Ballina Aktualitet Plagosi kryetarin e Shoqatës së Operatorëve Turistikë Arben Çipën në Sarandë, Prokuroria...

Plagosi kryetarin e Shoqatës së Operatorëve Turistikë Arben Çipën në Sarandë, Prokuroria liron autorin

36
0

Me kërkesë të Prokurores Besiana Sadikaj, është lënë i lirë 37-vjeçari Diomet Musa, autor i dyshuar i plagosjes së biznesmenit 52-vjeçar Arben Cipa alias Sotir Cipa, Kryetar i Shoqatës së Operatorëve Turistikë.

Më pak se 48 orë nga arrestimi, është paraqitur para Gjykatës së Sarandës rreth orës 14.00 të së dielës, shtetasi Diomet Musa, person me precedentë të mëparshëm penalë. Ai është i dyshuar për veprën penale “plagosje e rëndë me dashje” në bashkëpunim, për goditjen me grushte, shkelma dhe sende të forta të biznesmenit Arben Cipa, rreth orës 14.10 të së premtes. Pas ngjarjes, Musa u fsheh në një banesë në Lukovë, ku edhe u kap nga policia në mbrëmje, ndërkohë që në kërkim mbetet kushëriri i tij 29-vjeçar Markelian Musa.

Prokurorja Besiana Sadikaj ka kërkuar cilësimin të ligjshëm të arrestimit në flagrancë të 37-vjeçarit Diomet Musa, por lirimin e tij dhe caktimin e masës së sigurimit “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “plagosja e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim. Nuk dihet ende se si është motivuar kjo masë sigurimi nga ana e Prokurorisë.

Nga ana tjetër, Gjyqtarja Esmeralda Shehu, ka vendosur vlerësimin të paligjshëm të arrestimit në flagrancë të të dyshuarit dhe caktimin e masës së kërkuar nga Prokurorja, atë “Arrest në shtëpi”, duke urdhëruar që i dyshuari mos të largohet nga banesa e tij e ndodhur në lagjen nr.3 të Sarandës.

Për plagosjen e Arben Cipës, ka pasur reagim masiv qytetar e mediatik, por edhe nga shoqata të tjera të Turizmit, të cilat kanë kërkuar drejtësi. Vetë Cipa ka kërkuar ndërhyrjen e shtetit pasi Saranda po kthehet në një situatë të ngjashme me “Cosa Nostra” për shkak të konflikteve të pronësisë, ku njëra prej palëve përbëhet nga të ashtuquajtur “Të fortë”.