Ballina Aktualitet Parandalimi i krimeve zgjedhore/ Celibashi, Dumani dhe Çela nënshkruajnë protokollin e përbashkët

Parandalimi i krimeve zgjedhore/ Celibashi, Dumani dhe Çela nënshkruajnë protokollin e përbashkët

22
0

Sot, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nënshkruar një protokoll bashkëpunimi me Prokurorinë e Përgjithshme dhe SPAK, me qëllim forcimin e integritetit dhe besueshmërisë së procesit zgjedhor për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025. Në një ceremoni në ambientet e KQZ, ishin të pranishëm Kreu i SPAK, Altin Dumani, dhe Kryeprokurori Olsian Çela, ndërsa nënshkrimi i protokollit u bë nga kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi.

Ky protokoll synon të parandalojë dhe ndjekë veprat penale të lidhura me zgjedhjet, duke krijuar mekanizma të shpejtë dhe efikas për shkëmbimin e informacionit mes institucioneve, duke garantuar një proces zgjedhor të drejtë dhe të lirë. Sipas KQZ, bashkëpunimi ka për qëllim parandalimin e krimeve zgjedhore dhe ndëshkimin e çdo shkeljeje që mund të cënojë procesin zgjedhor.

Ky hap vjen si pjesë e përpjekjeve për të forcuar transparencën dhe besimin e qytetarëve tek zgjedhjet dhe institucionet përgjegjëse për administrimin e tyre. Protokolli nënvizon angazhimin për një proces zgjedhor të paanshëm, që plotëson standardet demokratike dhe normat e Bashkimit Evropian.

Bashkëpunimi i strukturave të KQZ, Prokurorisë së Përgjithshme dhe SPAK do të vijojë gjatë gjithë periudhës zgjedhore, për të garantuar që çdo rast i dyshuar ose përpjekje për të ndikuar në zgjedhje të trajtohet me përgjegjshmëri dhe profesionalizëm.

Njoftimi i KQZ në rrjete sociale:

Sot në mjediset e KQZ Shqiperi, së bashku me Prokurorin e Përgjithshëm, z. Olsian Çela dhe Drejtuesin e SPAK, z. Altin Dumani, nënshkruam Protokollin e Koordinimit dhe Bashkëpunimit mes Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Prokurorisë së Përgjithshme dhe Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Ky protokoll është një hap i rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit institucional për të garantuar integritetin dhe besueshmërinë e procesit zgjedhor për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025.

Nëpërmjet këtij protokolli parashikohen masa të përbashkëta për parandalimin, identifikimin dhe ndjekjen e veprave penale që lidhen me zgjedhjet, si dhe krijimi i mekanizmave të qëndrueshëm për shkëmbimin e shpejtë dhe efikas të informacionit mes institucioneve të përfshira.

Ky bashkëpunim i strukturuar synon jo vetëm parandalimin e krimeve zgjedhore, por edhe ndëshkimin e çdo shkeljeje që cënon procesin zgjedhor, duke forcuar kështu drejtësinë zgjedhore dhe duke garantuar që çdo veprim kundër votës së lirë të marrë përgjigjen e duhur ligjore.

Me këtë marrëveshje, KQZ, Prokuroria e Përgjithshme dhe SPAK riafirmojnë angazhimin e tyre për një proces zgjedhor të drejtë, të lirë dhe në përputhje me standardet demokratike dhe normat e Bashkimit Evropian.

Protokolli është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të rritur transparencën dhe për të forcuar besimin e qytetarëve tek zgjedhjet dhe institucionet përgjegjëse për administrimin dhe monitorimin e tyre.

Bashkëpunimi do të vijojë gjatë gjithë periudhës zgjedhore, me koordinim të pandërprerë mes palëve për të garantuar që çdo rast i dyshuar apo çdo përpjekje për të ndikuar në procesin zgjedhor të adresohet me përgjegjshmëri dhe profesionalizëm.