Ballina Opinion Fusha, Sheshi, Teatri, dhe Drejtësia dhe një dosje fait-açomplis

Fusha, Sheshi, Teatri, dhe Drejtësia dhe një dosje fait-açomplis

36
0

Nga Doriana Musai

Më 16 shkurt 2018, subjekti Fusha shpk, me administrator Z. Shkëlqim Fusha, i drejtohet me një letër, Bashkisë Tiranë dhe Ministrisë së Kulturës, me subjekt “Shprehje interesi mbi zhvillimin e zonës së Teatrit Kombëtar”, ku ndër të tjera, vë në dukje se shoqëria e tij, “ka në pronësi një pjesë të zonës”, pa specifikuar asnjë të dhënë për pronën të cilës i referohet. E megjithatë, edhe pa këtë përcaktim se për cilën pronë bëhej fjalë, Erion Veliaj, gjashtë ditë më pas, i drejtohet Këshillit tëMinistrave, duke i përcjellë letrën me “shprehje Interesi”.

Nëshkresën që mban numër protokolli Nr. 6848/1, datë 23-02-2018, kryebashkiaku tanimë, nën “arrest me burg” nga Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, si i dyshuar për veprën “Korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendore” dhe veprën “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, i kërkonte, atëkohë, Këshillit të Ministrave, që të merrte hapat e mëtejshëm mbi këtë propozim të paraqitur nga subjekti privat.

*(Bashkia Tiranë, në kuadër të ushtrimit të funksioneve dhe përgjegjësive të saj në fushën e infrastrukturës dhe shërbimeve publike, si edhe atyre në fushën e kulturës lidhur ngushtë këto me plotësimin e kushteve bashkëkohore për organizimin e tyre, po ju përcjellim për t’u shqyrtuar dhe vlerësuar nga ana juaj shprehjen e interesit tëparaqitur nga ana e shoqërisë “Fusha”shpk dhe marrjen e hapave të mëtejshëm mbi këtë propozim tëparaqitur.)

*Ekstrakt nga letra e cituar

Fusha nuk ishte i panjohur për Bashkinë Tiranë dhe Qeverinë shqiptare, në fakt në të njëjtën kohë, kur dërgoi letrën e shprehjes së interesit, subjekti ishte në marrëdhënie kontraktuale me Bashkinë Tiranë, për tenderin e punimeve të sheshit Skënderbeje, shpallur fitues më 15-08-2016. Sheshi ‘Skënderbej’ u inagurua në maj të vitit 2018, disa muaj pas “shprehjes së interesit”.

E njejta kompani, del në tenderat dhe prokurimet publike, praktikat e të cilave, prokuroria speciale SPAK, i ka tërhequr në Bashkinë Tiranë në kuadër të hetimeve paraprake, dhe gjenden të renditura në  faqet (95-96-97). Ku ndër më të spikaturit janë dy shtesa të kontratës së sipërmarrjes “Rikualifikimi Urban i Sheshit Skënderbej Faza I-rë”, datë 27.12.2018 “; Shtesë kontrate për objektin “Rikualifikimi Urban i Sheshit Skënderbej Faza I-rë”, kontraktor Fusha shpk, me vlerë totale pa tvsh 105,331,520,83 lekë dhe shtesë kontrate datë 19.04.2018 për objektin “Ndërtim parkim nëntokësor, sheshi Skënderbej”; me vlerë totale 44,543,018 lekë. Ku më herët ishte fituar tenderi me kontratë prokurimi 06.09.2016, me vlerë 527,535,937 lekë pa TVSH, identifikuar si oferta e suksesshme. Nga tre operatorë ekonomik, që kishim aplikuar në sistemin elektronik, dy prej tyre nuk kishin paraqitur në sistemin elektronik ofertën ekonomike.

Shqetësimi i Fushës, për financat publike në ndërtimin e njëteatri ende të paprojektuar “…duke qenë se vlera e investimit parashikohet shumë e lartë dhe e papërballueshme për financat publike aktuale…”. duke e mbështetur “idenë” tij, tek interesi publik i shfaqur “…mbështetur në interesin publik të shfaqur nëmedia për ndërtimin e një teatri të ri…“, në një moment që pak kush e dinte se çfarë planesh kishte qeveria dhe bashkia, e shfaq biznesmenin në një pozitë me informacione përtej publikut.

Fusha shpk shpreh gatishmërinë të bashkëpunoj me Qeverinë, për realizimin e një godine të dedikuar vetëm për Teatrin Kombëtar dhe në përputhje me parametrat modern dhe bashkëkohor dhe 24 ditë më pas, kreu i qeverisë në takimin me dyer të mbyllura, të zhvilluar më 12 mars 2018, në COD, me kreun e Bashkisë, dhe një trupë të aktorëve të Teatrit Kombëtar,prezanton projektin e Teatrit të ri, projektuar nga danezi Bjarke Ingels, projekt i cili më vonë do të dilte se ishte paguar nga Fusha.

Godina do shëmbet, dhe mbi gërmadhat e të shkuarës do të ngrihet teatri i ri kombëtar”- Rama në takimin e 12 marsit të 2018.

Rama, me nje projekt të paguar nga një privat, dhe me një letër për shprehje interesi, të cilës ende nuk i ishte përgjigjur zyrtarisht, ritheksoi në këtë takim, vendosmërinë e tij për idenë e shembjes së teatrit duke e krahasuar teatrin e vjetër me një “një teatër komune”, ku më shumë se sa të ndërtonte një teatër të ri, kryeministri më shumë po i gëzohej idesë së shembjes së të vjetrit.

Rama do të flasë për Projektin e Zonës i cili do të fillonte nga Teatri,  dhe ku “Teatri do të jetë faza prioritare e projektit dhe garancia e ndërtimit të tij brenda tre … procedure që do tëfinalizohet në kuvendin të Shqipërisë për një investim kaq tëmadh për kulturën, dhe për Tiranën, pasi studioja”.

Ndërsa Fusha e përshkruan, si zhvillimi që “do të plotësojë si hallkë e fundit, gjerdanin e ndryshimeve që qendra e Tiranës, ka pësuar gjatë viteve.”Pak muaj më vonë ky “gjerdan” do të shndërrohej në një kurth ku Bashkia, Ministria, Këshilli i Ministrave dhe vetë Fusha, do të përballeshin, me beteja ligjore dhe mediatike, dhe një protestë.

Nën lenten e re që solli Vendimi i Gjykatës së Posaçme të shkallës së parë për “Korrupsionin dhe krimin e organizuar” AKTI nr.7,  i datës 09.02.2025, marrëdhënia Bashki-Fusha, e nisur që nga 2016,  me tenderin e lotit të parë (janë gjashtë tendera për të njejtin projekt), të sheshit Skënderbej, mund të rikornizohet.

Nga dosja e përgatitur nga prokurorët specialë, del se Fusha shpk është një nga kompanitë, që kishin bërë dhurata të dyshuara dhe si të pajustifikuara ndaj OJF-së dhe shoqërive në pronësi të Ajola Xoxës, bashkëshortes së Veliajt në nëntor tëvitit 2020 (faqe 65). Jemi në të njejtin vit, kur në muajin shkurt, Fusha u tërhoq nga kontrata e “Fusha shpk” për ndërtimin e teatrit kombëtar, në 26 shkurt të 2020, dhe katër ditë pas pas shembjes së teatrit, më 21 maj 2020, në një intervistë me “Tv T”, , Shkëlqim Fusha, do të shprehej  se “Projekt-ideja është bërë nga Bjarku dhe porositur nga ne, është e paguar nga ne te Bjarku dhe ne nuk na duhet më, në fund fare mund t’ia dhurojmë bashkisë. Po, u kam premtuar, është e tyre”.

Përgjigja e Ministrisë së Kulturës, e cila, do të duhej të ishte -sipas zinxhirit të vendimarrjes,- ajo që do t’i hapte dritën jeshile “zhvillimit të përbashkët”, në protokollin e të njëjtës ministri është e regjistruar me Nr. 1393/1 Prot., datë 29.03.2018. edhe pse me një projekt të prezantuar publikisht nga shefi i saj, mëherët se sa letra për “shprehje interesi” t’i shkonte në tavolinën e Ministrit,  Mirela Kumbaro, më 29 mars 20198, i kthen përgjigje se “Ministria nuk disponon mjetet e mjaftueshme financiare për realizimin e një godine të re të Teatrit Kombëtar, sipas standardeve ndërkombëtare”.

Ky togfjalësh do të ishte edhe kali i betejës të cilit i hipi qeveria, bashkia Tiranë, dhe instrumentat apo njerëzit e përdorur prej tyrë, për të justifikuar shembjen e teatrit kombëtar. Kumbaro më herët, në një intervistë të datës 14 shkurt 2018 u shpreh se “Ne i kemi kërkuar kryetarit të bashkisë që të parashikojë në të njëjtin truall një projekt për Teatër Kombëtar”, duke u futur në vallen e nisur më herët, në mbledhjen e Këshillit Bashkiak më 23 nëntor 2017, nga Erion Veliaj: “Kemi marrë një propozim, ndoshta një nga propozimet më të bukura që kam parë ndonjëherë, për teatrin ri kombëtar. Arkitekti i famshëm Bjarke Ingels, që sot cilësohet si arkitekti më i famshëm dhe më i suksesshëm në botë, na ka bërë një propozim tejet interesant për teatrin kombëtar.

Bashkia Tiranë, pas pesë muajsh nga kjo deklaratë e Veliajt,informon Ministrinë e Kutlurës, për “mundësinë e realizimit të një projekti zhvillimi urban..ku më kryesorja ka të bëjë me ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar”, me shkresën Nr. 6848/6, vetëm në  datë 14.5.2018, tre muaj pas shprehjes së interesit nga ana e Fushës dhe dy muaj pasi Kryeministi e kishte bërë fait-açomplis.

Koha tregoi, se ai plan u vendos në një projekt, më herët se sa 12 marsi i vitit 2018, i cili edhe pse nuk u zhvillua nga Fusha shpk, dhe nuk u përfundua në tre vite siç u premtua, u pajis me leje ndërtimi në vitin 2023, nr.163/3 datë 19.06.2023 me afat përfundimi punimesh 27 muaj, ku Sipërmarrësi i punimeve është, B.O.E., BE-IS dhe AGIKONS shpk, administratori i kësaj të fundit, Gentian Sula bashkë me Shkëlqim Fushën janëpersona në hetim që nga 9 shkurti i 2025, mbi të cilën rëndon akuza të të dyshuar për “korrupsion aktiv i funksionarëve të lartështetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal.

Ndërsa Fusha shpk, mori kullën që donte, një kullë 23 katëshe do të ngrihet pas Teatrit Kombëtar, mbi një sipërfaqe publike prej 1,266 m2, të cilën Bashkia Tiranë e “dhuron” përmes një marrëveshje ku merr në këmbim sipërfaqe ndërtimi.

Kjo është vetëm një pjesë e dosjes së teatrit, e cila, duket se do të jetë protagoniste në shumë dosje të tjera hetimore dhe do tëkonkludojë me shumë gjasa, të jetë siç edhe Fusha e përcaktoi, gjerdani që do të lidhë të gjithë aferën korruptive të zhvilluar nga Bashkia e Tiranës dhe Qeveria Shqiptare.