Një ndërhyrje e veçantë kirurgjikale ringriti në këmbë një 58 vjeçar që humbi të ecurën për shkak të një problemi në shtyllën kurrizore. Një hernie diskale torakale të kalcifikuar. Operacioni u krye nga mjekët e Qendrës Spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë përmes mushkërive, procedurë që e realizuan për herë të parë.
“Vendosëm me një ekip të përbashkët multidisiplinar të kryejmë një heqje të hernies me rrugë transtorakale. Kjo ishte hera e parë për hernie diskale torakale. Me rrugë konvencionale ajo nuk mund të hiqej. Mund të kishte paralizë përfundimtare ose mund të mos i kthehej funksioni i këmbëve”.
Probleme të tilla në shyllën kurrizore sipas mjekëve janë të rralla. 58 vjeçari e zbuloi nga ekzaminimet që iu nënshtrua për shkak të pafuqisë së këmbëve dhe dhimbjes së fortë që ndjeu në kurriz pas një sforcimi fizik.
“Janë kryer skaner dhe rezonancë dhe kanë konstatuar një hernie diskale të kalcifikuar, jo e zakonshme që ngushton të gjithë hapësirën e palcës. Pacienti ka filluar të humbasë lëvizhshmërinë e këmbëve. Kishte lëvizje minimale vetëm në këmbën e majtë dhe në këmbën e djathtë zero. Herniet diskale zakonisht janë në kolonën cervikale dhe lumbare. Më të pazakonta janë në kolonën torakale, por akoma më të pazakonshme janë kur janë të forta, të kalcifikuara dhe në këtë mënyrë vështirësohet heqja e tyre”.
Ndërhyrja zgjati rreth shtatë orë dhe shenjat se kishte qenë një sukses mjekët i vunë re menjëherë.
“Kur anestezisti e zgjoi pacientin dhe ai menjëherë kishte lëvizshmëri të këmbëve dhe ne u entuziazmuam. Të nesërmen pacienti nisi riaftësimin dhe 5-6 ditë u ngrit në këmbë”.