Ballina Aktualitet Hapet testamenti i kryepeshkopit Anastas, depozitat financiare i përkasin Kishës së Shqipërisë

Hapet testamenti i kryepeshkopit Anastas, depozitat financiare i përkasin Kishës së Shqipërisë

20
0

Në një atmosferë thellësisht prekëse, u krye sot, të shtunën, më 1 mars 2025, në Katedralen e Ngjalljes së Krishtit në Tiranë, mbushur plot me besimtarë, përkujtimorja dyzetditore e kryepeshkopit  të ndjerë të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos.

Gjatë Liturgjisë Hyjnore, Episkopi i Krujës, hirësi Anastasi, lexoi publikisht testamentin e Kryepiskopit të ndjerë, Anastasit.

Testament

Falenderoj Kishën e Shqipërisë për dashurinë dhe përkushtimin e tyre të përzemërt.

Depozitat e mia financiare, si Kryepeshkop, i përkasin Kishës së Shqipërisë.

I lutem ekzekutuesve të testamentit tim që gjysma e shumës së këtyre depozitave të përdoret për përfundimin e Katedrales ‘Ngjallja e Krishtit’ në Tiranë.

Ndërsa gjysma tjetër të ruhet dhe të përdoret në mënyrë të përshtatshme, duke siguruar që të ardhurat nga këto investime të përdoren për mbështetje të pagave të klerikëve dhe për zhvillimin e programeve rinore të Kishës së Shqipërisë.”

Liturgjia Hyjnore dhe shërbesa e përshpirtshme u kryesuan nga Mitropoliti i Korçës dhe Mbikëqyrësi i Fronit Kryepiskopal, hirësi Joani, me të cilin bashkëmeshuan Mitropoliti i Gjermanisë nga Patriarkana e Antiokisë, hirësi Isaku, nga Kisha e Greqisë, Mitropoliti i Korfuzit, hirësi Nektari, dhe Mitropoliti i Kefalonisë, hirësi Dhimitri, anëtarët e Sinodit të Shenjtë të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë: Mitropoliti i Gjirokastrës, hirësi Dhimitri, Mitropoliti i Apolonisë dhe Fierit, hirësi Nikolla, Mitropoliti i Elbasanit, hirësi Andoni, Mitropoliti i Beratit, hirësi Asti, Mitropoliti i Amantias, hirësi Nathanaili dhe Episkopi i Krujës, hirësi Anastasi.

Në lutjen e përbashkët morën pjesë, gjithashtu, përfaqësuesit e Patriarkanës Ekumenike: Mitropoliti i Prikonezit, hirësi Josifi, dhe Mitropoliti i Filadelfias, hirësi Melitoni së bashku me Mitropolitin e Korçës dhe Mbikëqyrësin e  Fronit Kryepiskopal, hirësi Joanin, të cilët vlerësuan veprën madhore misionare, shpirtërore dhe shoqërore të Kryepiskopit të ndjerë, përmes së cilës ai kontribuoi në ringjalljen e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.

Për të nderuar kujtimin e Kryepiskopit të ndjerë të Kishës sonë u mblodh një numër i madh klerikësh dhe besimtarësh të Kishës së Shqipërisë, përfaqësues të institucioneve fetare, arsimore dhe filantropike të Kryepiskopatës, si dhe vizitorë nga jashtë vendit.

Pas shërbesës përkujtimore në Katedrale, u krye shërbesa e përshpirtshme pranë varrit të Kryepiskopit të ndjerë, në kriptën nën Altarin e Shenjtë të Katedrales, dhe më pas u organizua një pritje për besimtarët.

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë vijon rrugën e saj e udhëhequr nga vizioni dhe trashëgimia e Kryepiskopit të ndjerë, Anastasit, duke vazhduar veprën e tij shpirtërore, baritore, arsimore, bamirëse dhe paqësore, të cilën ai e themeloi dhe e zhvilloi me dashuri sakrifikuese për 33 vjet.