Ballina Rajoni Vodhi 7 makina luksoze me vlerë 400 mijë €, shpallet në kërkim...

Vodhi 7 makina luksoze me vlerë 400 mijë €, shpallet në kërkim “skifteri” shqiptar në Greqi

34
0

Amarild Muka, 41 vjeç, nga Tirana, një emër i njohur të paktën prej 13 vitesh për policinë shqiptare, është shpallur në kërkim nga policia greke si autor i vjedhjes së 7 automjeteve luksoze dhe tentativës për të vjedhur një tjetër.

Muka, i cili është i skeduar në Greqi edhe me emrat Amarildo apo Amrillo, sipas policisë, rezulton të jetë larguar jashtë shtetit.

Vlera e mjeteve të vjedhura nga ai, shkon në rreth 400.000 euro.

Pas një pune të gjatë hetimore, duke këqyrur pamjet filmike por dhe analizës së dëshmive apo punës policore, u arrit të zbulohej veprimtaria e Amarild Mukës prej janarit 2022. Për vjedhjen e automjeteve luksoze ai përdorte dy mënyra, një duke arritur të marrë çelësat nga vendi ku ishin varur në parkim privat dhe e dyta duke u shtirur si i afërm i pronarit e duke marrë në mirëbesim çelësat nga rojet e parkingut.

Mes automjeteve të vjedhura, rezulton edhe një me targa shqiptare, konkretisht “Mercedes-Benz” AB777VD në pronësi të shtetasit V. Dh, ngjarje e ndodhur në 24.12.2023 në një parking privat në Athinë.

Amarild Muka rezulton i arrestuar në Tiranë në mars 2012 për vjedhje në bashkëpunim të një ore dore dhe një celulari. Në maj 2017 është arrestuar në aksin Mamurras-Laç, pasi u kap duke drejtuar një mjet “Mercedes-Benz”, të cilin e kishte vjedhur në Tiranë, ku kishte marrë edhe 600 euro e 12.000 lekë. Në nëntor 2017 rezulton i arrestuar në Kamëz, me një pistoletë me silenciator pa leje.