Nga Edison Ypi
Thuaj shyqyr që po vjen Rusi dhe nuk po vjen Timur Lengu ose Xhengis Khani.
S’mund të mos vinte Rusi. Keni dhjetra vjet që natë e ditë s’flisni për gjë tjetër veçse për hajdutllëk, xhvatje, vrasje, dhe po u çuditkeni se po vika Rusi.
Çfarë çudie është të vijë kush të dojë dhe të bëjë çfarë t’i teket mbi trollin e Skënderbeut që e katandisët në vendin ku dajnë paret hajdutat.
Ku çdo veprim, çdo reagim, gjithçka që ndodh, e kushtëzojnë të fortët, banditët, halabakët, injorantët, deficentët, budallenjtë, hajvanët, vjen edhe dreqi edhe i biri i dreqit, jo më Rusi.
Në vendin që e braktisin ata që e kanë denbabaden, Rusi nuk po vjen se e mori malli, e pëlqeu, e dashuroi. Në këtë vend qesharak dhe zevzek që mburret e lumturohet kur pushtohet, ndërron besimin, vret të vetin, rren gjith kohës, Rusi po vjen për qef, për variacion, për ta këmbyer qiellin e zi kontinental me qiellin e kaltër mesdhetar, vodkën me rakinë, Siberinë e akullt me Myzeqenë e ngrohtë.
Nëse jo Rusi, mund të vinte dhe ndonjë tjetër.
Pa folur për Anglezin, Francezin, Gjermanin, të cilëve me ua fal nuk e duan një vend me përmasa infinitesimale që u duhet lupë për ta parë në hartë, mund të vinte edhe, pse jo, italiani. Që s’do qe keq. Por halli se Italia duket e lodhur, e ngathët, e trullosur. Sa ta mendojë pepinua, ta pranojë Farnesina, të kandiset opozita, ta votojë parlamenti, ta firmosi senati, ka ardh’ pesqint herë Rusi.
Bujrum për të dytën herë, Zoti Rusi. Ideologjia, internacionalizmi, klasikët, ndihmat, nëndetset, miqësia, vllazërimi i popujve, shkarja në revizionizëm, martesat me ruse spiune, burgjet, internimet, zhdukjet pa nam e nishan, dhe gjithato çmendurira të tjera, të shkuara të harruara. E fillojmë nga e para. Do gjesh Shqipëri të hallakatur dhe shqiptarë shpirt’tharë e trukalbur që mund t’ua fikësh zjarret e t’ua ftohësh vatrat për pes minuta.
Këtu s’ka ngel pushtues pa ardh e pa u rehatu, s’po vika Rusi.
Nëse në Myzeqe kanë mbetur kisha dhe monastere, kjo nuk ndodhi për asnjë heroizëm të popullit tonë në shekuj, por vetëm sepse Myzeqeja ishte kënetë dhe pushtuesit nuk morën mundimin të hynin se u ndoteshin çizmet.
Le të vijnë Aleksandri, Anatoli, Maximi, Mikhaili, Nikolai, Vladimiri, Arkadi, Grigori. Le të vijnë ta mbarsin Lirinë, Dritën, Fatmirën, Linditën, po ashtu si, Gimi, Çimi, Titi, Timi, Luti, Kaçi, Hasani, Hyseni, Hajdari, Enveri, do shkartisen me Tatianat, Katerinat, Mariat, Aanastasiat, Natashat, Nadiat, Annat, Varvarat, Polinat, Poljushkat. Të gjithë do zdërhallen nëpër plazhet tona të ngrohta si nëpër sobat e tyre të nxehta ku mes avullit rrahin kurrizin me mështekna. Kalamajtë që do pjellin do jenë gjysma bjondë si dielli i qiellit, gjysma ezmerë si kusia te vatra. Rusi ka pafund stepa, tajga, tundra, akullnaja. Ujra të ngrohtë s’ka. Kjo është e gjitha.
S’do bëjë kushedi se çfarë Rusi që po vjen.
Rusi do sjelli eksperta nga çdo fushë. Ekonomi, financë, industri, rend, mbrojtje, propagandë, soc-art, soc-letërsi. Sidomos nga ata të ekonomisë së planifikuar. Ekspertat do jenë të gjithë spiuna. S’do jetë problem për shqiptarët që spiunllëkun e pijnë me qumështin e nënës.
Monedha do jetë një kombinimi i Rublës me Lekun, Rubleku, që do e njohin gjërësisht bankat në trojet arbnore dhe do kuotohet në bursat e Laçit, Rrëshenit, Rrogozhinës, Zavalinës, Lazaratit.
Vendi do rrethohet edhe një herë. Shtyllat e betonit dhe telat me gjëmba do blihen në Greqi me pare të vjedhura nga tenderat për arsimin e kalamajve dhe qumështin e bebeve.
Qëntë e kufirit do stërviten prapa Dajtit nga specialista ardhur enkas nga Korea e Veriut.
SHIK-u do ndërrojë emrin, do quhet KGB-ja.
Rusishtja, gjuhë e parë nëpër shkolla.
Pas rusishtes, greqishtes, turqishtes, Shqipja do jetë e katërta.
Këto Përputhjet dhe Përthithjet televizive do zëvendësohen nga çfaqjet vertikale të qejfeve horizontale, pra me mbrëmjet e vallzimit nën tingujt e Korit të Ushtrisë së Kuqe, Kalinkave, Kazaçokëve, Stari Druzhbave, Mbrëmjeve në periferi të Moskës etj.
Rusi, me të ardhur, do ndalojë rreptësisht operacionet plastike. Posaçërisht trashjen e buzëve me mishin e bythëve.
Çdo mbrëmje do kumbojnë Orët e Kremlinit. Fill pas Orëve do buçasi Radio Moska me rrenat e ditës.
Vargje lotndjellëse dhe shpirtçjerrëse nga të Pushkinit, Turgenievit, Lermontovit, si dhe lexime nga Tostoi, Gogoli, Gorki, Ostrovski, do kërrcasin si shkarpa që digjen nëpër pikniqe dhe zborre netëve rrotull zjarreve partizane.
Fermat do mbeten, por do quhen Kolkoze.
Organizatat dhe shoqatat rinore do quhen Komsomole.
Do vinë vapora dhe nëndetse nga Deti i Zi.
Marinarët do tmerrojnë çupat tona duke vënë edhe një herë në qarkullim brekët e zeza.
Në Sazan dhe Karaburun s’do lejohet asnjë kazino, kuplara, apo gjëra të tjera qefi të këtij kallëpi, vetëm raketa nërkontinentale dhe nëndetëse atomike, me të vetmin qëllim shpartallimin e gadishullift apeninik përmes fundosjes së Siçilisë dhe shndrrimit të çizmes në opingë.
Rusi e ka një Bolshoj Teatër. Por Teatër më Bolshoj se ky këtu s’ka ku e gjen. Vet’ e thirrët me nazet, ickëlat tuaja, hajvnllëkun tuaj. Budallallëku ka kosto. Shtrëngo bythën. Rusi është nisur.