Ballina Opinion A do ia heqë Trump non gratën Berishës, po Ramës a do...

A do ia heqë Trump non gratën Berishës, po Ramës a do ia tregojë vendin?

46
0

Nga Çapajev Gjokutaj

Pyetje të tilla e diskutime ‘kompetente’ rreth tyre i has këto ditë  jo vetëm në diskutimet e miletit të fejsbukut, po edhe në portalet e shumta, madje edhe në banaqet e televizioneve kombëtare.

Diskutohet me aq zjarr sa të krijohet përshtypja se dueli për pushtet në Tiranë renditet në shqetësimet kryesore globale. Dukuri e stërlashtë. Kështu ka qenë në vaktin e Dovletit. Kështu në kohën e Orëve të Kremlinit. Kështu edhe sot.

Duket se si komb e kemi një kompleks me të mëdhenjtë, më saktë me autoritetin. Shumë e kanë vënë re, por nuk bien në një mend për shkaqet. Ca e shpjegojnë me etninë, karakteristikat e racës.

Thonë se shqiptarët denbabaden kanë qenë popull me shpirt të madh, të etur për aventura dhe liri. Që të realizohet ky shpirt duhen hapësira perandorake dhe jo një pëllëmbë vend, mbushur me male e bokërrima.

Të tjerë thërrasin në ndihmë gjeografinë, vendndodhjen hapësinore. Përherë në kufij perandorish, botësh, qytetërimesh. Provincialët, kudo e kurdo, e kanë një kompleks me qendrat e pushtetit.

Ka të tjerë që thërrasin në ndihmë psikologjinë. Lektisjen tonë pas të mëdhenjve e shohin si gjë të natyrshme. Jemi të pamaturuar në demokraci dhe liri. Si gjithë fëmijët kemi nevojë për autoritetin e të madhit që të qetësojmë ankthet ekzistenciale.

Do rritemi, do kalojmë në moshën e adoleshencës për t’u bërë kryengritës. Vetëm në moshën e pjekurisë do arrijmë të çlirohemi nga komplekset foshnjore dhe do u shërbejmë me dinjitet interesave tona. Me fjalë të tjera, do bëjmë real politikë.

Të gjitha këto shpjegime tingëllojnë bukur e mund të kenë fije të vërtetash. Gjithsesi, përmbajnë shumë materie poetike për ta përfaqësuar të vërtetën.

Nga ana tjetër të kujtojnë se kërkimi i shkaqeve, duke përdorur qasje metafizike, herët a vonë të shpije në shfajësime dhe skepticizëm.

Mbase është më mirë të përqendrohemi te fakti, dmth te qëndrimi ynë i kompleksuar ndaj autoritetit dhe ta lëmë mënjanë lektisjen pas shkaqesh metafizike e poetike.

Ngado që ta rrotullosh këtë diskutim në fund do dalësh në të njëjtën qafë: jemi e do mbetemi në pelenat e demokracisë për sa kohë nuk e presim sovranitetin nga votat e qytetarëve por nga makinacione ndërkombtarësh.