Ballina Dossier Dëshmia e pilotit: Si e njoha komandantin e Aviacionit Luftarak Shqiptar Niko...

Dëshmia e pilotit: Si e njoha komandantin e Aviacionit Luftarak Shqiptar Niko Hoxhën, momentin tragjik kur ai humbi jetën në pistën e Rinasi

30
0

Nga Njazi Xh. Nelaj

Pjesa e parë

Memorie.al / Mbresa dhe kujtime nga jeta e pilotit të talentuar tragjasiot, kolonelit të aviacionit, Niko Selman Hoxha, rënë në krye të detyrës, më 20 nëntor të vitit 1965, në aerodromin ushtarak të Rinasit, në një qitje luftarake, me aeroplan reaktiv ‘MIG’-17 F, përpara efektivëve të regjimentit dhe disa kuadrove ushtarakë akademistë. Mbresat dhe kujtimet janë mbledhur nga Niazi Xhevit Nelaj, në qershor – korrik 2012, në Vlorë, Tiranë, Voskopojë, etj, në takime me njerëzit dhe në biseda telefonike, deri në Boston-in e largët. Çdo takim dhe bisedë me bashkëkohës të Niko Hoxhës dhe të afërm të tij, ka gjetur pasqyrim në material, me besnikëri e autenticitet. Monografia pasqyron vetëm një pjesë të jetës të heroit, atë pjesë e cila lidhet me aviacionin e me fluturimin e, nuk shtrihet në sfera të tjera të jetës shumëplanëshe të njeriut që i dha shtysë disiplinës dhe stërvitjes ushtarake e ajrore. Niko Selman Hoxha, siç ishte i rregullt, i disiplinuar e tepër korrekt, në repart, dallohej dhe për një regjim shembullor në jetë. Ai nuk banonte në repart e, nuk ushqehej në mensën cilësore të pilotëve por, në familje, falë përkushtimit dhe mirëmenaxhimit që i bënte situatës e shoqja, Jolanda, regjimit të tij nuk i mungonte asgjë. Ky shkrim nuk përfshin as jetën në familje të Nikos, nuk prek kujdesin e tij për djemtë, Valerin dhe Sashën, të cilët i la ende të parritur, por që sa qe gjallë i rrethoi me shumë kujdes e dashuri prindërore. Të tjerë shkrime që do të pasojnë, me siguri do të hedhin dritë dhe mbi ato anë të jetës së Niko Hoxhës, të cilat në këtë monografi kanë mbetur disi në hije.

Po mbushen 48 vjet nga dita kur u nda nga jeta, aksidentalisht dhe heroikisht, në krye të detyrës, piloti i talentuar, nga Tragjasi i Vlorës, njëri nga themeluesit dhe organizatorët më të përkushtuar të Aviacionit Luftarak Shqiptar, piloti i klasit të parë, koloneli i aviacionit, Niko Selman Hoxha. E shtuna e fundit e nëntorit të vitit të largët 1965, kur kalendari ditor shënonte 20, në orën 10, në fundin Jugor të aerodromit ushtarak të Rinasit (sot aeroporti “Nënë Tereza”), në prani të efektivëve të regjimentit dhe disa oficerëve të Akademisë Ushtarake “Mehmet Shehu”, ndodhi ajo që nuk besohej, ngjarja e rëndë ajrore, e cila përfundoi me katastrofë.

Në atë katastrofë ajrore, “u shua” jeta e njërit nga pionierët e aviacionit shqiptar, trimi i çartur, Niko Selman Hoxha. Mjaft vite kanë shkuar e të tjerë do të rrjedhin. Koha e gjatë që ka kaluar dhe disa njerëz, jo dashamirë, janë munduar të hedhin harrim mbi këtë histori njerëzore, duke bërë të paditurin. Një gjë duhet pranuar e thënë hapur: Nëse dikush, ca më keq për ata që e kanë njohur ose kanë punuar nga afër me kolonelin e, tani ngrenë supet, me shpresën se mund ta anashkalojnë ngjarjen, unë u them: “Kot e keni, në skutat më të thella të ndërgjegjes tuaj, diku, e mbrojtur, me kujdes e maturi ruhet diçka nga jeta dhe bëmat e atij heroi, me vlera e përmasa të pakrahasueshme”.

Pak e kam njohur atë “div“ të aviacionit shqiptar. Së bashku e nën drejtimin e Niko Hoxhës, kam punuar e fluturuar, gjithë – gjithë tre vjet. Kjo kohë, edhe pse e kufizuar, ka qenë e plotë për të më frymëzuar e tunduar, për të hedhur në letër gjithçka di e kam dëgjuar për atë njeri “të madh”, me përmasa që nuk mund të maten. Do të shkruaj thjeshtë e çiltër, siç e kam njohur e atë çka di unë për atë njeri, i cili qysh nga formimi e deri sa dha jetën, në krye të detyrës, u bë “lokomotiva” e aviacionit të vendit tonë. Ideja për të shkruar diçka për figurën e Niko Hoxhës, më ka vluar e më ka ngacmuar prej kohësh por, siç duket tani erdhi koha për ta bërë realitet këtë ëndërr në sirtar.

Nuk jam biograf e nuk marr përsipër të pasqyroj çdo gjë, fije e për pe, siç ka rrjedhur, në jetën e atij njeriu legjendë, pilotit të rrallë, komandantit të lindur, kërkues por tepër njerëzor, por do të shkruaj, patjetër. Do të shkruaj, jo me talentin e shkrimtarit, të cilin nuk e kam, por me inatin dhe kokëfortësinë e të moshuarit, i nxitur nga qëllimi i mirë, për të gdhendur e përjetësuar figurën e atij njeriu të veçantë, i cili, erdhi në jetë, kur na duhej, por, mjerisht, na iku shpejt e kur nuk duhej të na ikte. Inatin e kam të madh e nuk më del kollaj.

Jo me të gjithë botën, se nuk ia dal dot, por me një pjesë të saj. Më shumë më ngacmon fakti që disa “pseudo-shkrimtarë” apo, siç e thotë populli: “palo shkrimtarë” të cilët, në shkrimet e paguara, sikur të merrnin një biçikletë, me qera, i thurin vetes apo njerëzve të tyre, lavde apo atribute të pamerituara. Ca më keq kur ndonjë mjeran, rreket për të bërë të tijën, gjënë e tjetrit! Nuk më mbetet tjetër veç ti ngushëlloj e t’i ndjej këta qaraman bukëshkalë.

Shpresoj shumë se në udhën time, nuk do të jem i vetëm. Një aradhe e tërë bashkëkohësish të kolonelit: pilotë, teknikë, specialistë, ushtarë e punonjës të aviacionit, të cilët janë ende të gjallë, diçka dinë e me siguri duan të rrëfejnë për heroin tonë, si njeri, i veçantë, si ushtarak i rrallë e si pilot i talentuar. Koha e gjatë që ka kaluar, prej ndarjes së Niko Hoxhës nga jeta, nuk mund ti justifikojë, ca më tepër nuk mund t’i nderojë ata që ngrenë supet e thonë: “Pse të merremi me këtë ngjarje të largët, pse të merremi me të shkuarën, kur kemi halle plot”? Që kemi shumë halle e nuk i shikojmë të vihen në udhën e zgjidhjes, kjo është e vërtetë, por, për hir të tyre, nuk duhet t’i futemi tjetrit ne pjesë.

Ajo që i takon Niko Hoxhës, le t’ia atribuojmë atij, se të tjerëve, ajo nuk u ngjit. Ndonjërit që problemet shëndetësore ia ka mpirë trurin i qahet halli; por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për atë, i cili ka drojë të dalë publikisht, nga frika se mos do të ketë pasoja. E kam bindje të palëkundur se askush nuk e le dot mënjanë figurën e ndritur të Niko Hoxhës. Pluhuri i harresës, mund të bjerë e të mbulojë këdo, veç atë njeri kurrsesi.

Niko Hoxha e ka gdhendur me figurën dhe me punën e tij historinë e aviacionit shqiptar dhe portretin e tij. Përkushtimi i pashembullt i tij në detyrë, iniciativa e paparë si fluturues, e më në fund, rënia heroikisht, në krye të detyrës, në një kohë kur jeta e tij na duhej aq shumë, janë vlera të rralla e pika kulmore ku do të synojnë ushtarakët e çdo kohe. Shpresoj shumë në rrëfimet e shokëve të mi e të komandantit, gjithë atyre që kanë jetuar e punuar pranë tij. Të tillë ka mjaft e besoj do të më gjenden.

E ndiej veten borxhli, ndoshta dhe me faj, për atë që nuk e kam thënë më parë fjalën për kolonelin. Nuk shfajësohem dot, po të them se kam pritur radhën, mbasi të tjerë kanë mësuar me të në të njëjtën shkollë, kanë marrë pjesë në luftë e më pas në betejën e madhe për të ngritur aviacionin shqiptar, nga themelet. Gjithsesi, jam i bindur se, edhe me atë njohje që kam për atë njeri, i cili na iku papritur, kur na duhej, Niko Hoxha na u bë “jatak”, “nënë e babë”, shok e vëlla dhe mësues, si ai.

Kam mësuar aq shumë prej tij, jam “rritur” përkrah tij, kam marrë krahë, nga krahët e tij, jam frymëzuar nga guximi e trimëria e tij, kam fluturuar e kam luajtur me të, jam kënaqur e lumturuar kur ai ishte i tillë, duke parë sukseset tona, më ka befasuar me shakatë plot “kripë” që bënte dhe nga të qeshurat me lot, të tij, kur tregonte ndodhi nga jeta në repart e më gjerë. Kolonelin e kam parë si fluturonte me kurajë e guxim të pa treguar; e, më në fund, e pashë dhe si “u shua”, siç e mbyllin jetën trimat, heroikisht e të mbuluar me lavdi.

Për këto e të tjera tipare njerëzore që frymëzojnë, do të shkruaj siç di unë të shkruaj e, siç më vjen në kujtesë ai “zgalem”, i cili erdhi e na iku aq shpejt, papritur e pa u besuar syve. Meritë të veçantë, të cilën asnjeri nuk mund ta verë në diskutim, komandant Niko Hoxha ka dhe për faktin se ai jetoi e shërbeu në aviacionin tonë, në ata vite të vështirë, si rrallë në ndonjë vend tjetër, kur aviacionit tonë luftarak i duhej të çohej në këmbë e të çapitej nëpër shtigje të pashkelur.

Koloneli trim e legjendar, me kurajo e guxim, e mori për dore këtë “fëmijë” të mbarë, i dëftoi udhën e nderit dhe e ngjiti në ato maja, të cilat qenë ndoshta më të lartat e kohës, duke kapërcyer vështirësitë e rritjes, të cilat buronin dhe nga mungesa e traditës fluturuese, vendase. I përkushtuar ndaj detyrës ushtarake, në shkallën më të lartë të mundshme, me dashuri të pashoqe për ushtrinë, repartin, disiplinën e rregullin, tok me to fluturimin e aeroplanin, nëpërmjet udhëheqjes kudo e kurdoherë, me shembullin e tij, tipare që e shoqëruan kolonelin gjatë gjithë karrierës së tij ushtarake, deri sa, më në fund “e vulosi”, me jetën e tij të re, pa mbushur 39 vjeç.

Niko Hoxha ra, në krye të detyrës, në një fluturim tregues, me qitje reale, në një kohë kur jeta e tij e re ishte aq e shtrenjtë për brezin e ri të pilotëve dhe për të gjithë efektivët e armës së Aviacionit Luftarak Shqiptar. Komandanti i regjimentit u vra përpara syve tanë, në fund të aerodromit, kur po kryente një qitje luftarake – treguese, me aeroplan, duke i prirë formacionit me katër aeroplanë reaktivë ‘MIG’ – 17 F. Siç tha, ato ditë Beqir Balluku (në atë kohë Ministër i Mbrojtjes) “Niko, edhe me vrasjen e tij, mësoi: si të mos vriten pilotët”.

Niko Hoxha, ishte e mbetet hero. Një hero i veçantë e i merituar.

Koloneli ishte mjaft i nderuar e i respektuar sa qe i gjallë e, mbetet po aq i kujtuar edhe pas kaq shumë vitesh që kanë kaluar. Nikon e kam parë, për herë të parë, një të shtunë, aty nga mesi i qershorit të vitit 1963. Kisha përfunduar studimet, për pilot, në Kinë, së bashku me shokët: Dhori Zhezha, Adem Ceça, Andrea Toli e Bashkim Agolli dhe ishim emëruar; ‘pilotë gjuajtës-bombardues’ në regjimentin e aviacionit, në Rinas. Komandat regjimenti ishte koloneli i aviacionit, i paharruari Niko Selman Hoxha. Pas pushimit njëmujor pranë familjeve, u paraqitëm në repart.

Nuk ishim të pajisur me uniformë ushtarake, ndaj visheshim me kominoshe e mbathnim këpucë të lehta; në kokë vendosnim një kapele ushtarake, me shenjën e aviacionit sipër. Atë të shtunë regjimenti i Rinasit kishte organizuar fluturime të ndryshme. Efektivët e regjimentit, pjesëmarrës në fluturim, ishin grumbulluar në Zonën Nr. 1 e cila ndodhej në skajin Verior të aerodromit. Aeroplanët ishin rreshtuar përbri njëri-tjetrit, të gatshëm për t’iu bindur komandave të pilotëve, për t’u çuar në ajër. Binte një vesë shi. Aq sa për të ndaluar zhvillimin e fluturimeve. Efektivat kishin dalë për të fluturuar dhe ishin në pritje të përmirësimit të kushteve atmosferike.

Unë dhe shokët e mi, të veshur me kominoshe e këpucë të lehta, me kapele ushtarake në kokë shkonim drejt vendit ku ishte grumbulluar efektivi. Përpara sheshit ku aso kohe parkoheshin avionët civilë, të huaj, të cilët uleshin në aerodrom, ne u bashkuam me një grup oficerësh të repartit, të cilët kishin të njëjtën rrugë, me ne. Në atë grup ishte dhe shefi i shtabit të regjimentit, nënkoloneli nga Korça, Peço Polena. Peço mbante titullin e pilotit ushtarak të klasit të parë, por, për shkaqe shëndetësore, i ishte hequr e drejta e fluturimit e, ishte kthyer ne shef shtabi. Ai ishte piloti i parë shqiptar, i cili u ngrit me aeroplan luftarak, për herë të parë mbi qiellin e Tiranës, më 24 prill të vitit 1951.

Kjo ditë u shpall dita e krijimit të Aviacionit Luftarak Shqiptar e, u festua në këtë datë për shumë vite. Shefi i shtabit të regjimentit ishte trupvogël, i shkurtër e thatim, me qime të kuqërremtë e faqe të kuqe, me rremba. Peço, në rrethet shoqërore njihej si përdorues i rregullt i pijeve alkoolike dhe si qejfli bixhozi. Si njeri e si kuadër Peço Polena njihej si shpirtmirë e babaxhan. Kur më pa që kisha hapur çadrën e shiut, duke qenë i veshur ushtarak, nënkoloneli vuri duart në mes e “u shkri së qeshuri”. Nuk ma dinte emrin por, me shaka m’u drejtua, me fjalët: “Deri më sot nuk kisha parë oficer, me çadër të hapur”. Më turpëroi shefi i shtabit. Oficerët që e shoqëronin dhe shokët e mi, qeshën me pamjen time e me shakanë e shefit.

Ndërkohë që efektivët ishin në pritje të përmirësimit të kushteve të motit, kolonel Niko Hoxha, ndodhej tek makina e udhëheqësit të fluturimeve, në anën Lindore të brezit ku ngrihen aeroplanët. Ai, gjithashtu ishte në pritje të përmirësimit të motit, i gatshëm për të dhënë udhëzimet, para fluturimit me qëllim që ta njihte efektivin me veçoritë e punës në atë ditë fluturimi. Me një aeroplan ‘MIG’-17 F, atë ditë, komandanti kishte bërë “zbulimin e kohës “dhe e kishte të freskët informacionin qe do t’u përcillte pilotëve. Kur shiu pushoi e moti u qartësua, efektivat e regjimentit, oficerë e ushtarë u rreshtuan, sipas nënreparteve e shërbimeve, përpara aeroplanëve.

Avionët që do të ngriheshin në ajër atë ditë, ishin të përzier: ‘MIG’-19 PM; ‘MIG’-17 F, dhe ‘MIG’-15 Bis (mësimorë). Të tre tipat e avionëve, do të fluturonin në të njëjtën ditë. Në fillim do të fluturonin aeroplanët më të sofistikuarit, gjuajtësit supersonikë reaktivë, të pajisur me lokatorë dhe raketa të drejtuara ajër-ajër. Pas tyre do të ngriheshin në ajër aeroplanët e tipave të tjerë. Aty e pashë, për herë të parë kolonel Niko Hoxhën. Portreti i atij njeriu të jashtëzakonshëm, m’u ngulit thellë në mendje e, nuk m’u shua nga kujtesa edhe pse kanë kaluar shumë vite. Sot, pas gati 50 vitesh, kujtoj, sikur ta kisha parë dje, figurën e tij interesante.

Koloneli qëndronte i vetëm, përballë regjimentit të rreshtuar, krenar, i rregullt e mjaft elegant. Ai ishte 36 vjeç, në atë kohë e mua 20 vjeçarit më dukej “i madh” në moshë. E kam të fiksuar atë trup të gjatë e të rregullt, prej atleti, me shpatulla të gjëra e me këmbë të gjata, me mustaqe të rregullta dhe i veshur me uniformë fluturimi (çizme të shkurtra, pantallona kilota, bluzë lëkure dhe kokore piloti në kokë). Të gjitha prej lëkure, bojë kafetë errët. Kokoren (shlemafonin) me rrjetë, e kishte të zbërthyer tek tokëza. Dy kordonë i vareshin prej tij. Njeri syresh përfundonte me një kokë metalike, të bardhë, e cila shërbente si nyjë lidhëse e kufjes së kokores, me aparatin e radios të trupit të aeroplanit.

Koloneli, me detyrë komandant regjimenti, qëndronte i vetëm, përballë efektivëve, në vartësi të tij, që do të merrnin pjesë në fluturimet e asaj dite. Hijerëndë, me trup azgan, me pamjen e një njeriu kompetent, i cili di çfarë flet, me një vështrim të rreptë shqiponje, simpatik në të tërë qenien e tij, me lëvizje të shkathëta e të sigurta, me atë veshje të bukur, e cila i shkonte aq shumë për shtat. Të tillë e pashë dhe e fiksova Niko Hoxhën, qysh në prezantimin e parë dhe i tillë mbeti ai në përfytyrimin tim, edhe pas kaq kohësh. Regjimenti ishte i rreshtuar, sipas nënreparteve që e përbënin, përbri njëri-tjetrit.

Në krye qëndronin kuadrot e shtabit të regjimentit, të prirë nga nënkoloneli trup-imët Peço Polena. Të gjithë të veshur me uniformë ushtarake, të rregullt, të pastër e të hekurosur. Oficerëve të shtabit të regjimentit, u shkëlqenin çizmet prej lëkure, brenda të cilave futeshin pantallonat kilota e sipër tyre ndriste gjimnastorka dhe një rrip krahaqafë. Në jakën e gjimnastorkës zbardhte qaforja e bardhë, e qepur me merak e hijeshi. Në kokë, çdo oficer mbante kapelën e aviacionit, me ato shenja metalike të verdha, që simbolizonin krahët të shtrirë të një zogu.

Pas shtabit të regjimentit ishte rreshtuar katërshja (zvena) e parë, e komanduar nga komandanti i skuadriljes së dytë, kapiteni i parë Kosta Neço Dede, pilot i talentuar, një vuniot mjaft i zgjuar e, shumë i shkathët. Pas saj ishte katërshja e dytë, me komandant pilotin nga Progonati, kapitenin e dytë, Çobo Ibro Skënderi dhe e mbyllte skuadriljen, katërshja e tretë, me komandant pilotin Bajazit Qani Jaho, kapiten i dytë, nga Dunavati i Gjirokastrës. Katërshet ishin vendosur pranë njëra-tjetrës, veç e veç.

Midis pilotëve, teknikëve dhe specialistëve të së njëjtës katërshe, nuk kishte hapësirë bosh. Ata dalloheshin vetëm nga uniforma që kishin veshur. Pilotët ishin të veshur me uniformë fluturimi, si ajo e komandantit të regjimentit. Në kokë mbanin kapelën e oficerit, me shenjat dalluese të armës së aviacionit dhe në dorë, secili prej tyre mbante një si çantë prej mushamaje, brenda së cilës kishte vendosur kokoren e pilotit. Teknikët dhe specialistët ishin të veshur me kominoshe doku. Të njëjtën veshje kishin dhe ushtarët mekanikë aeroplani. Të ndryshme nga oficerët, kishin kapelat. Në fund të rreshtit, qëndronte efektivi i ndërlidhjes e, ai i radio-dritës dhe e mbyllte rreshtin efektivi i prapavijës.

Në krye të rreshtimit qëndronte një njeri, i veshur me uniformë oficeri, në supet e të cilit dallohej grada e majorit dhe kapelën e kishte të ndryshme nga ajo e oficerëve aviatorë. Oficeri ishte nga Vithkuqi i Korçës dhe quhej Nasi Kita. Ai nuk ishte as pilot, as teknik apo specialist i aviacionit, por kishte ardhur nga repartet e këmbësorisë. Në sytë tanë, edhe pse na ishte prezantuar se kryente një detyrë partie mjaft të rëndësishme, atë të zëvendëskomandantit të regjimentit, për punë politike, ky njeri, nuk na “ngjiste”. Prania e tij në përbërje të regjimentit të aviatorëve, na krijonte atë shijen e keqe, sikur, një dhi gjendej në mes të deleve.

Nuk e shpjegoj dot këtë ndjesi. Ndoshta kjo lidhej me specialitetin tonë, të veçantë, apo buronte nga fakti që pilotët kishin nivel tjetër, krahasuar me oficerët që nuk kishin specialitetin tonë. Diku, në shtab, i ngatërruar mes rreshtave, qëndronte një oficer, ndoshta me gradën e majorit. Portreti i këtij oficeri ishte paksa i veçantë. Me trup e moshë mesatare, i mbushur e i zgjuar, çalash, në dukje shakaxhi por në përmbajtje qylaxhi, afrohej e largohej si hije, u bënte lajka të gjithëve dhe të gjithë i raportonte.

Nuk dua të përdor ndonjë fjalë tjetër, më të rëndë, edhe pse ky oficer i Sigurimit, e meritonte atë. Kur takohej me ne, pilotët e rinj, mbasi të jepte dorën, sllogani i tij ishte: ”E kam thënë një fjalë të mirë, për ty”. Qëllimi ishte të të rrëmbente ndonjë dopio fërneti. Funksionin me të cilin ushqehej ai njeri, e kishte shef i Sigurimit të Shtetit. Çdo njeri përpiqej t;i shmangej e; të mos ballafaqohej me të. Memorie.al