Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një takimi virtual me shqiptarët në diasporë, falënderoi ata për mbështetjen dhe kontributin e tyre të çmuar për PD-në dhe shqiptarët. Berisha shprehu entuziazmin dhe besimin e tij se angazhimi i diasporës do të çojë në fitoren e PD-së në zgjedhjet e ardhshme. Ai theksoi se do të bëhet gjithçka për të lehtësuar ndihmën për shqiptarët që dëshirojnë të investojnë dhe të ndërtojnë suksesin e tyre në Shqipëri.Berisha garantoi se numri i konsullatave do të rritet dhe përmendi Miçiganin si një qytet që do të ketë konsullatën shqiptare, duke theksuar se kjo është një mirënjohje për kontributin e shqiptarëve atje në fitoren e Presidentit Donald Trump.
Ai e konsideroi këtë kontribut të diasporës si një shtysë për të sjellë fitore dhe zhvillim për PD-në dhe Shqipërinë.
Pjesë nga fjala e Berishës:
Ju falënderoj për ndërhyrjet tuaja, për mbështetjen tuaj shumë të çmuar dhe mbetem jashtëzakonisht entuziast dhe i bindur se ky kontribut dhe kjo energji e juaja po shndërrohet në fitore për PD-në dhe shqiptarët.
Ju siguroj se do bëjmë gjithçka në mënyrë që të lehtësojmë, të ftojmë të ndërtoni suksesin tuaj në Shqipëri.
Në Parma, në Firence dhe kudo, ka biznesmenë shqiptarë ndër më të suksesshmit dhe do bëjmë çdo gjë që ai sukses të vijë në Shqipëri.
Ju garantoj se konsullatat, siç thashë edhe më parë, do të shumëfishohet numri i tyre dhe konkretisht Miçigani do ketë konsullatën shqiptare, edhe ndër të tjera, kontributin që ju dhatë në fitoren e presidentit Donald Trump.
Tani ai kontribut i juaji dhe i qyteteve të tjera, do të jetë për PD-në dhe Shqipërinë.
Faleminderit shumë.