Në kuadër të programit artistik të pritjes zyrtare të organizuar nga Ambasada e Kosovës në Izrael, u hap ekspozita e titulluar “Kosova dhe Izraeli përmes syve të njëri-tjetrit”, një projekt i përbashkët mes fotografit nga Kosova, Naser Thaçi, dhe fotografes izraelite, Ella Waldman.
Sipas njoftimit, kjo ekspozitë, e organizuar për nder të 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, paraqet një perspektivë unike mbi dy vendet, përmes syrit të dy artistëve që i shohin njëri-tjetrin nga një këndvështrim i veçantë kulturor dhe artistik.
Për herë të parë, një fotograf nga Kosova dhe një fotografe nga Izraeli hapin një ekspozitë të përbashkët në Izrael, duke shënuar kështu një moment historik në bashkëpunimin kulturor mes dy vendeve.
“Në ceremoninë e hapjes, e cila u mbajt në Tel Aviv, morën pjesë përfaqësues të korit diplomatik në Izrael, institucioneve shtetërore izraelite, politikanë, miq të Kosovës dhe bashkëkombës të profileve të ndryshme. Pjesëmarrësit patën mundësinë të shohin Kosovën përmes objektivit të një fotografeje izraelite dhe Izraelin përmes objektivit të një fotografi kosovar, duke krijuar një dialog të veçantë mes dy kulturave. Ekspozita synon të promovojë vlerat kulturore dhe historike të te dyja vendeve, si dhe të forcojë lidhjet mes Kosovës dhe Izraelit përmes artit dhe fotografisë”, thuhet në njoftim.