedhën vendase. Portofoli i kredisë në lekë vitin e kaluar u rrit me 14.3% dhe përbënte 56.2% të portofolit të kredisë për ekonominë, nga 55.2% që zinte një vit më parë.
Shifrat e rritjes janë edhe më të larta në segmentin specifik të kredisë për shtëpi. Kredia e re për blerje banesash arriti rekordin e ri historik prej 54.9 miliardë lekësh ose rreth 545 milionë eurosh, të llogaritura me kursin mesatar të vitit të kaluar. Kredia e re për banesa u rrit me 13% krahasuar me vitin 2023.
Vlera e portofolit aktiv ose tepricës së kredisë për shtëpi në fund të vitit 2024 arriti në pothuajse 208.7 miliardë lekë, me një rritje vjetore prej 15.5%. Ritmet e rritjes të portofolit të kredisë janë rritur ndjeshëm krahasuar me nivelin prej 6.3% të vitit të mëparshëm.
Ndërkohë, norma mesatare e interesit të portofolit të kredisë për blerje banesash në euro për dhjetorin 2024 ishte 5.26%, pa ndryshime të mëdha nga niveli prej 5.23% i dhjetorit 2023. Vitin e kaluar, edhe Banka Banka Qendrore Europiane nisi uljen e normave të interesit, duke ndikuar treguesit referues të tregjeve (Euriborin) dhe duke u reflektuar edhe në frenimin e rritjes së normave të interesit të kredive.
Diferenca mes normës mesatare të interesit për kreditë në Euro dhe ato në Lekë në fund të vitit 2024 arriti në 0.74 pikë përqindje, duke u thelluar krahasuar me nivelin prej 0.19 pikë përqindje të një viti më parë.
Historikisht, normat e interesit për kreditë në Euro kanë qenë më të ulëta se ato në lekë, duke reflektuar sidomos normat më të ulëta që ka aplikuar Banka Qendrore Europiane. Por, pas vitit 2023 raportet ndryshuan, pasi Banka Qendrore Europiane ndërmori një rritje agresive të normave të interesit deri në nivelin maksimal historik prej 4.5%./ Monitor