Kryetarja e Partisë Demokratike dhe njëkohësisht kryetare e Komisionit të Çështjeve Europiane, Jorida Tabaku, ka kërkuar sot publikimin e procedurave negociuese menjëherë pas miratimit të tyre, duke theksuar nevojën për më shumë transparencë dhe përfshirje të shoqërisë civile në procesin e integrimit europian.
Gjatë mbledhjes së Komisionit të Çështjeve Europiane, Tabaku vuri në dukje se çdo ditë ajo merr dhjetëra kërkesa për informacion nga shoqëria civile, por mungesa e aksesit në dokumentet negociuese po e pengon zhvillimin e një debati të informuar dhe të plotë.
“Ne i diskutuam në një mbledhje të mbyllur se cilat ishin çështjet që nuk publikohen, por për transparencë të këtij procesi, e përsëris edhe një herë kërkesën për nisjen e një dialogu gjithëpërfshirës me të gjitha palët. Ky nuk është një proces që mund ta kryejë vetëm një ministri apo një administratë, por është një proces kombëtar,” – deklaroi Tabaku.
Ajo kritikoi faktin që tryezat e partneritetit të organizuara nga qeveria shpesh nuk janë efektive dhe se sugjerimet e shoqërisë civile nuk reflektohen në roadmap-et e vendosura online.
“Ne duhet ta kthejmë këtë nga një diskutim me dyer të mbyllura në një debat me dyer të hapura. Pas mbledhjes së fundit kam marrë dhjetëra kërkesa nga anëtarët e shoqërisë civile të Këshillit Kombëtar të Integrimit për të zhvilluar një debat për këtë çështje. Por unë nuk mund të bëj debat pa përmbajtje, kur përmbajtja nuk mund të diskutohet,” – theksoi ajo.
Tabaku siguroi se Partia Demokratike do të vazhdojë të insistojë për më shumë transparencë në procesin e integrimit dhe për përfshirjen e të gjitha grupeve të interesit në këtë fazë vendimtare për të ardhmen europiane të Shqipërisë.