Ballina Ekonomia Rikthehet autofaturimi i tregtarëve në bujqësi/ Kuvendi miraton nismën e Braçes për...

Rikthehet autofaturimi i tregtarëve në bujqësi/ Kuvendi miraton nismën e Braçes për rimbursimin e TVSH-së së fermerëve

42
0

Komisioni Parlamentar i Ligjeve ka miratuar ndryshimet në ligjin e TVSH-së të propozuara nga deputeti i Partisë Socialiste Erion Braçe, të cilat rikthejnë rimbursimin e TVSH-së për fermerët përmes autofaturimit të tregtarëve. Ligji rikthen skemën e tvsh-së për fermerët, e cila përdorej përpara vitit 2018, por që me paketën fiskale të vitit 2019 u shfuqizua nga qeveria me motivacionin se ishte kthyer në abuzive.

Sipas skemës, tregtarët dhe grumbulluesit e produkteve bujqësore, të cilët blinin produkte nga fermerët të bënin autofaturim për rimbursimin e tvsh-së më masën 20 për qind të transaksionit. Kjo skemë rimbursonte tregtarët, të cilët duke qenë se merrnin mbrapsht 20 për qind të TVSH-së teorikisht duhet t’u paguanin fermerëve një çmim blerje 20 për qind më të lartë, për ta vënë kështu prodhimin vendas në kushte të barabarta fiskale me importet e prodhimeve bujqësore.

Por fillimisht qeveria vendosi ta lë masën e rimbursimit në 6 për qind dhe më vonë në vitin 2019, e shfuqizoi atë fare duke e ndërprerë rimbursimin e TVSH-së me autofaturim për grumbulluesit e produkteve bujqësore. Në atë kohë skema u kritikua se subvenciononte tregtarin dhe jo fermerin, ndërkohë që një tjetër problem ishte ai i autofaturimit abuziv.

Megjithatë heqja e rimbursimit të TVSH-së e vuri produktin vendas në kushte diskriminuese. Kjo pasi prodhimet vendase bujqësore kishin tvsh zero në blerje dhe 20 për qind në shitje duke favorizuar kështu importin.

Sipas Braçes, nisma e fundit synon njehsimin e masës së TVSH-së si në shitje, ashtu edhe në blerje, teksa gjatë prezantimit në komision, Braçe tha se ky mekanizëm i ri për përllogaritjen e TVSH-së, jo vetëm favorizon prodhimin vendas, por do të ndikojë edhe në formalizimin e sektorit.

Megjithëse nisma e Braçes është kundërshtuar nga përfaqësuesit e Ministrisë së Financave, me argumentin se është duke u hartuar legjislacioni i ri me ndihmën e partnerëve europianë, Komisioni i Ligjeve ka vendosur ta miratojë atë.