Ballina Rajoni ​Disa serbë dezinformojnë për shqiptarët në rrjete sociale, apelojnë Vuçiqin që të...

​Disa serbë dezinformojnë për shqiptarët në rrjete sociale, apelojnë Vuçiqin që të dërgojë ushtrinë

24
0

Një sërë dezinformatash se gjoja shqiptarë nga Kosova po vjedhin dru afër fshatit Restelicë, 5 km brenda territorit të Serbisë, janë shpërndarë të premten nga profile serbe në rrjetin social “X”.

Ata kanë shkuar aq larg me pretendimet e tyre, duke thënë se gjoja shqiptarët e Kosovës “kanë hyrë në territorin e Serbisë, duke shkaktuar tensione dhe përplasje me serbët që ndodheshin atje.”

Ndërkohë që shqiptarët i akuzojnë për gjoja sulm e i quajnë “terroristë”, persona të fshehur prapa këtyre profileve apelojnë presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq që të mobilizojë ushtrinë për “t’iu dal në mbrojtje serbëve”.

Në njërin nga këto shkrime është postuar edhe një video ku serbët shtiren se gjoja po sulmohen nga shqiptarët.

Kjo nuk është hera e parë që serbët kanë shpërndarë dezinformata të tilla në rrjetet sociale. Së fundi, një mobilizim i tillë kishte ndodhur para sulmit terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit.

“Një kolonë hajdutësh shqiptarë të pyjeve nga Kosova përshkoi gati 4 kilometra brenda Serbisë. Linja e sigurisë tokësore? Xhandarmëria? Ushtria? A po ndodh ndonje gje??? Aleksandër Vuciq? Nuk ju vjen turp?”, ka shkruar njëri nga ta.

Ndërsa një tjetër pretendon se shqiptarët nga Kosova kanë “kaluar vijën administrative më shumë se 5 km afër Kurshumlisë dhe pas të shtënave, dalëngadalë po nxjerrin dru zjarri.”

“A do të reagojë dikush? Pse nuk po dërgohet ushtria për të mbrojtur njerëzit dhe pronën? Edhe sa duhet toleruar kjo shtypje e terroristëve shqiptar?”, thuhet në thirrjet e tyre nxitëse.