Ballina Politika Rektori i Universitetit Bujqësor: Nuk mbroj askënd dhe nuk komentoj vendimet e...

Rektori i Universitetit Bujqësor: Nuk mbroj askënd dhe nuk komentoj vendimet e Drejtësisë! Kam dhënë telefonin dhe informacionet, por të mbështetet universiteti

62
0

Rektori i Universitetit Bujqësor të Kamzës, Fatbardh Sallaku, foli sot në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, ku i pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama. Sallaku e kishte kërkuar vetë dëgjesën publike pas 24 masave të befasishme të SPAK dhe GJKKO për disa tendera në këtë institucion arsimor.

Rektori sqaroi se zgjodhi këtë rrugë ballafaqimi publik për shkak se nuk do donte që mesazhet të keqkuptoheshin apo interpretoheshin, por të dëgjoheshin siç duhej.

Fjala e plotë e rektorit Fatbardh Sallaku në grupin e PS:

Për të evituar çdo lloj keqkuptimi, dua të theksoj se jam këtu në grupin e mazhorancës qeverisëse, nuk është e rastësishme, mund të dilja e zgjidhja e konferencë shtypi e media, por dua që të mos shkëputet asgjë nga konteksti dhe mesazhi të jetë i qartë, sepse kam detyrim për stafin akademik, studentet, prindërit, partnerët, miqtë e kudo operojnë.

E kam marrë vesh nga media, se dje, kam mbledhur edhe asamblenë akademike të Universitetit Bujqësor, kemi sqaruar situatën, që në krye të radhës dua të theksoj faktin se ne nuk komentojmë asnjë vendim të drejtësisë, absolutisht ne besojmë se do ketë një proces të ndershëm, por ajo që unë besoj është se shumica e pedagogëve të mi i përkasin njerëzve të ndershëm, dhe theksoj prapë se asnjë realitet nuk e zhbëjnë atë punë të kolegëve të mi dhe studentëve, në atë që përfaqësojnë.

Shumë kolegë janë pjesë e masave që janë dhënë, që dje ka filluar të pastrojë veten, me fakte dhe vendosmëri, duke zbatuar ligjin. Ajo që unë dua të theksoj, se jo ky debat, por kjo dalje, dhe unë si një rektor i universitetit që nuk punon i izoluar, por një proces që ka nisur para 3 vitesh, fal investimit personal të kryeministrit të vendit, kemi 3 vjet që punojmë me një nga universitetet më të mira në Europë, jemi të detyruar të informojmë partnerët tanë, për reformën e ndërmarrë, në rastin e arsimit të lartë janë të rëndësishme imazhi, marrëdhëniet me partnerët, besimin, sepse bëhet fjalë për një universitet që ka nevojën për të qenë i pranishëm për të bindur të rinjtë të jenë pjesë e këtyre programeve.

Unë jam i gatshëm të shkoj në çdo grupim t’i sqaroj kudo qoftë, të jem i gatshëm dhe i qartë, madje edhe në rrethe.

Dua të sqaroj disa gjëra:

Unë absolutisht nuk mbroj asnjë person që mund të ketë abuzuar, ia lëmë drejtësisë komplet të hetojë operojë, për një proces të ndershëm. Por ajo që dua të evidentoj është fakti se kam besim se Universiteti Bujqësor jo vetëm do ringrihet, sepse kemi pasur goxha sfida të tilla si në vitin 1990, jemi ringritur në 1997 kur u shkatërrua totalisht, pas viteve 2013 e 2015 kur nuk studionte askush në të, e tani jemi futur në një rrugë që është për mua e vetmja që arsimi i lartë mund të funksionojë në Shqipëri. Pra kemi nisur një reformë të thellë që arsimi i lartë të njihet, në mars e arrijmë këtë me universitetin e Bokusë për njohjen e arsimit të lartë, nuk është një program, por ristrukturim total. Nga oferta akademike te menaxhimi administrativ. Mbrëmë kemi folur me koordinatorin e palës austriake për ta përshpejtuar modulin, sepse situata e ndodhur ka nevojë për reagim, për struktura të qëndrueshme, e jam këtu për të garantuar se Universiteti i ka të gjitha vlerat dhe mundësitë. Shqipëria është me fat që ka Universitet Bujqësor, ju e konfirmoni, por kemi nevojë për mbështetje, fjalë të mira dhe qasje, sepse Bujqësia ju e dini shumë mirë se është persekutuar nga imazhi, pasi askush nuk pranon të studiojë për agronom, inxhinier pyjesh etj., por qasja që po bëjmë me universitetin e Bokusë me arsimin e njohur, shndërrimin në qendër rajonale, partneritet, etj., por sot janë realitet, kemi filluar punë. Në mars konkludojmë me reformën e radhës. Do doja që debati të fokusohet këtu, me dorën në zemër. Universiteti Bujqësor nuk është i imi, i mazhorancës, por i Shqipërisë, e ardhmja është këtu, ne kemi nevojë për këtë universitet, kanë nevojë për mbështetje dhe përkrahje, sepse e ardhmja e Shqopërisë është turizmi dhe bujqësia, ne nuk e kemi të ardhmen në industri të rëndë.

Unë nuk e di se çfarë është diskutuar apo ka në këtë çështje. Por puna është e ndarë, stafi akademik që shqyrton çështjet në Senat, studimi i projekteve dhe deri në Bord. Ne kemi një strategji, që në 2030 ky universitet të jetë i ngjashëm me të Bokusë në Vjenë, në çdo hap.

Unë kam qenë subjekt edhe i dhënies së telefonit, absolutisht e kam dhënë, kam qenë bashkëpunues, s’kam asnjë problem, kemi dhënë të gjitha informacionet e kërkuara. Dua edhe njëherë t’ju siguroj dhe garantoj se nuk jam këtu për politikë, me kryeministrin kemi folur edhe para dy-tre ditësh, kemi ndarë koncepte. 

Askush nuk e mendonte se një ditë Universiteti Bujqësor do ulej në tavolinë me të Bokusë, mbi 100 vjeçar, por ne jemi të gatshëm, të mos merremi me anësoren, pro me thelbin. Ky universitet i duhet vendit, ekonomisë shqiptare, stafi dhe prindërit të qetësohen, se në shtator do shkojmë me një ofertë të re akademike.

Shpresoj që personat që janë nën hetim aktualisht të gjejnë të gjitha hapësirat, të gjejnë forcë, të pastrohen, drejtësia të bëjë punën e vetë, të sigurojë çdo lloj informacioni, kam qenë dhe jemi të gatshëm dhe shpresoj që ky proces të mbarojë në të mirën e përbashkët.

Sigurisht nuk është e lehtë, pas një situate të tillë jo të këndshme, por thelbi i çështjes se ky universitet ka nevojë për mbështetje“.