GJKKO ka caktuar vazhdimin e masë së sigurisë detyrim paraqitje për biznesmenin, Sokol Kryeziu, i cili është i përfshire në dosjen që rëndon ndaj kryetarit të bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, i cili ndodhet në qelinë e paraburgimit të Durrësit.
Urdhërohet personi nën hetim Sokol Kryeziu, që të paraqitet përpara oficerëve të policisë gjyqësore pranë Byrosë Kombëtare të Hetimit, të premten e parë dhe të katërt të çdo muaji në orën 14.45″, thuhet në njoftimine GJKKO.
Biznesmeni i kompanisë “Gerard-A” është pjesë e dosjes së Erion Veliajt. Ai ka blerë 50 milionë lekë piktura pranë “NAN Gallery”, që kontrollohet nga Ajola Xoxa, ndërsa më herët ka qenë një fshesar në Drejtorinë e Përgjithshme të Pastrim Gjelbërimit, punëtor ngarkim-shkarkimi apo faturino.
1. Kërkuesi Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me datë 26.02.2025 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Marrjen në pyetje të personit të arrestuar dhe verifikimin e kushteve të zbatimit të masës së sigurimit
“Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i Kodit të Procedurës Penale, caktuar ndaj personit nën hetim Sokol Kryeziu me vendimin Nr. 7, datë 09.02.2025 të Gjykatës së Posaҫme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”.
2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Bani, bazuar në nenet
112 dhe 248 të K.Pr.Penale, me vendimin Nr. 24, datë 28.02.2025, vendosi:
1. Vazhdimin e masës së sigurimit “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore” parashikuar nga neni 234 të Kodit të Procedurës Penale, caktuar ndaj personit nën
hetim Sokol Kryeziu, me vendimin Nr.7, datë 09.02.2025, të Gjykatës së Posaҫme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me këtë ndryshim:
2. Urdhërohet personi nën hetim Sokol Kryeziu, që të paraqitet përpara oficerëve të policisë gjyqësore pranë Byrosë Kombëtare të Hetimit, të premten e parë dhe të katërt të çdo muaji në orën 14.45
3. Ngarkohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në bashkëpunim me policinë gjyqësore për ekzekutimin e këtij vendimi.
4. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaҫme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 5 (pesë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi
Kush është Sokol Kryeziu, nga fshesar i Bashkisë në biznesmen që blen vepra arti
News24 mëson detaje të dosjes hetimore ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj dhe bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa, ku i pari ndodhet nën arrest me urdhër të SPAK, ndërsa e dyta në arrest shtëpie.
Ndaj Erion Veliajt, rëndojnë akuza për korrupsion ne 9 raste dhe pastrim parash. Episodi i parë që përshkruhet në dosjen e akuzës është lidhja e çiftit Veliaj-Xoxa me biznesmenin Gentian Sula të Kodrës së Diellit.
Gentjan Sula dhe Erion Veliaj njihen që nga viti 2004 dhe kanë bërë të paktën 3 udhëtime me charter jashtë vendit. Po ashtu, rezulton se kur Erjon Veliaj ishte ministër i Punës, ka punësuar bashkëshorten e Gentjan Sulës si zv.ministre.
SPAK thotë se kompania “Agi Kons” e Gentjan Sulës ka përfituar leje ndërtimi dhe tendera pranë Bashkisë së Tiranës dhe në këmbim i ka dhënë çiftit Veliaj-Xoxa një vilë në “Marea Resort” në Qerret të Kavajës.
Vila nuk rezulton në emër të kryetarit të Bashkisë apo bashkëshortes së tij, por sipas SPAK ata kanë qëndruar aty gjë që vërtetohet nga qelizat telefonike, nga dëshmitë e shoferit të Ajola Xoxës dhe personave të tjerë të besuar.
Një tjetër biznesmen i afërt me Erion Veliajn është Shkëlqim Fusha, i kompanisë Fusha i cili në këmbim të një leje ndërtimi në Yrshek ka kaluar një shumë parash në emrin e dy avokateve të lidhur me Ajola Xoxën dhe ata e kanë kaluar gjysmën e shumës në llogaritë e Qendrës HARABEL që kontrollohet prej saj.
SPAK ka zbuluar gjithashtu se kompania Palushi e Meriman Palushit, ka marrë leje ndërtimi nga Erjon Veliaj në vitin 2019 për ndërtimin e një godinë banimi dhe shërbimi dhe ka financuar dy OJF Qendra “Eventus” dhe OJF “BYL-A” në shumën e 50 mijë eurove. Të dyja OJF kontrollohen nga Ajola Xoxa. Bëhet fjalë për financim festivali artistik.
Ndërsa Sokol Kryeziu i kompanisë “Gerard-A” ka blerë 50 mln lekë piktura pranë “NAN Gallery” që sipas SPAK kontrollohet nga Ajola Xoxa. Ndërsa më herët, Sokol Kryeziu ka qenë një fshesar në Drejtorinë e Përgjithshme të Pastrim Gjelbërimit, punëtor ngarkim shkarkimi apo faturino.
Fatmir Bektashi i kompanisë “Kontakt sh.p.k” që ka marrë disa leje ndërtimi pranë Bashkisë, ai ka financiar sipas SPAK një udhëtim të citit në Roterdam të Holandës, si dhe dy aktiviteteve të për OJF “BYL-A” të Ajola Xoxës për organizimin e dy festivaleve të ICDF (Internacional Contermporari Dance Festival). Të 5 biznesmenët janë nën masën e detyrimit për paraqitje.
Ndërsa, Elman Abule që rezulton në qendër të skemës së pastrimit të parave dhe firmosjes së faturave fiktive për llogari të kompanive të Ajola Xoxës, është nën “arrest me burg”. Të 8 të dyshuarit do të përballen nesër me Gjykatën e Posaçme.
Sali Berisha, në konferencën me gazetarët, u shpreh se “si ka mundësi që një fshesaxhi të bëhet i pasur me 6 milionë euro nga Erion Veliaj”, referuar biznesmenit Sokol Kryeziu.
“Si mundet të marrë fshesaxhiun dhe ta bëjë milioner me 6 milionë euro, Erion Veliaj? Si mundet të ketë tre vila dhe të rrafshojë një vilë për hapësirë?
Si mundet të flasësh për standardet që janë prishur standardet? Unë jam për standardet, por a e dini ju që 62% e atyre që janë në burgje janë të paraburgosur që është krimi më i shëmtuar. I plasin aty sikur të mos ishin njerëz”, deklaroi ai.
Prokuroria e Posaçme SPAK ka dalë me njoftim zyrtar në lidhje me arrestimin e Erion Veliajt, masën e sigurisë ‘arrest në shtëpi’ ndaj bashkëshortes së tij Ajola Xoxa, si dhe masat e sigurisë ‘detyrim paraqitje’ ndaj 5 biznesmenëve.
Sipas SPAK, Erion Veliaj akuzohet “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë) dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Ajola Xoxa akuzohet për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë), “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.
Gentian Sula, Meriman Palushi, Fatmir Bektashi, Sokol Kryeziu dhe Shkëlqim Fusha, akuzohen për veprën penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”.
Gjithashtu masë sigurie “arrest në burg” është caktuar ndaj një zyrtari, emri i të cilit ende nuk është publik.
SPAK njofton se nga të dhënat konkrete të mbledhura deri në këtë fazë të hetimit paraprak, në mënyrë të përmbledhur rezulton se, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj si edhe bashkëshortja e këtij të fundit, Ajola Xoxa, është ideuar, krijuar dhe vënë në funksionim një mekanizëm që ka synuar dhe ka bërë të mundur, në praktikë, marrjen e përfitimeve të parregullta, të cilat burojnë nga fondet publike që administrohen nga Bashkia Tiranë, përmes titullarit të saj, me qëllim pasurimin personal të këtij të fundit dhe familjes së tij, përmes veprimeve të kamufluara dhe të kundërligjshme.
Në lidhje me praktikat e ndjekura nga këta shtetas, nisur nga provat e administruara në fashikull, SPAK thotë se në të paktën 10 raste, krijohet dyshimi i arsyeshëm për kryerjen e veprimeve me natyrë korruptive nga i zgjedhuri vendor, si edhe pastrim të produkteve të veprës penale.
“Kryetari i Bashkisë Tiranë, shtetasi ERION VELIAJ, përmes veprimeve konkrete të cilat kanë kulmuar me nënshkrimin e tij ka miratuar në çdo rast shpërndarjen e fondeve publike si edhe lejet e ndërtimit tek disa subjekte tregtare, të lidhur ngushtë me të, përfaqësuesit e të cilëve janë përmendur më lart. Këto fonde publike më pas kanë përfunduar tek disa organizata jofitimprurëse, shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, persona fizikë të kontrolluar de jure dhe de facto nga bashkëshortja e tij, shtetësja AJOLA XOXA., si edhe individë të afërt me këtë të fundit, duke krijuar një rrjet të dyshimtë e të komplikuar transaksionesh.
Organi procedues ka mbledhur prova, të cilat krijojnë dyshimin e arsyeshëm mbi ekzistencën dhe funksionimin e një skeme korruptive, nga zbërthimi i së cilës në përmbledhje rezulton se fondet publike që dalin nga institucioni i Bashkisë Tiranë, me nënshkrimin e titullarit, i) kanë kaluar drejtpërsëdrejti tek bashkëshortja e këtij të fundit (rrjedhimisht tek vetë shtetasi nën hetim ERION VELIAJ) dhe rrethi i saj familjar, përmes OJF-ve dhe personave juridikë të kontrolluar de jure dhe de facto nga kjo shtetase; ii) kanë kaluar përmes sponsorizimeve, likuidimeve të faturave fiktive apo blerjeve, të bëra prej subjekteve tregtare, të cilët nga ana e tyre kanë përfituar leje ndërtimi apo fonde publike nga Bashkia Tiranë, tek OJF-të, shpk-të dhe personat fizikë të kontrolluar de jure dhe de facto nga bashkëshortja e kryetarit të Bashkisë Tiranë; iii) kanë kaluar si pasuri të paluajtshme në vlerë të konsiderueshme, specifikisht një godinë banimi e tipit “Vilë” e ndodhur në Qerret-Kompleksi “Marea Resort”, dhënë si përfitim i parregullt nga persona konkretë përmendur më lartë, të cilët zotërojnë dhe përfaqësojnë subjekte tregtarë, të lidhur ngushtë me interesa financiare me Bashkinë Tiranë, përmes përfitimit të fondeve publike si edhe lejeve të ndërtimit, tek familja e kryetarit të Bashkisë Tiranë; iv) janë shpenzuar për blerje me vlera të mëdha nga bashkëshortja e kryetarit të Bashkisë Tiranë, duke i kamufluar këto blerje, përmes personave të tjerë. Çdo transferim i këtyre fondeve publike dhe lëshimi i lejeve të ndërtimit është kryer me miratimin e kryetarit të Bashkisë Tiranë, shtetasit ERION VELIAJ.
Faktet dhe provat e grumbulluara, edhe pse i referohen episodeve konkrete të evidentuara deri në këtë fazë, krijojnë dyshimin e arsyeshëm se në rastin konkret bëhet fjalë për një sistem të organizuar korrupsioni dhe shpërdorimi të fondeve publike, të shtrirë në kohë, sipas një skeme të vënë në funksionim nga kryetari i bashkisë Tiranë dhe bashkëshortja e këtij të fundit. Në qendër të kësaj skeme korrupsioni dhe pastrimi të produkteve që burojnë nga kjo vepër, rezulton të jetë titullari i institucionit, nënshkrimi i të cilit ka qenë përcaktues për shpërndarjen e fondeve publike, prej të cilave ai dhe familjarët e tij të ngushtë kanë përfituar drejtpërsëdrejti në mënyrë të parregullt”, njofton SPAK.
Ndër të tjera, Prokuroria e Posaçme ka arritur në konkluzionin se, përveç pasurive të paluajtshme të përfituara nga shtetasit nën hetim (nën regjimin pasuror të bashkësisë ligjore), këta të fundit, vetëm përmes shoqërive “P. L.” shpk, “A. L.” shpk, “A. S.” shpk, “N. G.” shpk, “H.” OJF, “E.” OJF, “B.-A” OJF dhe “M.” OJF, për të cilat ekzistojnë prova të mjaftueshme se kontrollohen plotësisht nga bashkëshortja e kryetarit të Bashkisë Tiranë, por edhe “R.” shpk dhe shoqëri të tjera të lidhura me shtetasin nën hetim E. A., kanë gjeneruar të ardhura të cilat kapin shifrën e rreth 110.000.000 lekë.
Më pas, me veprimet e tyre të kundërligjshme, të kryera në bashkëpunim dhe më shumë se një herë, të cilat konsistojnë në integrimin në sistemin bankar të këtyre shumave monetare, të siguruara si përfitime të parregullta, por edhe të fshehjes ose mbulimit të natyrës së vërtetë së pasurive, në kushtet kur këto pasuri dihet se janë produkte të veprës penale sipas nenit 260 të ligjit material, shtetasit nën hetim dyshohet se kanë përmbushur elementët e parashikuar në gërmat a) dhe b) të nenit 287 të Kodit Penal (“Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”).
Qëllimi kriminal i shtetasve nën hetim për integrimin në sistemin bankar të shumave monetare të cilat janë rezultat i përfitimeve të parregullta, do të ishte i pamundur të përmbushej pa rolin përcaktues të subjekteve të tjera tregtare, shpk dhe OJF, të identifikuar deri tani në regjistrin e njoftimit të veprave penale. OJF-të “H.”, “E.”, “M.” dhe “B.-A”, të kontrolluara plotësisht nga shtetësja nën hetim AJOLA XOXA., deri në këtë fazë të hetimit paraprak dyshohet të kenë kryer veprime konkrete të kundërligjshme në drejtim të pastrimit të produkteve të veprës penale, nëpërmjet transferimit të pasurive me qëllim fshehjen ose mbulimin e origjinës së paligjshme të tyre, duke ditur se këto pasuri janë produkt i veprës penale sipas nenit 260 të Kodit Penal. Në vijim të hetimeve Prokuroria e Posaçme ka regjistruar në regjistrin e njoftimit të veprave penale edhe emrat tregëtarë të këtyre OJF – ve.
Po kështu, ky qëllim kriminal për pastrimin e produkteve të veprës penale, që i referohet rastit të kalimit të të hollave nga shoqëritë e administruara nga shtetasi nën hetim …. dhe familjarë të tij, do të ishte i pamundur të realizohej pa bashkëpunimin e këtij të fundit në kryerjen e veprimeve të kundërligjshme, të cilat kanë kulmuar në pagesat e bëra për shoqëritë tregtare si edhe personat fizikë të kontrolluar de jure dhe de facto nga shtetësja AJOLA XOXA.
Përveç sa është përshkruar më lart, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka siguruar prova të mjaftueshme për të konkluduar se shtetësja AJOLA XOXA., vetë ose nëpërmjet personave të tjerë të afërt me të, për një periudhë kohore prej rreth 4 vitesh, ka bërë blerje online të cilat konsistojnë në veshje, bizhuteri etj, në masën 86,721,175 lekë. Këto shpenzime nuk rezultojnë të jenë deklaruar në asnjë nga Deklaratat Periodike të titullarit të Bashkisë Tiranë si edhe personave të lidhur me të.
Po kështu, kjo shtetase në asnjë rast nuk ka përmbushur detyrimet që burojnë nga ligji nr. 9049 datë 10.04.2023, në lidhje me deklarimin e pjesëmarrjes së saj në bordin e një organizate jofitimprurëse, e cila provohet të ketë gjeneruar të ardhura të shumta, por edhe njëkohësisht pronare (organizata) e një subjekti tregtar me natyrë fitimprurëse (shpk). Fshehja e këtyre fakteve nga shtetësja nën hetim AJOLA XOXA., ka pamundësuar organet ligjzbatuese për të patur një panoramë të plotë dhe të qartë sa i takon, jo vetëm pjesëmarrjes së kësaj shtetase në borde organizatash, të cilat nga ana e tyre zotërojnë shpk, por çfarë është më e rëndësishme, ka pamundësuar “konstatimin” dhe “gjurmimin” e një sasie të konsiderueshme të hollash, të cilat kanë qarkulluar nëpërmjet këtyre subjekteve të kontrolluara faktikisht nga shtetësja nën hetim. Pikërisht, mungesa e plotë e kësaj transparence ka bërë të mundur më pas edhe funksionimin e një skeme kaq të organizuar të lëvizjes së shumave monetare, nga, dhe nëpërmjet këtyre OJF-ve dhe shpk-ve.
Në lidhje me shtetasit nën hetim, përfaqësues të subjekteve tregtare cituar më lart, organi procedues ka grumbulluar prova të cilat të çojnë në konkluzionin se ekziston dyshimi i arsyeshëm se ata, me veprime aktive të kundërligjshme kanë konsumuar elementë të veprës penale“Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal.
Këta shtetas, dyshohet se kanë dhënë përfitime të parregullta tek i zgjedhuri vendor dhe bashkëshortja e tij, drejtpërsëdrejti ose nëpërmjet OJF-ve, shoqërive me përgjegjësi të kufizuar dhe personave fizikë të kontrolluar nga kjo e fundit, të cilat konsistojnë në pasuri të paluajtshme (godinë banimi e tipit “vilë”), sponsorizime, likuidime faturash për shërbime konsulence ligjore fiktive, blerje sendesh në mënyrë fiktive, financime fiktive festivalesh artistike, pagesa udhëtimesh e qëndrime në hotel etj. Të gjithë subjektet tregtare që shtetasit nën hetim GENTIAN SULA., FATMIR BEKTASHI. SOKOL KRYEZIU, SHKELQIM FUSHA dhe MERIMAN PALUSHI përfaqësojnë, gjatë kohës që korrespondon me periudhën e dhënies së përfitimeve të parregullta, por jo vetëm, kanë përfituar nga Bashkia Tiranë, me firmën e titullarit të saj, fonde të konsiderueshme publike si edhe leje ndërtimi.
Në lidhje me këto pasuri, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur me vendimin nr. 84 Akti datë 10.02.2025, caktimin e masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive”, në lidhje me pasurinë e paluajtshme:
Pasuria numër 1/647, Vol. 29, Faqe 103, ZK. 3101, sipas certifikatës për vërtetim pronësie nr. 1456523, ndodhur në Zonën e Stimuluar “Ardian Çarçani”, Qerret, lloji “truall”, sipërfaqe trualli të objektit 494 m2, sipërfaqe të bazës së njësisë 82 m2, leja e legalizimit nr. 705199, datë 31.01.2020, regjistruar në ASHK në emër të “Agi Kons” shpk.
Po kështu, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, me vendimin nr. 98 Akti /datë 10.02.2025 ka vendosur caktimin e masës së sigurimit pasuror, në lidhje me llogaritë bankare të ndodhura në “Intesa Sanpaolo Bank” dhe “Banka Kombëtare Tregtare”, ne emër të shtetasës AJOLA XOXA. dhe shoqërive të lidhura me të, në shumën totale prej 869,149.78 Euro.
Nga ana tjetër, gjatë kontrollit të ushtruar pranë zyrave të “P. L.” shpk, administruar nga shtetësja AJOLA XOXA., e cila është njëkohësisht dhe pronare e vetme, janë gjetur në një kasafortë dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një sasi të hollash, prej 95,350 Euro (shumica prej tyre prerje 500 euro), 14,900 USD dhe 665,000 Lekë.
Përveç sa është përmendur mësipër, Prokuroria e Posaçme po kryen hetime paraprake ndaj deputetes së Kuvendit të Shqipërisë, shtetases Klotilda Bushka. Emri i kësaj të fundit është regjistruar në regjistrin përkatës të njoftimeve si person i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, parashikuar nga neni 301 i Kodit Penal. Deri në këtë fazë konstatohet se ekzistojnë të dhëna konkrete të cilat të çojnë tek dyshimi i arsyeshëm se personi nën hetim Klotilda Bushka ka kryer veprime aktive të kundërligjshme të cilat kanë interferuar me hetimin e organit procedues në lidhje me procedimin penal nr. 27 të vitit 2024. Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar falenderon Policinë e Shtetit për bashkëpunimin në fazën e ekzekutimit të masave të sigurisë.