Ballina Europë Iran: Dënimi me vdekje si instrument i shtypjes

Iran: Dënimi me vdekje si instrument i shtypjes

34
0

Numri i ekzekutimeve në Iran arriti një rekord alarmues në vitin 2024. Sipas një raporti nga Organizata e Iranit për të Drejtat e Njeriut (IHR) dhe OJQ-jafrancezeAnsambli Contre la Peine de Mort (ECPM), të paktën 975 persona janë ekzekutuar – numri më i lartë në më shumë se 20 vjet.

“Dënimi me vdekje është baza e shumë shkeljeve të të drejtave të njeriut në Iran. Ai shërben si një mjet për të shtypur dhe frikësuar shoqërinë,” tha për Deutsche Welle, Mahmud Amiri-Moghaddam, kreu i IHR me qendër në Norvegji. Dënimi me vdekje nuk vendoset vetëm për krime të rënda si vrasja – edhe kur kryhen në vetëmbrojtje – por me vdekje po dënohen gjithnjë e më shumë edhe kundërshtarët politikë.

“Regjimi po përfiton nga mungesa e vëmendjes ndërkombëtare për të kryer sa më shumë ekzekutime”, tha Amiri-Moghaddam. Kjo ishte veçanërisht e dukshme në tre muajt e fundit të vitit të kaluar, kur tensionet midis Iranit dhe Izraelit u rritën: gjatë kësaj periudhe, deri në gjashtë persona ekzekutoheshin çdo ditë.

Edhe Kombet e Bashkuara shprehën shqetësimin e tyre. “Numri i lartë i ekzekutimeve në Iran është thellësisht shqetësues,” paralajmëroi Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Türk në fund të janarit. Sipas zyrës së tij, vetëm në dhjetor, në një javë, janë ekzekutuar rreth 40 persona.

Numri i ekzekutimevetë grave gjithashtu arriti nivelin më të lartë që nga viti 2007, me 31 raste të regjistruara. Një grua vrau burrin e saj për të mbrojtur vajzën e saj nga abuzimi seksual, tha Liz Throssell, zëdhënëse e zyrës së OKB-së për të drejtat e njeriut.

Thirrjet për heqjen e dënimit me vdekje

Aktivistë të njohur për të drejtat e njeriut, duke përfshirë fituesen iraniane të çmimit Nobel për Paqe, Narges Mohammadi, e cila aktualisht është në pushim nga burgu për arsye shëndetësore, protestojnë vazhdimisht kundër rritjes së numrit të ekzekutimeve. Në një video të siguruar nga Deutsche Welle, aktivistët u mblodhën përpara burgut famëkeq Evin në Teheran më 19 shkurt.

Me këtë tubim ata u solidarizuan me të burgosurit që protestojnë çdo javë kundër dënimit me vdekje. Të burgosurit kishin nisur pak muaj më parë fushatën “Të martat pa ekzekutime”, për të protestuar kundër ekzekutimeve çdo të martë.

Mahmud Amiri-Moghaddam e përshkruan këtë lëvizje si një ndryshim të rëndësishëm shoqëror: “Për herë të parë në historinë e Iranit, të burgosurit po udhëheqin një lëvizje proteste kundër dënimit me vdekje. Ky mund të jetë fillimi i një lëvizjeje më të gjerë shoqërore.

Përveç Narges Mohammadit, në protesta kanë marrë pjesë edhe personalitete të tjera të shquara si juristja dhe teologia Sedighe Vasmaghi. Në një deklaratë të përbashkët me avokaten e të drejtave të njeriut, Nasrin Sotoudeh, Vasmaghi dënoi ashpër dënimet me vdekje ndaj të burgosurve politike femra: “Këto dënime janë një hakmarrje e qartë ndaj lëvizjes protestuese me sloganin “Gratë, Jeta, Liria”.

Letra e hapur e avokatëve

Në një letër të hapur drejtuar kreut të gjyqësorit, Gholamhossein Mohseni-Ejei, 228 avokatë iranianë kritikuan gjithashtu procedurat kundër aktivistëve: Pakhsan Azizi, Varisheh Moradi (Mirzaei) dhe Sharifeh Mohammadi si jashtëzakonisht të padrejta. Këto gra u arrestuan për pjesëmarrje në protesta politike dhe u dënuan me vdekje në gjykime që kanë zgjatur shumë shkurt.

Në letrën të cilën ka pasur mundësi të shohin edhe gazetarët e Deutsche Welles, nënshkruesit theksojnë se po veprojnë jo vetëm si avokatë, por edhe jashtë përgjegjësisë njerëzore: “Këto vendime jo vetëm që shkelin vlerat islame dhe humanitare, por shkelin edhe detyrimet ndërkombëtare të Iranit për të drejtën e jetës dhe për një gjykim të drejtë”.

“Vendosni dënimin me vdekje në qendër të negociatave diplomatike”

Organizata e Iranit për të Drejtat e Njeriut (IHR) dhe OJQ-ja franceze Ansambli Contre la Peine de Mort (ECPM) i bëjnë thirrje komunitetit ndërkombëtar që t’i bëjë ekzekutimet në Iran një temë prioritare të diskutimeve diplomatike.

“Shtetet liberale demokratike duhet të dënojnë këtë valë ekzekutimesh dhe të mbështesin rezistencën në rritje në Iran kundër dënimit me vdekje. Ne duhet të gjejmë mënyra afatshkurtra dhe afatgjata për të ushtruar presion mbi qeverinë iraniane dhe për të sjellë ndryshime në ligj”, tha Amiri-Moghaddam.

Shqetësues është edhe numri i lartë i ekzekutimeve për vepra të lidhura me drogën: nga 975 ekzekutime në vitin 2024, 503 ishin të personave të dënuar në lidhje me veprat për droga. Pavarësisht këtij zhvillimi alarmues, Zyra e OKB-së për Drogën dhe Krimin (UNODC) vazhdon të bashkëpunojë me autoritetet iraniane. Organizatat e të drejtave të njeriut po kërkojnë që UNODC të bëjë më shumë për të siguruar që këta persona të mos dënohen më me vdekje ose që të përfundojë bashkëpunimin me Republikën Islamike./DW